Arjetë Miftari me “Hyjneshat” në Paris

Kultura December 11, 2018 - 09:33
Lexo Detajet

“Rrugëtimi i hyjneshave” është ekspozita e skulptores Arjetë Miftari, e cila do të hapet më 12 dhjetor të këtij viti në qytetin e Parisit dhe do të mbahet në hapësirat e Ambasadës së Kosovës në Paris.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” skulptorja Miftari është shprehur mjaft e gëzuar që ka arritur një qëllim të kamotshëm të saj. Ajo shkruan se ekspozita ka karakter promovues dhe lidhet me trashëgiminë e pasur kulturore që ka një vend si Kosova. “Kjo ekspozitë me karakter promovues është një mundësi e mirë për të promovuar një pjesë të punës sime, që pa dyshim ndërlidhet edhe me trashëgiminë e pasur kulturore që ka Republika e Kosovës”, ka shkruar për audiencën skulptorja pejane.

Miftari thotë se e ka kryer obligimin që ka ndaj vendin të saj, për të promovuar artin e këtij vendi. “Unë e kam kryer obligimin që kam ndaj vendit tim për të kontribuuar ne promovimin e artit, të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore. Do të vazhdoj pa u lodhur dhe me vullnet maksimal”, ka shkruar Miftari në rrjetin e saj social.

Rikujtojmë se vitin e kaluar artistja Arjetë Miftari “Hyjneshat” i ka promovuar edhe në qytetin e Berlinit.  Arjeta është një skulptore dhe piktore premtuese nga Kosova. Ajo fitoi çmimin e parë figurativ të artit me rastin e Qindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 2013.

Nga një moshë të re peizazhet e Kosovës e kanë frymëzuar punën e saj të hershme. Ajo filloi si skulptore dhe si piktore gjatë studimit të skulpturës në Fakultetin e Arteve, në Universitetin e Prishtinës.