100 Valbona nga Kosova në Valbonë të Shqipërisë (VIDEO)

Kultura December 11, 2018 - 08:55
Lexo Detajet
Image

Fundjavën që lamë pas rreth 100 vajza e gra nga Kosova, që quhen Valbona, vizituan Valbonën e Shqipërisë. Kjo vizitë u organizua nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë. Ambasadori Qemal Minxhozi tha për gazetën “Zëri” se është i kënaqur që këto vajza e gra nga Kosova u bënë bashkë për të udhëtuar në vendin prej nga e kanë emri., shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Gjithmonë kur ka vizitorë të veçantë ndjesia është shumë e bukur. Gjithë këto vajza, gra nga Kosova që vinë sot në këtë periudhë dimri në Valbonë, është gjë shumë e bukur. Ajo që më bëri përshtypje është se që të gjitha ishin shumë të gëzuara, pavarësisht shiut ose borës”, tha ambasadori Minxhozi.

Duke folur për karakteristikat e kësaj ane të Shqipërisë, Minxhozi sugjeroi që Valbonat të vijnë sërish në Valbonë me të për ta bërë një ecje malore nga qafa e Valbonës e deri në Theth. Një tip ecjeje që duhet të bëhet gjatë verës, atëherë kur kushtet atmosferike janë më të favorshme.

Ky udhëtim në Valbonë bëri bashkë Valbona të moshave e të profesioneve të ndryshme nga Kosova. Njëra ndër to ishte edhe Valbona Imeri, që me profesion është mami. “Kjo vizitë këtu për ne është e papërshkueshme. Unë po kënaqëm së bashku me Valbonat e tjera. Unë nuk kam qenë më herët në Valbonë, por bashkë me Valbonat tjera po kënaqemi me bukuritë e këtij vendi”, tha Valbona Imeri. Duke qenë se profesioni i saj e lidh me nënat e reja, e pyetur nëse ka informacion se sa po përcillet ky emër te vajzat e porsalindura, mamia Imeri tha se ky emër është më i rrallë te gjeneratat e reja, mirëpo në përgjithësi në Kosovë ajo njeh shumë Valbona.

">http://

Më tepër se për të tjerat, ndoshta më i veçantë ky udhëtim ishte për Valbona Jakupin, e cila iu bashkua kësaj vizite me djalin e saj njëmuajsh. “Janë 100 nëna me emrin Valbonë në këtë vizitë dhe unë me gjithë dëshirë e pranova këtë vizitë dhe ftesën që më është bërë nga Ambasada e Shqipërisë. Vendi më pëlqeu shumë dhe këtu njoha shumë gra me karakteristika të ndryshme me emrin Valbonë. Jam e lumtur që erdha dhe e solla djalin për herë të parë”, tha Jakupi.

Rikujtojmë se në të kaluarën Ambasada e Shqipërisë ka organizuar edhe vizitën e 40 Sarandave në Sarandë dhe vizitën e 28 Vlorave në qytetin e Vlorës.

Ambasadori Minxhozi zotohet se vizita me karakter të tillë do të ketë edhe në të ardhmen./ZERI