Muzeu i Kosovës promovon katalogun për personat e verbër

Kultura December 11, 2018 - 08:44
Lexo Detajet
Image

Në mesin e shumë të pranishmëve Muzeu i Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve promovuan të hënën katalogun me imazhe taktile dhe me përshkrime të konvertuara në alfabetin Brail, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë së Muzeut, bëri hapjen e ngjarjes duke e konsideruar si të veçantë këtë ditë, sepse në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut është arritur të lansohet edhe katalogu që u mundëson qasje në eksponatet e muzeut të gjithë personave me aftësi të kufizuara në të parë.

Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuku, ka falënderuar  menaxhmentin e muzeut dhe ministrin Gashi, që bënë të mundur realizimin e këtij projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm për personat e verbër dhe me dëmtim në të parë. “Kjo do të jetë një mundësi shtesë për ne që të njohim të kaluarën e popullit tonë, që përmes ndjesisë së prekjes të njohim arkeologjinë e Kosovës”, tha mes të tjerash Tishuku.

Tishuku shtoi më tutje se ky muze u ka kushtuar kujdes dhe rëndësi pikërisht të drejtave të njeriut dhe krijimit të mundësive të barabarta, që edhe personat e verbër të kenë qasje dhe të njoftohen me të gjitha eksponatet. Tishuku konsideron që është mesazh për institucionet tjera, pra praktika që po ndjek Muzeu është praktikë që edhe institucionet tjera do të duhej ta ndiqnin dhe të krijojnë mundësi.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, është shprehur i kënaqur, duke thënë se është një moment shumë i veçantë për të që në një ditë të tillë të shënuar, siç është Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, promovohet katalogu dhe përtej promovimit të këtij katalogu promovohet dhe një bashkëpunim i shkëlqyeshëm me Muzeun e Kosovës.

“Imazhet taktile të paraqitura në këtë katalog përmes shqisës së prekjes sjellin një pjesë të koleksionit të Muzeut më afër te personat e verbër dhe me dëmtime në të parë”, theksoi ministri Gashi, duke vlerësuar se shkrimet në alfabetin e Brail-it do t’u japin mundësi atyre të kuptojnë më shumë për historinë dhe tregimin e objekteve në Muzeun e Kosovës.

Gashi theksoi se MKRS-ja do të vazhdojë të përkrahë aktivitete të kësaj natyre dhe t’i gjendet afër edhe kësaj kategorie të njerëzve. Ndër të tjera ministri ka thënë: “Më lejoni t’ju siguroj se ky bashkëpunim do të vazhdojë, do të jemi së bashku edhe në shumë aktivitete tjera, kurse në fund dua të falënderoj dhe të përgëzoj stafin e Muzeut të Kosovës për përkushtimin e tyre dhe bashkëpunimin me ju”, u shpreh ministri.

Gashi tha se përmes këtij aktiviteti do të arrihet të krijohet qasje fizike jo vetëm për të verbrit, por edhe për të gjithë ata që janë me aftësi të veçanta. Se kjo do të mundohet të arrihet jo vetëm në muze, por edhe në të gjitha institucionet që menaxhohen nga kjo ministri. Sipas Gashit, do të duhej që jo vetëm të kenë qasje me një dokument ose katalog, por edhe të kenë qasje në çdo aktivitet dhe në çdo institucion.

Kujtim Gashi rikujtoi atë që ka thënë edhe në aktivitete tjera, se për të si ministër dhe në Ministrinë që udhëheq ai do të arrihet e ardhme e përbashkët. “Kosova, shteti ynë i ri, do të ketë të ardhme të sigurt atëherë kur gjithë qytetarët e kësaj republike trajtohen njësoj dhe janë të barabartë. Edhe ata me nevoja të veçanta, edhe të gjithë të tjerët që për një arsye ndryshe nuk e ndiejnë veten të barabartë me qytetarët e tjerë”, është shprehur ministri Gashi.

Ministri theksoi se përkundër faktit që nuk posedohet në domenin e tyre qeverisës mbështetja e personave me nevoja të veçanta, si Ministri kanë programe të veçanta që parashohin pjesëmarrje aktive në projektet që zhvillohen.    

Në mesin e shumë shoqatave për të verbër nga qytete të ndryshme të Kosovës Shoqata e të verbërve nga Ferizaj mori katalogun në praninë e pjesëmarrësve dhe njëri nga pjesëtarët e kësaj shoqate falënderoi të gjithë të pranishmit dhe Muzeun që kanë lansuar një ide të tillë. Ai kërkoi që të vazhdojnë bashkëpunimet e tilla, sepse u shërbejnë mirë shoqatave dhe njerëzve aty. Sepse, sipas tyre, ky fakt i bën të barabartë me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës./ZERI

Image