Pesë filma kosovarë shfaqen në Bujanoc

Kultura December 06, 2018 - 10:01

Javën që vjen në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc do të shfaqen pesë filma të metrazhit të gjatë e që cilësohen si filmat më të mirë dhe më të vlerësuar në Kosovë dhe më gjerë kohët e fundit. Duke filluar nga data 10 deri më 15 dhjetor si rrallëherë do të shfaqen disa filma shqiptarë në kuadër të “Javës së Filmit të Kosovës në Bujanoc”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili, për gazetën “Zëri” është shprehur i kënaqur për këtë bashkëpunim që kanë arritur me Qendrën Kinematografike të Kosovës. Ai thotë se shpreson që publiku do të mirëpresë filmat e tillë dhe se një bashkëpunim i tillë ndihmon vrazhdën e organizimeve të tjera me shtetin e Kosovës. “Publiku ynë është i interesuar për filmat kosovarë dhe tematikat e tilla janë mjaft të prekshme dhe me interes të veçantë për audiencën tonë”, ka thënë Ismaili.  “Java e Filmit të Kosovës në Bujanoc” do të hapet me filmin e regjisorit Ismet Sijarina “Nëntor i ftohtë” dhe do të vazhdojë me “Home Sweet Home” nga Faton Bajraktari, “Tri Dritare dhe Një Varje” nga Isa Qosja, “T’padashtun” nga Edon Rizvanolli dhe “Një Tregim Prishtine” nga Burbuqe Berisha. Të gjithë filmat do të shfaqen në Shtëpinë e Kulturës çdo ditë me fillim nga ora 17:00. Zëri