Kërkohet që artistët eminentë të përkrahen me pensione artistike

Kultura December 05, 2018 - 10:05

 

Image

Javën e kaluar Ministria e Kulturës ia ka dorëzuar vendimin e Qeverisë për vlerësimin e meritave dhe kontributet në promovimin e mirëfilltë të muzikës shqiptare këngëtares Nexhmije Pagarusha. Ky status i siguron asaj një pension mujor me vlerë prej 500 eurosh. Këtë vendim të Qeverisë e ka mirëpritur komuniteti artistik. Mirëpo disa prej tyre deklarojnë për gazetën “Zëri” se përveç Pagarushës një status të tillë ose ndonjë pension artistik meritojnë ta kenë edhe disa artistë të tjerë. Atë kërkojnë që kjo gjë të rregullohet edhe me ligj, shkruan sot gazeta "Zëri".

Aktori Fatmir Spahiu thotë se fakti që Ministria ka vendosur t’ia ndajë një pension të tillë, ose siç e quan aktori ndihmesë, zonjës Nexhmije Pagarusha është një akt i jashtëzakonshëm, por gjithsesi i merituar nga këngëtarja jonë e madhe. Tjetra që aktori e cilëson të veçantë është kontributi i komunitetit artistik ndër vite. “Duhet të kenë pension artistët, sidomos ata artistë që kanë bërë një kontribut ndër vite qoftë përmes artit, por edhe nëpërmes prezantimit të tyre në arenën vendore e ndërkombëtare”, është shprehur aktori Spahiu. Ai thotë se artistët që e zgjedhin një rrugë të tillë në cilëndo perspektivë ndërmarrin një vendim shumë të rrezikshëm në jetë, sepse arti nuk është garancion për suksesin e tyre. “Ata vendosin të mos jenë punëtorë ordinerë për të shkuar në punë e për t’u kthyer në orën 16:00. Fakti që e zgjedh gjatë jetës tënde, rrugëtimit jetësor, pozicionin e artistit është për t’u vlerësuar e sidomos kur vjen mosha e tretë, patjetër që duhet të meritohet një pension, ndihmesë e veçantë”, ka thënë Fatmir Spahiu.

Edhe Korab Lecaj, pjesë e këtij komuniteti si regjisor, e çmon punën e artistëve, duke i konsideruar si një grup të rëndësishëm të shoqërisë, por Lecaj ndien keqardhje që shumë njerëz me vlerë të këtij komuniteti ikin nga kjo botë pa u vërejtur. “Fatkeqësisht, shumë emra të artit e të kulturës ikin nga kjo botë pa u vërejtur fare, ndonëse pas vetes ata lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën kulturore të këtij vendi. Ata pasi vdesin nderohen me ndonjë ceremoni përkujtimore dhe gjithçka merr fund”, tha Lecaj. Ai mendon se përderisa janë gjallë artistët nuk i bie në mend dikujt se ekzistojnë. Ai  thekson që kjo shoqëri e sidomos institucionet shtetërore duhet t’i shkojnë shembullit të Nexhmije Pagarushës, së cilës iu nda një shumë e konsiderueshme mbështetje financiare në shenjë nderimi për kontributin e dhënë për muzikën shqiptare. “Mendimi im është se ne si shoqëri nuk i respektojmë aq sa duhet këta njerëz. Është koha që Ministria e Kulturës ta bëjë një listë me emra të këtyre artistëve të të gjitha fushave dhe t’i përkrahë sa janë gjallë”, është shprehur regjisori Lecaj.

Edhe profesoresha e muzikantja Besa Luzha konsideron që artistët e krijuesit do të duhet të përkrahen me një pension të veçantë, të denjë, që u siguron atyre kushte për jetesë.  “Më erdhi mirë që Nexhmije Pagarusha më në fund u trajtua me një veprim të këtillë. Sigurisht që ka ende. Ka shkrimtarë, poetë, piktorë, akademikë, kompozitorë etj. që jetojnë me pension të zakonshëm si çdo qytetar tjetër, por duhet sigurisht edhe të përcaktohen kriteret për kontributin e veçantë. Jo çdo artist, krijues, poet, piktor, kompozitor, shkrimtar etj. ka arritje të nivelit të lartë dhe meritë kombëtare”, shprehet Luzha për gazetën “Zëri”.

Rikujtojmë se muaj më parë deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe artist, Adem Mikullovci, ka propozuar që të ketë një pension artistik për njerëzit që kanë lënë gjurmë në artin dhe në kulturën shqiptare. “Duhet të merret një vendim për njerëzit që kanë lënë gjurmë në kulturë. Ky numër i këtyre njerëzve është shumë i kufizuar, një numër shumë i vogël. Nuk po di mbase ta formuloj saktë, por ky duhet të jetë njëfarëlloj ‘Nobeli’”, kërkoi ai.

Samir Hoxha, këshilltar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se deri më tani statusin e qytetares me merita të veçanta e ka vetëm Nexhmije Pagarusha, përderisa thotë se nuk kanë marrë asnjë kërkesë që artistët e caktuar të gëzojnë ndonjë pension artistik. Zëri