Rrezarta Delisula prezanton librin “Tirana - Mahnia”

Rrezarta Delisula prezanton librin “Tirana - Mahnia”

Kultura dhjetor 04, 2018 - 10:01

Gazetarja Rrezarta Delisula ka botuar librin e parë për Tiranën, qytetin në të cilin u lind e u rrit dhe në të cilin shkëmbeu 20 vjet karrierë pune. Ajo sjell njohuritë se sa mirë e njeh këtë qytet, se si ia di edhe rrugicat dhe kjo si rezultat i gërmimit në memorie e materiale për historitë e saj.

Mediet në Shqipëri shkruajnë se përveç informacionit të gjerë në disa fusha, libri të ofron edhe një pamje shumë interesante fotografike të shndërrimit të këtij qytetit prej një zone të vogël urbane në një metropol, që duhet thënë se në vitet tona mbart frymën e zhvillimit të vendit. E emëruar si “Tirana - Mahnia”, autorja thotë se është një lojë fjalësh mes manisë dhe mahnitjes, është ta adhurosh qytetin tënd, duke u nisur edhe nga moria e mundësive që i jep çdonjërit që jeton në këtë vend. “Në fillim më dukej sikur dija shumë e ndërsa ecja njihesha me tipare të reja, copëza historish fantastike dhe detaje kurrë të hasura më parë. Kuptova që brenda thjeshtësisë së një qyteti fshihej madhështia e tij. Sa më shumë e njoh Tiranën, aq më shumë e dua”, është shprehur autorja.

Për gazetën shqiptare “Panorama” autorja rrëfen se si ka nisur i gjithë rrugëtimi i librit. Marrëdhënien e parë me qytetin, Tiranën, ajo e ka ndier kur ishte fëmijë, në kohën kur me babanë e saj kishin shëtitur rrugëve dhe kishin biseduar për historitë që më nuk dëgjohen. Ajo kujton se as qyteti nuk është më ai i kujtimeve, por falë rrëfenjave do ta njohin edhe ata që nuk e kanë parë. Kapitujt zbulojnë gjëra që nuk i dinë gjeneratat e reja dhe sipas saj ky botim nuk ka lindur sot, por është shtjelluar nëpër kohë me të dhënat që shtoheshin e arkivoheshin. “Qëllimi i koleges sonë ka qenë një dhe i vetëm, për ta bërë sa më të adhurueshme pamjen e qytetit tonë të bukur dhe të përkorë. Libri është dygjuhësh (shqip-anglisht) dhe kështu përbën një kontribut të madh për të huajt të cilët duan t’i qasen kulturalisht kryeqytetit tonë”, shkruhet në Gazetën Shqiptare.  

Libri ka 176 faqe të mbushura me fakte, argumente, histori dhe fotografi të qytetit të Tiranës. Libri është përmbledhur nga një staf, ku fotografitë i ka bërë Endrit Delisula dhe mbulojnë përveç pamjeve panoramike nga gati çdo cep të qytetit edhe detaje të tjera. Enxhi Terihati është marrë me përkthimin, Afërdita Hysaj dhe Artan Buca janë marrë me kopertinën e librit dhe redaktore e librit është Fiorela Katroshi. Zëri