Të mërkurën ndahet çmimi 'Artisti i së Nesërmes 2018'

Kultura December 04, 2018 - 09:59

Me mbylljen e ekspozitës së artistëve të rinj Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë këtë të mërkurë në Klubin e Boksit në Prishtinë do të bëjë të ditur edhe fituesin e çmimit “Artisti i së Nesërmes”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Çmimin do ta fitojë njëri nga tre artistët e përzgjedhur nga juria profesionale, e përbërë nga Charles Esche drejtor i “Van Abbemuseum”, Erëmirë Krasniqi studiuese dhe drejtoreshë e “Oral History Kosovo”, Jelena Vesië kuratore, Adrian Deva artist dhe edukator arti dhe Amanda Parmer drejtore e programit e “Independent Curators International” (ICI) Nju Jork.

Artistët janë vlerësuar me kriterin e inovacionit dhe praktikave të fuqishme ndërdisiplinore në bazë të shqyrtimit të portofolit të tyre artistik, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme dhe potencialit të demonstruar. Artistët konkurrentë janë: Qëndresë Deda, Altin Krasniqi e Dion Zeqiri, kurse ekspozita është kuruar nga Vala Osmani dhe Albert Heta, duke vazhduar me asistencën kuratoriale nga Donjetë Murati dhe arkitektura e ekspozitës nga Vala Osmani. 

Rikujtojmë se çmimi “Artisti i së Nesërmes” është një projekt unik që ua ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35-vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të jenë pjesë e një procesi specifik edukativ. Qëllimi është që të kenë takime dhe prezantime për një juri ndërkombëtare, mundësi që të marrin pjesë një ekspozitë të përbashkët me finalistët e tjerë në Stacion - Qendrën për Art Bashkëkohor Prishtinë, por edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jorkut. “Çmimi ‘Artisti i së Nesërmes” është çmim kyç dhe i pavarur i organizuar në bashkëpunim me ‘Residency Unlimited’ në Nju Jork, i mbështetur nga ‘The Trust for Mutual Understanding’ në Nju Jork dhe sponsorët kryesorë të çmimit në Kosovë janë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Qendrës për Art Bashkëkohor.

Juria ka vlerësuar punën e tre krijuesve, duke i sjellë në pah edhe arsyet e përzgjedhjeve.  “Puna ‘Care’ e Qëndresa Dedës e ekspozuar në ekspozitën e çmimit ‘Artisti i së Nesërmes 2018’ ka të bëjë me çështjet e identitetit, ‘hapësirë utopike’ të lirisë, refuzimit dhe të gjitha etiketimeve që mund t’i refuzosh, peshës së rëndë të çfarëdo që mban me vete, rëndësisë së krijimit të hapësirës edhe kur nuk ke hapësirë që përdor trupin - veten si hapësirë”, bëhet e ditur për audiencën.

Në punën e artistit Altin Krasniqi tregohet puna e “Dyqanit të pavarur tregtar”, që shpërfaq raportet shoqërore, si dhe mjedisin shoqëror, ekonomik, politik e kulturor. “Kjo praktikë ndonëse rrënjët i ka te përvoja personale, shpërfaq gjithashtu edhe ndikimin kolektiv dhe raportet shoqërore në përgjithësi. Përtej një dyqani të vogël tregtar, kjo punë nuk kufizohet vetëm në hapësirat gravituese përreth dyqanit, por priret t’i tejkalojë këto hapësira dhe të shfaqë aspekte të përgjithshme të karakterit shoqëror”, thuhet më tutje në arsyetimin e jurisë.

Dion Zeqiri, konkurrenti i tretë, sjell punën e emëruar “Objekti është prezent aty ku subjekti mungon”, që trajton transformimin e hapësirës urbane si rezultat i ndërtimit të keq, si dhe shumë faktorë të tjerë. “Situatat e ndryshme bëjnë që objekte siç janë shenjat e trafikut dhe gjëra të tjera të mos shfrytëzohen për destinimin e tyre themelor. Kur këto objekte, të cilat kanë pasur një funksion, edhe pse të njëjtë në pamje, tashmë nuk përdorën për atë destinim ato mund të përdoren për art”, theksohet në njoftimin e qendrës.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë synon të rrisë potencialin dhe ndikimin e çmimit “Artisti i së Nesërmes” në zhvillimin e gjithmbarshëm në artin bashkëkohor në tërë territorin e Kosovës. Zëri