Nexhmije Pagarusha, edhe zyrtarisht 'Qytetare me merita të veçanta'

Kultura December 01, 2018 - 08:49
Lexo tjera detaje

Nexhmije Pagarushës, mbretëreshës së këngës shqiptare, i është dorëzuar të premten vendimi i Qeverisë për statusin e “Qytetares me merita të veçanta”, për shkak të kontributit të saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se ndihet shumë i lumtur që ikona e muzikës shqipe Nexhmije Pagarusha nga ky muaj filloi të përfitojë shumën prej 500 eurosh në baza mujore nga Ministria e Kulturës. Ndër tjerash ai shkruan: “Sot vizitova këngëtaren në banesën e saj. Bilbili i këngës shqipe Nexhmije Pagarusha ka dhënë kontribut të madh në përçimin e vlerave dhe të traditave të vendit tonë me pjesëmarrjen e saj në festivale e në skena të njohura ndërkombëtare”, ka shkruar Gashi.

Përmes një komunikate për shtyp është bërë e ditur se nga muaji i kaluar zonjës Pagarusha kanë filluar t’i transferohen mjetet në baza mujore.

Ministri është zotuar që do të vazhdojë të ndihmojë krijimtarinë e saj artistike duke financuar monografinë dhe njëkohësisht edhe kompleksin në Pagarushë, pikërisht afër shtëpisë së saj. Këngëtarja Nexhmije Pagarusha ka falënderuar ministrin për kujdesin e tij në vazhdimësi ndaj saj dhe për iniciativën e marrë për mbështetje financiare./ZËRI