'55 Shades Of Gay' shfaqet në Gjilan

Kultura December 01, 2018 - 08:47
Lexo tjera detaje

Këtë të shtunë, në orën 20:00, në Teatrin e Qytetit në Gjilan shfaqet “55 Shades Of Gay”, një komedi teatrore e qendrës “Multimedia” nga Prishtina, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Autor i kësaj shfaqjeje është Jeton Neziraj, kurse regjinë e ka bërë Blerta Neziraj ndërsa me rolet e tyre në këtë shfaqje paraqiten aktorët: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj, Luan Durmishi (vokal). Skenografinë dhe kostumet e shfaqjes i ka bërë Sebastian Ellrich, kurse muzikën Irena Popovic e koreografinë Florian Bilbao.

Qendra “Multimedia” nga Prishtina, e konsideruar si njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore, sjell sërish në skenë në një trajtim krejtësisht politikisht jokorrekt një performancë argëtuese politike dhe provokuese, kësaj here mbi çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI.

“55 Shades Of Gay” është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe në Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e të mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelë fonde e për t’i realizuar projektet e tyre sociale e edukative, ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.

Në këtë trini, manipulim, abuzim, nënshtrim, pyetja që shtron shfaqja është: A është i mundur një çlirim seksual [sexual liberation] në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?

Në shfaqje një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservator dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane “Don Bosco” ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet, ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar sipas udhëzimeve të BE-së./ZËRI