Teatri, vendi i artit dhe i zhvillimit të politikës

Kultura December 01, 2018 - 08:45
Lexo tjera detaje
Image

Në Institutin Albanologjik të Prishtinës, të premten, u mbajt konferenca njëditore “Teatri, mes artit dhe politikës”, e cila u zhvillua në prezencën e komunitetit të kulturës dhe të njerëzve që e duan teatrin. Në mesin e studentëve dhe të njerëzve të interesuar për kulturën u diskutua mbi rolin e veçantë të teatrit dhe për politikat përfshirëse në vitet e fundit. Kjo konferencë trajtoi ndikimin e politikës në kulturën teatrore nacionale dhe në identitetin e saj, si dhe autonominë krijuese, estetiken teatrore e politikat administrative, shkruan Gazeta "Zëri".

Drejtoresha ekzekutive, Elmaze Nura, foli për ndikimin e fuqishëm të këtij komuniteti në zhvillimin e kulturës. Nura theksoi problemin se si profesionistët e Teatrit hasin në telashe dhe pengohen në krijimtarinë e tyre. Ajo tha se për teatrin flitet në ambientet e ndryshme, por një debat i tillë i ka munguar ambientit tonë. “Kjo nismë është bërë me qëllimin që t’i jepet hapësirë fuqisë teatrore për të diskutuar tema të rëndësishme që na shqetësojnë të gjithëve, sepse mendoj se zhvillimi i jetës teatrore varet aq shumë nga politika shtetërore”, u shpreh regjisorja Nura para të pranishmëve.

Tutje ajo kërkoi të diskutohet hapur dhe sinqerisht për problematikat që e shqetësojnë këtë komunitet, për rrjedhat e Teatrit sot dhe për perspektivën që duhet të ketë nesër. “Të gjithë jemi dëshmitarë të një problematike të funksionimit të teatrove në vend. Artistët e teatrit kanë dëshmuar se janë seriozë e prodhojnë vlera të larta dhe përfaqësojnë denjësisht veprat e tyre artistike e në mënyrë të natyrshme meritojnë më shumë mbështetje”, theksoi Nura.

Sipas drejtoreshës së konferencës, synohet që të rritet përkrahja për teatrin duke u shndërruar në një mekanizëm në favor të artistëve.

Dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi, e sheh si mjaft të nevojshme organizimin e një konference të tillë, në dhe për botën e teatrit. Ai e sheh këtë konferencë si të dobishme për të rinjtë që janë shumicë në konferencë. “Unë besoj që teatri është vendi ku bëhet arti, mirëpo politika nuk mund të përjashtohet nga teatri, duhet të ketë politika zhvillimore dhe jo arti të prodhojë politikë”, u shpreh Selimi.

Selimi shpreh dëshpërimin e tij duke thënë se jemi mësuar të themi se teatri është i politizuar e sipas tij teatri kryesisht është i klanizuar e jo i politizuar dhe se klane të ndryshme mundohen që të gllabërojnë hapësirat krijuese. “Besimi im është që teatri duhet të krijojë një identitet kombëtar, të cilin ende nuk e kemi krijuar. Ndoshta për shkak të zhvillimeve të ndryshme. Ky  identitet duhet të fillojë prej shkollës sonë, prej fakultetit të arteve edhe në bashkëpunim me teatrot tjera në hapësirën shqiptare”, u shpreh dekani Selimi.

Feim Hoxha, në emër të Ministrisë së Kulturës, ka konsideruar se kjo konferencë kontribuon në hartimin e politikave më të mira të teatrit dhe të kornizave ligjore, të cilat luajnë një rol të veçantë në të ardhmen që teatrot të mos të ballafaqohen me problemet të cilat i kanë sot. Dhe se kjo Ministri po mundohet të krijojë një ligj sa më funksional për funksionimin e teatrove.  “Vitin e parë kemi filluar të hartojmë politika të reja të teatrit dhe kemi identifikuar disa nga problemet që në fakt ekzistojnë tash në Ligjin për Teatrot. Ky koncept ka kaluar në të gjitha procedurat për t’u aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, pohoi Hoxha.

Hoxha ka rikujtuar edhe ndryshimin e Rregullores, e cila i ka ngritur pagat e komunitetit artistik për 50 për qind. Me këtë ndryshim sipas tij parashihen dhe ndryshime tjera, sepse Ligji i Teatrove ka pasur pengesa juridike dhe nuk ka pasur një status të qartë ligjor. “Me projektligjin e ri ne do t’i qasemi shumë seriozisht këtij problemi. Ministria e Kulturës është e përkushtuar dhe pres nga gjithë ju që t’i jepni të gjitha kërkesat tuaja në lidhje me aftësimin e kësaj kërkese ligjore”, thotë ai.

 

Konferenca është ndarë në dy sesione, sesioni i parë ka trajtuar temën “Kultura, politika dhe identiteti”, temë për të cilën folën Mentor Zymberaj, Drita Begolli, Reshat Sahitaj.

Drita Begolli, profesoreshë e arteve dramatike, sot ka shënuar 38-vjetorin e paraqitjes për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar. Ajo me këtë rast theksoi se ka vite, prej pas luftës që kultura politike është peng i politikave tjera në politikëbërjen për kulturë. “Nëse do të kishim bërë një krahasim me ekspozimet politike prej fushatave e gjerë te formimet e qeverive të ndryshme partiake e joshtetërore, e kemi të qartë se politika e asfaltit ose politika e zhvillimit rural nuk kemi dëgjuar asnjëherë as të flitet e as të pëshpëritet për aspektin kulturor”, tha Begolli.

Ajo kujtoi se bota tani dhe dikur ka krijuar identitet nacional përmes identitetit kulturor, përmes filmit, përmes këngës dhe përmes letërsisë, kurse shteti i Kosovës nuk e ka vëmendjen dhe krijuesi ynë nuk ka vazhdimësi krijuese. “Derisa rajoni këtë rëndësi e ka kuptuar me kohë dhe i vë theks këtij fenomeni, ne këtë ose nuk e kemi kuptuar, ose e kemi injoruar për favore tjera. Ne e kemi të paqartë projeksionin e kulturës dhe ai përkushtim simbolik në kulturë është më shumë impuls për mosbërje sesa bërje të kulturës”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër shkrimtari Reshat Sahitaj ka çuar debatin te kriza që e ka kapluar kulturën kosovare.  “Me teatër nënkuptojmë kulturë në përgjithësi. Ndikimi i politikës mbetet në kulturë dhe se kriza që e ka kapluar teatrin zanafillën e ka nga vitet e pasluftës, e cila është thelluar çdoherë e më tepër nga 2008-a e këtej”, ka thënë Sahitaj.

Ai tha se nëse shteti i Kosovës dëshiron të zhvillojë kulturë të mirëfilltë, sepse kultura është ambasadori më i mirë i çdo shteti, duhet ardhur deri te zgjidhja e krizës në teatër, gjegjësisht kulturës në përgjithësi. Dhe se së pari duhet të identifikohen faktorët, të cilët e kanë shkaktuar këtë krizë.  “Një pjesë e madhe e qytetarëve tanë është trullosur nga mediet, nga disa shfaqje debile, të hutuar pas disa serive debile si ‘Gjermanët e trashë’, ‘Kafeneja’, etj., ndonëse edhe disa nuk do të pajtohen me mendimin tim se ka krizë kulturore”, ka thënë Sahitaj.

Ai kërkoi që për ta konfirmuar mendimin e tij nga mediet, nga kritikët, nga intelektualët që t’i analizojnë këto shfaqje, këto seri vendore, cili është mesazhi i tyre, sepse, sipas tij, po fyhet kultura dhe njerëzit sikurse edhe në rastin kur në seri të tilla paraqitet deputeti si debil e që ne mund të gjejmë njëqind të meta, por jo ta pasqyrojmë si të tillë.

Konferenca vazhdoi me sesionin e dytë me temë “Autonomia krijuese, estetika teatrore dhe politikat administrative”, ku folën Fadil Hysaj, Emin Emini dhe Agron Gërguri. Në fund u nxorën konkluzione dhe rekomandime nga organizatorët e panelistët e sesioneve./ZËRI