Me shfaqjen 'Gratë' u hap edicioni i dytë i festivalit PITF

Kultura November 30, 2018 - 10:31
Image

Ka filluar edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove - PITF, edicion garues ky i cili do të sjellë në teatrin “Faruk Begolli” shtatë shfaqje teatrore që vijnë nga Maqedonia, nga Shqipëria, nga Italia, nga Bullgaria dhe nga Kroacia. Shfaqja e parë që u luajt është shfaqja “Gratë”, e regjisorit Qëndrim Rijani. Festivali vijon në netët në vazhdim me shfaqjet “Nëna dhe fëmija” e regjisorit Dino Mustafiq, “Rrëfimi” nga Alfredo Traversa, “Pula” nga Ana Bateva dhe “Si e ëma dhe e bija” nga Jasmin Novljakovic.

Në konferencën e parë për medie që u organizua në kuadër të festivalit folën Zija Rexhepi, koordinator i festivalit, Burbuqe Berisha, drejtoreshë e festivalit dhe dy aktoret e shfaqjes “Gratë” Teuta Ajdini-Jegeni dhe Drita Kaba-Karaga.

Koordinatori Rexhepi foli me detajisht për moton e edicionit të sivjetmë. “Këtë vit festivali vjen me moton ‘Nëse ne s’mund të shohim botën - bota le të flasë për  ne’. Kjo moto e sivjetme do të jetë sadopak kthyese e vëmendjes kah Prishtina, kah festivali në fjalë. Nëse ne e kemi të pamundur të lëvizim lirshëm jashtë Kosovës, të paktën që mund ta bëjmë është të rikthehet vëmendja”, ka thënë Rexhepi.

Ai foli për programin e larmishëm, që është përgatitur për audiencën. Rexhepi tha se në kuadër të programit garues gjithsej garojnë 7 shfaqje, me produksione të ndryshme.

Festivali do të ndajë çmimin për aktoren më të mirë, për aktorin më të mirë dhe për shfaqjen më të mirë. Ajo që është theksuar nga Rexhepi është se shfaqjet do të vlerësohen nga tri juri: juria kryesore e qendrore e festivalit, juria e medies dhe juria e studentëve.

E pyetur se a kanë ndikuar në programin e dëshiruar kushtet financiare, drejtoresha e festivalit thotë se vitin e kaluar kanë pasur një përkrahje simbolike nga Ministria e Kulturës dhe buxheti gjithmonë krijon një komoditet tjetër. “Kryesisht jemi munduar t’i marrim ato shfaqje që na kanë pëlqyer, jemi munduar të mos e kursejmë pjesën artistike. Partneriteti është pjesë kryesore, sepse kemi hasur në mirëkuptim me trupat që kanë ardhur këtu”, është shprehur Berisha.

Tutje ajo shtoi se nuk është e lehtë edhe sa i përket aktorëve, edhe trupës teatrore të vijnë në një vend pa fonde. Por sipas saj, janë munduar që ky festival të jetë sa më atraktiv për shikuesit. Drejtoresha Berisha është shprehur se jorastësisht festivali nisi me shfaqjen “Gratë” të Qëndrim Rijanit, sepse ka qenë tema e atillë që i afirmon gratë.