Ndotja e ajrit në objektivin e fotografit Reka

Kultura November 30, 2018 - 10:27
Image

Përmes tridhjetë fotografive të shkrepura dhe të përzgjedhura nga fotografi Hazir Reka Ambasada e Francës në Kosovë, si dhe “Balkan Green Foundation” kanë ilustruar të enjten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës gjendjen e ajrit në Kosovë. Ekspozita  e Rekës që u hap krahas konferencës me temën “Ndotja e ajrit dhe planifikimi urban” synon që të sensibilizojë qytetarët për gjendjen e ajrit në Kosovë.

Për gazetën “Zëri” Reka tregoi se fotografitë janë shkrepur kryesisht në komunën e Obiliqit, ku detyrimisht ndotja është më e theksuar për shkak të termocentraleve. “Këtu janë afërsisht tridhjetë fotografi dhe të gjitha janë pamje nga Obiliqi, përveç dy prej tyre që janë shkrepur në Kamenicë. Këto janë fotografi të periudhave të ndryshme, por nuk janë shumë të vjetra, kryesisht të vitit të kaluar kur ishte ndotja shumë e madhe dhe e protestës që u mbajt në shesh. Në këto fotografi dominon më shumë tymi, por mund të them se në to ka edhe gjallëri. Një pjesë e kësaj ekspozite është prezantuar edhe në Ferizaj në kuadër të ‘Mural Fest’, por pastaj Ambasada Franceze e vlerësoi dhe vendosëm ta prezantojmë në kuadër të kësaj konference”, tregoi fotografi Reka.

Pamje nga ndërtimi i një shtëpie të re krejtësisht afër oxhakut të Termocentralit, që vijnë nga objektivi i fotografit Reka, tregojnë se në mungesë të alternativave të tjera qytetarët janë pajtuar të jetojnë afër kësaj ndotjeje.

Në anën tjetër, fotografi nga protesta e qytetarëve të Prishtinës për këtë çështje vitin e kaluar, livadhe të gjelbëruara me prapavijë tymi ose çati shtëpish që mezi vërehen nga ndotja e ajrit janë pamjet që përbëjnë këtë ekspozitë.

Reka bëri të ditur se shumica e këtyre fotografive janë shkrepur nën dritën natyrale të mëngjesit të hershëm dhe se nuk janë të përpunuara me “Photoshop” ose me ndonjë program tjetër.

Image

Një fotografi që paraqet pamjen e oxhaqeve të Termocentralit të Obiliqit e që është pjesë e kësaj ekspozite kishte marrë edhe vëmendjen e ish-presidentit amerikan Barack Obama. Ai kishte zgjedhur që këtë fotografi që Reka e kishte shkrepur për mediumin prestigjioz “Reuters” ta shpërndajë me ndjekësit e tij në  rrjetin social “Facebook”.

Visar Azemi, drejtor i “Balkan Green Foundation” ka treguar për gazetën “Zëri” se kanë vendosur që konferencës së tyre t’ia bashkëngjitin ekspozitën e artistit Hazir Reka, me qëllim që njerëzit ta shohin edhe të vizuelizuar gjendjen e ajrit. “Po duam të ndërthurim edhe aspekte të tjera kreative në mënyrë që njerëzit më qartë ta kuptojnë se sa i madh është dëmi. Këtu në ekspozitën e Hazirit sot e shohim ndotjen, e cila ndodh dhe e prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Mirëpo përveç kësaj ka edhe disa fotografi që tregojnë njëfarë perspektive, që ka alternativë që të mos ndodhë ndotja e ajrit. Kjo ka qenë arsyeja kryesore pse kemi vendosur që përmes fotografive të mundohemi të bëjmë një sensibilizim të qytetarëve”, tregoi drejtori Azemi.

Ekspozita e hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të lëvizë nga kjo e premte në Aleancën Franceze në Prishtinë, ku do të qëndrojë e hapur për disa ditë.

Fotografi Hazir Reka që nga viti 1998 ka nisur punën në “Reuters”. Ai ka mbuluar protestat dhe luftën në Kosovë, si dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse të NATO-s. Reka po ashtu ka mbuluar për një kohë edhe luftën në Irak. Ai ka publikuar librin me foto “Ecja nëpër terr – Kosova 1988 - 1990” dhe fotografitë e tij janë publikuar në libra të ndryshëm, si ai i Blerim Shalës me titull “Kosova, gjaku dhe lotët”. Përveç ekspozitave brenda vendeve shqipfolëse Reka ka ekspozuar fotografitë e tij edhe në Gjenevë, në Francë, në Arabinë Saudite e të tjera. Në vitin 2003 Asociacioni i Gazetarëve të Profesionit të Kosovës e ka shpërblyer Hazir Rekën si fotografin më të mirë, ndërsa në vitin 2008 Galeria Kombëtare e Artit ka vlerësuar njërën nga fotografitë e tij si më të mirën. Zëri