Edhe 550 vjet pas vdekjes Skënderbeu unifikon shqiptarët (FOTO)

Edhe 550 vjet pas vdekjes Skënderbeu unifikon shqiptarët (FOTO)

Kultura nëntor 27, 2018 - 15:24
Lexo Detajet

Dionesa Ebibi/Prishtinë

Këtë vit u mbushën 550 vjet nga vdekja e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Ndonëse kanë kaluar 5 shekuj nga vdekja, figura e tij akoma hap debate. Roli historik i Skënderbeut është i vlefshëm edhe sot në jetën e shqiptarëve. Viti 2018 nga qeveritë shqiptare është shpallur si “Viti i Skënderbeut”, duke organizuar aktivitete të ndryshme, konferenca e simpoziume shkencore, ligjërata e leksione, ekspozita e botime, i shoqëruar me aktivitete tjera të karakterit edukativo-kulturor, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Se sa është unifikues e identifikues për shqiptarët figura e tij flasin edhe historianët kosovarë.

Historiani Gjon Berisha, e cilëson figurën e Skënderbeut si element identifikues dhe përbashkues për shqiptarët. Sipas tij, Skënderbeu hyri në skenën e historisë në një moment tepër kritik për Arbërinë dhe për fatin e Evropës. “Periudha e veprimtarisë së tij me të drejtë identifikohet me emrin e heroit tonë kombëtar si Epoka e Skënderbeut, emër, i cili siç tregojnë dokumentet e shumta të shek. XVI-XVII, u ruajt i paharruar për shekuj në mendjen e shqiptarëve kudo që vepronin”, është shprehur për “Zërin” Berisha. Historiani cilëson se figura e Skënderbeut për të gjithë arbërit, qoftë në jug ose në veri, të krishterë ose mysliman, pas vdekjes së tij ishte dhe mbeti referencë historike në kujtesën e tyre dhe motiv për të vazhduar së bashku në luftën për liri në shekujt e parë të sundimit osman, por edhe më vonë. Berisha thotë se personaliteti i tij historik ka qenë sugjestiv, jo vetëm gjatë bashkimit të fisnikëve arbërorë në Kuvendin e Lezhës më 1444 ose gjatë dëbimeve të turqve, por edhe atëherë kur ua ka falur tradhtinë bashkëpunëtorëve të vet më të afërt si Moisi Golemit dhe nipit të vet Hamza Kastriotit. Njëherësh lartësohet dhe personaliteti i tij dhe historiani thotë se fytyra e tij ka mbetur sugjestive edhe pas vdekjes së tij fizike dhe se fuqia e tij nuk u shua as në varr. “Menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut u ndie mungesa e udhëheqjes unitare që ishte realizuar në të kaluarën me pushtetin shtetëror në dorën e Skënderbeut. Prandaj, kuptohet, përse për shqiptarët, sidomos në fillim, rivendosja e principatës së Kastriotëve donte të thoshte mundësi e bashkimit të përgjithshëm të shqiptarëve”, thekson Berisha.

Ai potencon se kur shqiptarët donin t’i prezantonin Evropës se ç’përfaqësonin ata dhe lufta e tyre i dilnin para me emrin e me traditën e Skënderbeut dhe mund të ishin të sigurt për efektin. “Shqiptarët e dinin se në Evropë forca e popullit shqiptar, e udhëhequr nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kishte qenë shikuar si shtyllë graniti mbi të cilën mbështetej shpresa për shpëtimin e vendit nga vërshimi osman. Nuk ka dyshim se një nga faktorët e rëndësishëm që ka shërbyer si element mobilizues, përbashkues dhe që i bëri shqiptarët kaq të qëndrueshëm përballë shumë vështirësish ka qenë edhe ajo traditë e luftës për liri, që kishte qenë konkretizuar veçanërisht në kohën e Skënderbeut dhe që e lidhte të kaluarën me detyrat e kohës”, ka rrëfyer historiani Berisha për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, ajo që e ka bërë të veçantë figurën e Skënderbeut është se ai u kthye në një katalizator të ndërgjegjes kombëtare për të gjithë shqiptarët. Shqiptarët ndiheshin shqiptarë për shumë arsye të tjera, por ndiheshin të tillë edhe për arsyen se ishin bashkëkombës të heroit. “Fakti që vetë Skënderbeu kishte kaluar nëpër të gjitha përvojat fetare e lehtësonte pa dyshim pranimin e tij si referencë e të gjithëve, pa dallim besimi. Qysh në vitin 1610 argjipeshkvi i Tivarit, Marin Bici, rrëfen se bëmat e Kastriotit kundër turqve tregoheshin e këndoheshin në tubimet e besimtarëve katolikë, ku shpeshherë ishin të pranishëm edhe shqiptarët myslimanë. Ndërkohë Skënderbeu ishte njëherësh edhe heroi i shqiptarëve myslimanë dhe në prag të Rilindjes Mahmud Pashë Bushatliu, njëlloj si Idar Maneshi, më 1607-n e shpalli veten pasardhës të Skënderbeut dhe shprehej hapur se do ta imitonte atë në gjithçka”, tha ai.  

Duke komentuar organizimet që janë bërë në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”, Berisha thotë se janë thënë gjëra të reja e janë sjellë edhe dokumente, edhe të dhëna të reja të panjohura më parë. Po ashtu ka pasur edhe interpretime të reja dhe qasje më ndryshe nga ato që janë thënë më herët. Pra nuk kanë qenë vetëm aktivitete dhe konferenca rutinë. “Megjithatë duhet theksuar se në krahasim me të kaluarën ka një rënie të interesimit për t’u marrë me fushën e studimeve shoqërore, sidomos nga fusha e albanologjisë dhe e ballkanologjisë në përgjithësi. Dhe kjo rënie interesimi nuk është ndonjë rast i veçantë për shqiptarët, por në përgjithësi ky mosinteresim për t’u marrë me mesjetën është i vërejtshëm edhe në universitetet më të njohura të Evropës, sidomos pas viteve ’90-ta të shek. XX”, potencoi ai.

Sikurse historiani Gjon Berisha edhe Bedri Muhadri, historian, e lartëson rolin historik të Skënderbeut, ku thotë se është i shumanshëm në historinë shqiptare dhe se ky rol historik qëndron fuqishëm në bashkimin e vendit. Sipas tij, ai është bërë simbol i atëhershëm dhe i tanishëm për luftë të pakompromis për lirinë e vendit. “Frymëzimi i Epokës së Skënderbeut është shprehur çdoherë në çdo organizim të popullit shqiptar për liri që nga ajo kohë e deri në krijimin e shtetit shqiptar të Konferencës së Londrës 1913 dhe krijimit të shtetit të Kosovës. Personaliteti i Skënderbeut është figura më unifikuese, më domethënëse dhe më e shquar e shqiptarëve në historinë e saj mijëvjeçare. Duhet thënë me të drejtë, atëherë dhe sot personaliteti i Skënderbeut është emblema e identitetit kombëtar dhe vepra e tij i ka dhënë identitet evropian popullit të vet”, ka cilësuar Muhadri.

Historiani Muhadri ngre lart edhe aftësitë politike e ushtarake të Skënderbeut, ku thotë se, “arriti që së pari t’i bashkojë princërit shqiptarë në marrëdhënie politike e ushtarake, me qëllim që të mbrojë dhe të luftojë çdo pushtues e ata ishin Perandoria Osmane dhe Republika e Venedikut. Ky bashkim u realizua në Kuvendin e Lezhës në mars të vitit 1444. Ky kuvend hartoi programin e luftës së përbashkët shqiptare, bashkimin e potencialit ekonomik dhe njerëzor në mbrojte të tokave shqiptare nga pushtues të huaj”, ka thënë Muhadri.

Në anën tjetër, historiania Teuta Shala, thotë për “Zërin” se Skënderbeut duhet të jetë mishërim dhe model që dëshmon  unifikimin.

“Si rezultat i veprave të tij, roli historik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut është vlerësuar dhe lartësuar jo vetëm tek  shqiptarët por edhe më gjerë, ngase me bëmat e tij Skënderbeu kontribuoj në mbrojtjen e vlerave të civilizimit evropian të kohës në të cilën jetoj dhe veproi, duke ju bërë ballë sulmeve të njëpasnjëshme të ushtrisë osmane. Duke qenë i paisur me këto atribute  me të drejtë konkludojmë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ka qenë, është dhe do të mbetet njëra nga figurat më unifikuese dhe identifikuese për Shqiptarët, në të gjitha viset ku ata jetojnë dhe veprojnë. Po ashtu, edhe në ditët e sotme  mendojmë se figura e Skënderbeut duhet të jetë mishërim dhe model që dëshmon  unifikimin jo vetëm në aspektin historik por edhe në atë politik, kulturor e më gjerë tek të gjithë shqiptarët”, thekson Shala.

Vepra patriotike e Skënderbeut ka inspiruar breza të tërë, u thurën këngë në popull, u emëruan sheshe, rrugë, shkolla dhe u ngritën buste. Kur po kujtohet 550-vjetori i vdekjes së tij, kujtohet roli i tij përbashkues dhe figura e tij që ka marrë përmasa evropiane.

Image