Përurohet libri i Avni Deharit për Ali Aliun - Kelmendin

Kultura November 10, 2018 - 11:05
Lexo tjera detaje

Të premten në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës u përurua libri me titull “Ali Aliu-Kelmendi - Ringjallja e Prometeut”, i shkruar nga Avni Dehari. Libri përmbledh një mori kapitujsh, ku trajtohen tema të ndryshme të çështjes kombëtare, duke filluar nga veprimtaria e Ali Aliut. Gjatë fjalës së tij me rastin e promovimit të librit autori Dehari tha se marrja e vendimit për të shkruar librin për këtë atdhetar e ka përcjellë edhe me shqetësim e përgjegjësi se nuk mund ta përshkruajë veprimtarinë e gjerë të këtij kolosi. Ne përurimin e librit Dehari rrëfeu se si u njoh me Ali Preshevën dhe elaboroi shkurt disa nga rrëfimet për të, shkruan Gazeta "Zëri".

“Për bacën Ali Aliu-Kelmendi, ose siç e thërrasin shqiptarët që janë larg Preshevës Ali Presheva, kisha dëgjuar që fëmijë në rrethin familjar. Emri i këtij burri, që po vuante dënimin nëpër burgjet jugosllave për veprimtarinë e dendur patriotike, zihej në gojë me nderim te madh”, tha Dehari, i cili me tutje tregoi se përderisa ishte në Zvicër kishte lexuar në “Zërin e Kosovës” poezinë me titull “Qytezës sime” të Aliut.
“Në faqet e këtij organi për herë të parë mësova se ky burrë, që shquhej si luftëtar i madh i çështjes kombëtare, ka shkruar edhe poezi”, u shpreh Dehari. Dehari tregoi se si në librin e tij e ka paraqitur rolin e Aliut të përafërt me atë të figurës mitologjike të Prometeut. “Me ringjalljen e Prometeut kam dashur të tregoj se përderisa Prometeu ua vjedh zjarrin perëndive për të mirën e njerëzve, njëjtë edhe Ali Aliu ka bërë me lëvizjet për çështje kombëtare. Ai ka pranuar ndëshkimin, torturimin për të mirën e njerëzve e kjo më ka bërë ta quaj ringjallje”, sqaroi Dehari. Më tutje Dehari u shpreh se Aliu është një personalitet i veçantë i Kosovës Lindore. “Gjatë burgut ka pasur qëndrime dinjitoze, ka përjetuar ndëshkime, tortura, ka qenë në burgjet më të këqija të ish-Jugosllavisë. Ka përjetuar edhe tmerret më të mëdha në burgjet e Goli Otokut, nuk është dorëzuar, nuk është ligështuar. Parësore për të ka qenë çlirimi dhe bashkimi kombëtar dhe deri në vdekje ka mbetur besnik i asaj që ka thënë”, përfundoi kështu fjalimin e tij Dehari.

Në anën tjetër, gjatë këtij promovimi kryetari i Shoqatës së të Burgosurve të Kosovës, Hidajet Hyseni, ka thënë para të pranishmëve se figura e Ali Aliut dhe veprat e tij janë në mendjet e në zemrat tona me kauzën tonë në të djeshmen, në sotmen dhe të në ardhmen. Në emër të familjes Aliu fjalën përshëndetëse e mori nipi i Ali Aliut, Eneu Aliu. “Kam kënaqësinë që në emër të familjes të përshëndes këtë përurim të librit për gjyshin tim, për të cilin jemi shumë krenarë. Po ashtu shpreh krenarinë dhe lumturinë që në jetën time arrij t’i lexoj rrëfimet të cilat na  ka sjellë axha ynë, Avni Dehari. Momentet e kaluara me gjyshin tim, siç unë e quaj ‘Baba Ali’ dhe leximi i librave të axhës Avni e bëjnë gjyshin pjesë të paharrueshme të fëmijërisë sime”, ka thënë Eneu.

Ali Aliu, i biri i Ymer Efendiut, ka qenë i përfshirë në lëvizjen kombëtare dhe ka pasur kontakte me Idriz Seferin, Nexhmi Dragën dhe me shumë figura të asaj kohe që janë marrë me çështjen kombëtare. D. E./ZËRI