Dibra prezanton 'Dashuritë e virgjëreshës Madalenë'

Kultura November 10, 2018 - 11:02
Lexo tjera detaje
Image

I mbështetur mbi një monodramë të hershme të autorit, por me ndryshime thelbësore në strukturë e në përmbajtje vjen romani i ri i shkrimtarit Ridvan Dibra, me titullin “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, i cili do t’i paraqitet lexuesit pas pak ditësh. Romani do të dalë në shitje në Panairin e Librit në Tiranë, që sivjet mbahet mes datave 14  dhe 18 tetor. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Ounfri”.

Për gazetën “Zëri” shkrimtari shkodran Ridvan Dibra ka bërë të ditur se në qendër të veprës është fati i një femre me emrin Madalenë, i përqendruar në tri periudha të rëndësishme e vendimtare të jetës së saj: në moshat 15, 25 e 40 vjeçe, ku përcaktuese bëhet sidomos etapa e parë, ajo e adoleshencës. “Pikërisht në këtë periudhë problemi numër një i Madalenës, shqetësimi i saj kryesor bëhet humbja e virgjërisë.  Dhe këtu nis tjetërsimi e absurdi i këtij karakteri: Madalena nuk e vuan virgjërinë si fakt në vetvete (ajo është e zënë me mjaft angazhime shkollore - artistike), por sepse në grupin e saj prej pesë shoqesh vetëm ajo deklarohet e virgjër. Duke qenë e tillë, domethënë e virgjër, ajo tallet e përbuzet vazhdimisht nga shoqet e saja, tallje e përbuzje që veçse shtohen dhe ia bëjnë ferr ekzistencën. Në rrethana të tilla ajo vendos të kërkojë ndihmë. Po ku?  Institucionet që mund t’i gjendeshin pranë e ta ndihmonin, si familja, shkolla e shoqëria, janë në krizë të plotë e të denatyruara. Derisa Madalena vendos një ditë: të zhvirgjërohet!  Krejt pa dëshirën e saj. Në rastin më të parë që do t’i krijohet. Dhe ai rast paraqitet diku në banjat e pista të shkollës së saj. Kështu ajo që duhej të ishte përvoja e parë, e bukur dhe e papërsëritshme në jetën e kësaj adoleshenteje 15-vjeçare, kthehet në një akt mekanik, banal e vulgar”, ka treguar shkrimtari.

Nën shenjën e këtij “vendimi” të hershëm e të detyruar (të tjerët, koha e mjedisi) përmes episodesh e situatash sa absurde e groteske, aq edhe tragjikomike, në një trajtim thuajse përherë ironik e parodik, pasqyrohen edhe dy etapat e tjera nga jeta e Madalenës, por dhe e katër shoqeve të saja dhe në fund të romanit lexuesi ndoshta pyet: Ishte jeta dhe fati i një femre me emrin Madalenë? A jeta dhe fati i femrës shqiptare? Apo jeta dhe fati i femrës në përgjithësi? 

Përtej fabulës interesante e tejet provokuese Dibra në gjurmët e veprave të tija më të mira na sjell një roman të strukturuar saktë e bukur, me gjuhë e fraza të përpunuara plot ndjeshmëri e hijeshi. Ndërtimi i rrëfimit në vetën e parë, përfshirja e vetë autorit (Ridvan Dibra) si personazh në vepër, komunikimet e shpeshta e të drejtpërdrejta të heroinës me lexuesit e vet etj. janë disa prej elementeve të tjerë, që besojmë se do të zgjojnë interesim e vëmendje. 

Përveçqë libri do të jetë në duart e lexuesve, shkrimtari Ridvan Dibra ka bërë të ditur se publiku në Kosovë këtë vepër do ta kenë rastin ta shohin edhe të vënë në skenën e teatrit.

“Për kureshtjen e lexuesve, bëj me dije se monodrama ‘Dashuritë e virgjëreshës Madalenë’, mbi të cilën edhe është mbështetur ky roman, do të vihet në skenë nga regjisori kosovar Ben Apolloni dhe aktorja Arjola Demiri”, ka njoftuar ai.

Romani i parë me të cilin Ridvan Dibra u paraqit para lexuesit shqiptar titullohet “Nudo”. Pas tij ai ka publikuar edhe disa të tjerë, si “Stina e ujkut”, “Të lirë dhe të burgosur”, “Stina e maceve”, “Legjenda e vetmisë”, “Gjurmë mbi borë” e të tjera.

Pasi ka shënuar sukses ndër lexues të shumtë në Shqipëri, ku është vlerësuar në rrethe të ndryshme intelektuale, si dhe gjatë promovimeve të disa prej romaneve të tij, krijimtaria e Ridvan Dibrës është nderuar me çmime kombëtare e mbarëkombëtare. Pjesë nga krijimtaria e tij janë bërë të njohura edhe në rrethet letrare jashtë vendit, të cilat janë përkthyer në gjuhët gjermane, italiane, maqedonase e malaziase.

Image