Filmi për Lazaratin vjen në Cineplexx, biletat në shtije për ‘The Brave’

Kultura October 12, 2018 - 16:14

Një film i frymëzuar nga ngjarjet e Lazaratit me një produksion holivudian dhe me një kastë aktorësh amerikanë, rusë e shqiptarë po prezantohet para shikuesve në Kosovë, shkruan zeri.info.

Filmi “The Brave” ka arritur tashmë në rrjetin e kinemasë austriake në Prishtinë, “Cineplexx”. Gjatë ditës së premte ky film është dhënë premierë para mediave për derisa para shikuesve do të jetë në dispozicion që nga e dita e shtune.

Pas shfaqjes para mediave në një konferencë para gazetarëve dolën aktori i mirënjohur shqiptar Mensur Safqiu, si dhe producent i filmit Mark Crawford.

Aktori Safqiu u shpreh i kënaqur me rolin e tij dhe me realizimin e këtij filmi përgjithësisht.

“Jam shumë i kënaqur që kjo kinema e qytetit, me këtë menaxhment të mirë dhe profesional që po e prezantojnë këtë film. Është një projekt për të cilin i falënderohem Markut, producentëve të tjerë dhe gjithë ekipit. Është një nismë shumë e mirë dhe një film i realizuar në mënyrë shumë profesionale”, theksoi Safqiu.

Në anën tjetër edhe producenti Mark Crawford theksoi se qëllimi ishte që të paraqitej edhe ana pozitive e Shqipërisë, e jo sic jemi mësuar ta shohim nëpër filma.

“Ne deshëm të bëjmë një film fiksion dhe jo në dokumentar. Ky projekt për mua ishte një projekt pozitiv. Përpara ne jemi mësuar t’i shohim shqiptarët vetëm në role negative, por në këtë film kemi inkuadruar edhe forcat RENEA dhe punën që bëjnë për luftimin e krimit”, theksoi producenti. Ai u zotua se së bashku me ekipin po angazhohen që filmin ta promovojnë në sa më shumë festivale dhe në sa më shumë kinema në shtete të ndryshme.

Për këtë arsye edhe filmi është realizuar në gjuhën angleze. Siç bëri të ditur procudenti Crawford buxheti i këtij filmi ka kapur shifrën 1.5 milion euro dhe xhirimet janë bërë kryesisht në Shqipëri e Bulgari. Në anën tjetër, mbrëmjen e së premtes “Cineplexx” organizon një shfaqje private të filmit, ku të ftuar janë shumë fytyra të njohura publike në vend. Zëri