Kori i femrave 'Siparantum' udhëton drejt Kroacisë

Kultura October 12, 2018 - 11:19

Kori i femrave nga qyteti i Pejës "Siparantum" do të udhëtojë përsëri në Kroaci, me ç'rast do të paraqitet në sallën më të njohur të vendit "Hrvatski Glazbeni Zavod", Zagreb. Ky kor do të paraqitet para publikut më 20 tetor, shkruan sot gazeta "Zëri".

"Ky koncert për ne është më ndryshe, meqë kësaj radhe udhëtojmë vetëm me korin e femrave dhe programi është krejtësisht më ndryshe se herëve të kaluara. Do të paraqitemi me një program të larmishëm nga kompozitorë të njohur botërorë e shqiptarë dhe kjo dëshmon punën tonë të vazhdueshme dhe dita-ditës repertori ynë po bëhet më i pasur, dëshmi e punës së korit ‘Siparantum’. Puna nuk ka qenë punë aspak e lehtë, meqë ne është dashur të ndërtojmë një program krejtësisht të ri, për këtë u jam mirënjohës gjithë amtareve të korit për sakrificën e tyre”, u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i korit.

Koropetitor i programit është Agron Shujaku, pianist i njohur nga Prishtina, kurse koncerti organizohet nga Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare i qytetit të Zagrebit.

Në kuadër të korit të qytetit të Pejës "Siparantum" funksionon edhe kori i fëmijëve, kori i meshkujve dhe kori i përzier e orkestra kamerale. Kori “Siparantum” u themelua në bazë të një trashëgime artistike të këndimit koral në Pejë. Kori u krijua nga vullneti i lirë i qytetarëve nga zona dhe kategori të ndryshme, pavarësisht nga mosha, gjinia, raca, feja dhe statusi shoqëror, me ëndrrën dhe me angazhimin e njëjtë – për të dhënë dashuri, besim dhe shpresë duke i kënduar të gjithë atyre që besojnë në një të ardhme më të mirë të botës. Gjithashtu ky kor ka një tjetër qëllim të rëndësishëm – të promovojë Kosovën në rajonin e Ballkanit dhe në mbarë botën përmes muzikës artistike dhe ndërkombëtare të përbërë nga kompozitorë të mirënjohur nga shekujt e kaluar e deri në ditët e sotme.

Dirigjent permanent i korit është Memli Kelmendi. “Siparantum” gjithashtu u nderua për t’u drejtuar nga kompozitori dhe dirigjenti kroat Josip Degl’ Ivellio. Kori në strukturën e tij artistike përbëhet nga performues solo, kori i fëmijëve, kori i femrave, kori i përzier dhe orkestra kamerale.

“Siparantum” ka performuar me sukses disa vepra korale të kompozitorëve të njohur: Bach, Mozart, Eric Whitacre, Presiner, Jake Runestad etj., i përcjellë nga një koreografi atraktive. Me shumë sukses është paraqitur në aktivitete të shumta kulturore brenda vendit dhe festivale të muzikës: DAM, “ReMusica”, festivali internacional i korit të grave “Lira” etj.

Kori “Siparantum” sot konsiderohet si kori më me zë në kohën e fundit në medie. Së fundmi u ftua të jetë pjesë e festivalit ndërkombëtar të koreve “Nancy Voix Du Monde”, në Francë, ku Kosova është paraqitur për herë të parë në këtë festival. Në Francë kori “Siparantum” performoi në këto salla të njohura të vendeve të ndryshme: “Le Temple Protestant de Nancy”, “Héré”, “Grands Salons de ville”, “Lunéville”, “Cathédrale Notre-Dame-de-l’Annonciation et Saint-Sigisbert”, pastaj në “Hrvatski Glazbeni Zavod” dhe “Mimara”, Zagreb, Kroaci. Zëri