I jepet lamtumira lirkut Fatos Arapi

Kultura October 12, 2018 - 11:16
Image

 

Një nga zërat e dalluar të letrave shqipe, poeti e shkrimtari Fatos Arapi ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Arapi vdiq mbrëmjen e 10 tetorit, kurse prej 10 vjetësh ai ishte i sëmurë pasi kishte pësuar një hemorragji cerebrale. Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Arapi lindi më 1930 në Zvërnec të Vlorës, ndoqi studimet për ekonomi në Sofje, mandej punoi në Tiranë në fillim si gazetar dhe më vonë për një kohë të gjatë si pedagog. Fatos Arapi, bashkë me Ismail Kadarenë dhe me Dritëro Agollin, bën pjesë në ata poetë që sollën një kthesë të rëndësishme në poezinë shqiptare të viteve ’60-a. Arapi solli në këtë poezi elemente të modernizmit, madje të hermetizmit. Ai u orientua nga poezia filozofike. Veçanërisht origjinale janë dy përmbledhjet e tij të para poetike “Shtigje poetike” (1962), “Poema dhe vjersha” (1966), “Ritme të hekurta” (1968) është më konformiste. Më 1971 i botohet në Prishtinë vëllimi “Kaltërsira”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Vëllimin “Më jepni një emër” ia ndaloi diktatura. Pas tij ai shkroi vëllimet: “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Fatet” (i botuar në Prishtinë më 1979), “Duke dalë prej ëndrrës” (1989). Në anën tjetër pas rënies së diktaturës botoi vëllimet: “Ku shkoni ju statuja”, Tiranë 1990, “Dafina nën shi”, Tiranë 1991, “Ne, pikëllimi i dritave”, Tiranë 1993, “Unë vdiqa në brigjet e Jonit”, Shkup, 1993, “Më vjen keq për jagon”, Tiranë 1994, “In tenebris”, Tiranë 1996. Fatos Arapi është një poet që parapëlqen temat ekzistenciale dhe një nga poetët e rrallë shqiptarë që trajtojnë në poezinë e tyre temën e detit. Ka shkruar edhe romanet “Dhjetor i shqetësuar” (1970), “Dikush më buzëqeshte” 1972, i ribotuar në Prishtinë më 1973, “Shokët”, 1974, “Deti në mes”, 1986 dhe novelat “Patat e egra” (1970) e “Cipa e dëborës”. Arapi ka shkruar edhe vëllime me kritikë letrare.

Për vdekjen e Arapit familjarëve, miqve e dashamirëve ngushëllime u ka shprehur edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

“Me hidhërim të thellë e mësova lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të poetit, shkrimtarit e përkthyesit Fatos Arapi. Vepra e tij e pasur dhe kontributi i jashtëzakonshëm do të mbeten unike në letërsinë shqipe si dëshmi e një individualiteti me kontribute të vyera. I veçantë dhe i paharruar do të mbetet për mua takimi me të, kur student 20-vjeçar e ftova për një bisedë me një grup studentësh të Fakultetit të Ekonomisë. Thjeshtësia, modestia dhe mirësia e tij në komunikim na la mbresa të veçanta të gjithëve dhe e bëri figurën e tij edhe më shumë të dashur për të gjithë ne.

Këto cilësi i jepnin një vend e një dimension të veçantë në raportet njerëzore e shoqërore, pasi vepra e tij fliste vetë. Ndaj dhimbjen e thellë për humbjen e këtij njeriu të veçantë dhe i përcjell ngushëllimet më të thella të gjithë familjarëve dhe të afërmeve të tij. I përcjell ngushëllimet gjithë miqve, bashkëpunëtorëve, kolegëve dhe lexuesve të të paharruarit Fatos Arapi”, është shprehur Meta në mesazhin e ngushëllimit.

Me dhimbje lajmin për vdekjen e Arapi e kanë pranuar edhe miqtë e kolegët. Shkrimtari shkodran Agron Tufa shkruan se Arapi vdiq në kohën më të bukur kur nuk do të donte të vdiste, po të kemi parasysh një ndër titujt e veprave të tij "Nuk vdes shpirti në tetor".

“Sot u nda prej nesh poeti Fatos Arapi. Një zë origjinal në poezinë shqipe, me një gjuhë, stil e vokacion të spikatur individual. Flamur në gjysmështizë për kulturën shqipe. Ai vdiq në kohën më të bukur kur nuk do të donte të vdiste, po të kemi parasysh një ndër titujt e veprave të tij - "Nuk vdes shpirti në tetor", për të mbetur i pavdekshëm në rima e ritme poetike, një referencë e fuqishme në poezinë moderne shqipe. Sidomos në pjesën ku nuk i pagoi ‘taksë’ regjimit”, shprehet Tufa.

Në një intervistë të dhënë vite më parë gazetares Vera Pelaj, Fatos Arapi thoshte: “Dëgjoj shumë andej e këndej pesimistë që flasin rreth letërsisë në përgjithësi dhe rreth poezisë. Por unë nuk jam pesimist. Unë mendoj se letërsia ecën. Po krijohen emra, po vijnë gjenerata të tjera dhe poezia nuk do të mbetet në mes të rrugës. Përkundrazi, me traditën që është krijuar tanimë dhe me tendencat e shumëllojshme të larmishme që janë krijuar me një teknologji krejt të re, poezia do të shkojë përpara. Pastaj, fakti është që në përgjithësi letërsia shqiptare tashmë e ka të qartë synimin e saj drejt lirisë së njeriut, drejt të drejtave njerëzore të njeriut, në përgjithësi, sigurisht të kombit shqiptar dhe të njeriut shqiptar, në veçanti, mendoj se kjo letërsi është në rrugë të drejtë. Nuk duhet të jemi pesimistë. Unë jam optimist. Natyrisht në moshën time dhe me sëmundjen që kam nuk mund t’i ndjek të gjithë, por jam optimist dhe ata ecin, ecin”. Ai shtonte se letërsia ka ligjet e veta dhe me një moment të caktuar, atje ku ti nuk e pret, del një talent, i cili bën sintezën, bën përgjithësimin e një plejade të tërë, e cila ka punuar.

Shuarja e Arapit është një humbje për shoqërinë shqiptare, por vepra e tij ka vendin e vet të pazëvendësueshëm në historinë e letërsisë shqipe. Zëri