'Ec...' konsideron se po rrezikohen gjurmët e trashëgimisë së Prishtinës

Kultura October 04, 2018 - 10:45

Organizata “Ec ma ndryshe” konsideron se procesi i përcaktimit të lokacionit për sallën koncertale është jotransparent për publikun dhe rrënimi eventual i ndërtesës së ish-“Gërmisë” për akomodimin e një funksioni të ri do të cenonte vlerat e trashëgimisë së qytetit të Prishtinës dhe është në kundërshtim me parimet universale të trashëgimisë për mbrojtjen e shtresimeve historike të qyteteve, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sipas “Ec ma ndryshe”, ish-shtëpia e mallrave “Gërmia” si për nga arkitektura, ashtu edhe për nga momentumi shoqëror paraqet një nga ndërtesat më të rëndësishme të Prishtinës së pas-Luftës së Dytë Botërore. “Ajo përfaqëson një nga shembujt (e mbetur) të trashëgimisë moderne të qytetit dhe për nga tipologjia funksionale është qendra e parë tregtare në Prishtinë. Pastërtia gjeometrike e volumeve që formësojnë ndërtesën dhe tekstura tejet origjinale e fasadave të saj paraqesin vlera unike arkitektonike, të cilat medoemos duhet të ruhen për të shenjëzuar një periudhë të rëndësishme të arkitekturës kosovare, por edhe të zhvillimit shoqëror të Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.

 Duke pasur parasysh vlerat historike, artistike, shkencore, shoqërore, edukative, ekonomike, funksionale, të raritetit dhe të identitetit që bart kjo ndërtesë dhe duke u bazuar në raportet mediale se ndërtesa rrezikon të rrënohet për shkak të ndërtimit të sallës koncertale “Ec ma ndryshe” të premten e kaluar, më 28 shtator 2018, së bashku me “DoCuMoMo Kosovo” dhe me organizatat tjera të shoqërisë civile kanë dorëzuar një kërkesë për përfshirjen e ndërtesës së ish-“Gërmisë” në Listën e Trashëgimisë Kulturore të Mbrojtur në Ministrinë e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit e institucioneve vartëse të saj. Qëllimi i kësaj iniciative është që të jepet mundësia e diskutimit publik për rëndësinë e kësaj kategorie të ndërtesave, si dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme institucionale për futjen e kësaj ndërtese në Listën e Pasurive Kulturore me Mbrojtje të Përhershme.

 “Ec ma ndryshe” përkujton që në bazë të Ligjit në fuqi për Trashëgimi Kulturore Nr. 02/L-88 dhe të Rregullores mbi Regjistrimin, Dokumentimin, Vlerësimin dhe Përzgjedhjen e Trashëgimisë për Mbrojtje Nr. 05/2008, çdo ndërtesë e propozuar për mbrojtje nga personat fizikë ose juridikë me automatizëm gëzon statusin e mbrojtjes së përkohshme dhe hyn në proces të vlerësimit për mbrojtje të përhershme.

Në këtë reagim “Ec ma ndryshe” kërkon urgjentisht nga Komuna e Prishtinës ta bëjë transparente punën e komisioneve dhe të grupeve punuese për hartim të këtij projekti, si dhe të organizojë diskutim publik për këtë projekt kapital me interes publik. Ata theksojnë se nuk e kundërshtojnë ndërtimin e sallës koncertale dhe të akomodimit të nevojave të komunitetit artistik të Kosovës, por kërkojnë nga Komuna e Prishtinës dhe nga Bashkimi Evropian (si bashkëfinancues i projektit) të argumentojnë arsyeshmërinë e përzgjedhjes së lokacionit të ndërtesës dhe lokacioni i përzgjedhur të mos i cenojë vlerat e trashëgimisë kulturore, duke zhdukur shtresimet historike të qytetit të Prishtinës. Zëri