Vazhdon rrugëtimi ndërkombëtar i 'Nëntorit të ftohtë'

Kultura October 03, 2018 - 10:22
Image

Filmi “Nëntori i ftohtë” (Cold November) i regjisorit Ismet Sijarina ka vazhduar rrugëtimin e tij nga Festivali i San Sebastianit drejt tjetrit festival në Zvicër. Më 1 tetor ky film u prezantua në Festivalin e Filmit në Cyrih para publikut zviceran. Me duartrokitje të gjata nga publiku u prit ekipi i filmit pas shfaqjes në këtë festival, shkruan sot gazeta "Zëri".

Regjisori Ismet Sijarina dhe producenti Fatmir Spahiu kanë treguar para të pranishmeve se pse kanë zgjedhur për filmin e tyre një ngjarje e cila ndodhi gjatë viteve ’90-a, para luftës së Kosovës.

“Ne kemi nisur këtë film para pesë vjetësh për të treguar historinë për njerëzit që nuk e dinë. Njerëzit mendonin se në vitet ’90-a historitë ishin vetëm për luftë, por kishte edhe histori tjera shumë të rëndësishme. Njëra ndër to ishte edhe kjo histori. Shumë refugjatë erdhën nga Kosova në Zvicër dhe në vendet tjera. Këto janë fragmente nga jeta ime si fëmijë. Më pas e kam thirrur Bufin për të bërë këtë film, për të treguar historinë. Jam i kënaqur me rezultatin në fund”, ka thënë ndër të tjera regjisori Sijarina.

Filmi “Nëntori i ftohtë” shfaqet në kinematë e Cyrihut gjatë muajit tetor. Premiera në Cyrih është shfaqur të hënën më 1 tetor në kinemanë “Arthouse Piccadilly”, në Cyrih dhe ka vazhduar në “Riffraff 1” më 2 tetor. Në kinemanë “Corso 2” shfaqet më 5 tetor dhe të dielën më 7 tetor në “Filmpodium”.

Filmi “Nëntori i ftohtë” (Cold November) i regjisorit Ismet Sijarina ka tërhequr vëmendjen e magazinës më të madhe të filmit në Evropë "Cineuropa". Në një intervistë dhënë për këtë magazinë, Sijarina ka folur më detajisht për periudhën kohore në të cilën është e vendosur ngjarja në filmin e tij.

“Filmi bazohet në disa ngjarje të vërteta. Historia zhvillohet në fillim të viteve ’90-a, kur situata në vendin tim ishte katastrofë. Institucionet ishin të shkatërruara dhe qytetarët, veçanërisht shqiptarët, ishin thjesht ekzistent, ndërsa qeveria e re e ngritur nga Beogradi po përhapte frikë dhe dhunë, me qëllim që t’i bindte njerëzit se mënyra e vetme për të mbijetuar dhe për të jetuar në Kosovë ishte nëse vepronin si thoshin ata. Për vite me radhë shqiptarët u rezistuan atyre duke krijuar institucione paralele që ishin unike në botë dhe për shkak të presionit të vazhdueshëm ata u bashkuan fort. Prandaj, çfarëdo vendimi u morr, ata e ndoqën atë verbërisht, edhe nganjëherë vendimet do të rezultonin të gabuara. Pra, po, historia e nëntorit të ftohtë përbëhet nga imazhe nga fëmijëria ime dhe është shkruar nga unë si një njeri i rritur, së bashku me bashkautorin Arian Krasniqi”, ka treguar Sijarina.

Filmi flet për Fadilin (36), një arkivist në ndërmarrje shtetërore, i cili i gjendur në një situatë të vështirë duhet të zgjedhë ndërmjet dy opsioneve, që të dyja të gabuara: vendimi për të qenë patriot ose baba i përgjegjshëm. Rolin e tij e sjell aktori Kushtrim Hoxha. Përveç tij, në kastën e vet filmi i Sijarinës ka mbledhur njëfarë ajke të aktorëve kosovarë. Adriana Matoshi, Majlinda Kosumoviç, Fatmir Spahiu, Bislim Mucaj e Lum Veseli paraqiten te “Njeriu i dosjeve” me rolet e tyre.Në anën tjetër, regjisori ka sjellë edhe aktorët e famshëm nga Bosnja, Emir Haxhihafizbegoviç, fitues i “Luanit të Artë” e gjithashtu edhe aktoren Gordana Boban.

E veçanta e këtij filmi është edhe përfshirja e muzikës, për të cilën është përkujdesur Petrit Çarkaxhiu nga rok-grupi “Jericho” dhe këngët, e kënduara pikërisht nga Kushtrimi, janë xhiruar live në set. Filmi “Njeriu i dosjeve” është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kinematografike e Shqipërisë, “Buka Producion”, hoteli “Emerald” e të tjerë. Zëri