Nexhmije Pagarusha me status të meritave të veçanta

Kultura October 02, 2018 - 15:17
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Pas propozimit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga sot Nexhmije Pagarusha do të ketë statusin e qytetares me merita të veçanta për shkak të kontributit të saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë ministri Gashi dha propozimin që bilbilit të këngës shqipe, Nexhmije Pagarushës, t’i njihet statusi i qytetares me merita te veçanta për kontributin e saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe duke përfshirë edhe mbështetjen financiare të saj siç është përcaktuar në propozim-vendim në vlerë prej 500 euro në muaj.

Në fjalën e tij, ministri Gashi tha: “Nexhmije Pagarusha siç njihet në popull bilbili i muzikës shqipe, me paraqitjet e saj në shumë vende të botës bëri që karriera e saj të jetë e bujshme, duke përfaqësuar kësisoj Kosovën dhe përçuar vlerat dhe traditat e vendit tonë. Ajo interpretoi në festivale dhe skena të njohura ndërkombëtare, duke interpretuar edhe vepra të përkthyera në gjuhën shqipe, si ato të Bethovenit etj.”.

Po ashtu, ministri Gashi foli edhe rreth “Bareshës” duke theksuar se “Nexhmije Pagarusha në krijimtarinë e vet muzikore mendohet t’i ketë interpretuar mbi 150 këngë ku shumicën nga këto ia kushtoi vendit dhe dashurisë duke filluar nga Kryevepra ‘Baresha’ që me interpretimin e saj i paraqiti vlerat e artit dhe kulturës, edhe në atë kohë kur muzika shqipe dëgjohej dhe kultivohej shumë pak”.

Gjithashtu, ai foli edhe rreth çmimeve të saj në skena të njohura vendore dhe ndërkombëtare.

“Nexhmije Pagarusha gëzon respekt edhe sot nga personalitetet të shumta vendore dhe ndërkombëtare, Veprat e mira nuk kanë çmim, por kultivuesit meritojnë mbështetje”.