Hapet ekspozita me fotografi dhe me relikte nga lufta e UÇK-së

Kultura October 01, 2018 - 10:30

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të Epopesë së Jezercit, në Galerinë e Arteve në Ferizaj gjatë fundjavës është hapur ekspozita me fotografi dhe me relikte nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Nga afër këtë ekspozitë e kanë përcjellë krerë të institucioneve lokale dhe qendrore, drejtorë të drejtorive komunale, veteranë e invalidë të luftës, familjarë të dëshmorëve, si dhe shumë qytetarë të tjerë. Hapjen zyrtare të kësaj ekspozite e ka bërë Drejtorja e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit Xhemile Murati-Shabani.

Ajo ka thënë se ndër betejat e para që u zhvilluan në këtë zonë pa dyshim ishte beteja e Jezercit,  e cila mori epitetin e mëvonshëm “Epopeja e Jezercit”.

“Ndonëse gjatë ditëve të mëvonshme pati beteja e sakrifica të shumta për lirinë e Kosovës, ‘Epopeja e Jezercit’ mbetet një kujtesë e paharruar duke u ruajtur në arkivat historike, në kujtesën tonë kombëtare, si dhe në fusha të ndryshme të artit: në këngë, në pikturë e në poezi. Sivjet më 28 shtator 2018 do të bëhen 20 vjet nga kjo betejë”, është shprehur Murati-Shabani.

Ndërkaq kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rafiz Sejdiu, ka falënderuar gjithë organizatorët, por edhe pjesëmarrësit në këtë ekspozitë duke thënë se në këtë mënyrë po kujtohen të gjithë ata që dhanë më të shtrenjtën, jetën e tyre për lirinë e Kosovës.

Ekspozita me fotografi dhe me relikte nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të jetë e hapur për disa ditë. Ndërkaq gjatë fundjavës në sheshin “Adem Jashari” për nder të “Epopesë së Jezercit” u mbajt edhe një koncert për fëmijë.

Shënimit të “Epopesë së Jezercit” i parapriu ekspozita me piktura kushtuar dëshmorit artist Gursel Sylejmani. Kjo ekspozitë u hap nën ritmet e këngës “Baladë për mikun” dhe aty  artistë, drejtues politikë e institucionalë, miq e familjarë të dëshmorit të kombit Gursel Sylejmani panë punimet e realizuara kohë më parë, por që mbartin në vete idilin e lirisë. Për dëshmorin artist dhe veprat e tij folën drejtoresha e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, Xhemile Murati-Shabani, kuratori i ekspozitës prof. Haki Xhakli, kryetari i Komunës së Vitisë, i vendlindjes së dëshmorit, Sokol Haliti, si dhe vajza e tij artistja Pranvera Sylejmani. Zëri