Miti në poezinë e Ismail Kadaresë

Kultura October 01, 2018 - 10:28

Miti te Ismail Kadareja është i pranishëm gjatë gjithë krijimtarisë së tij dhe vepra e tij në shumë raste nuk kuptohet pa vetë mitin. Përveç prozës së tij, ku ai shtron çështje madhore me tema nga historia shqiptare e ku në përgjithësi mund të cilësohet si një shkrimtar nacionalist, nuk i neglizhon edhe çështjet tjera nga letërsia botërore, duke e ndërthurur mitin në veprën e vet. Në prozën e tij mitin mund ta shohim qartazi në veprat si: Përbindëshi, Kush e solli Doruntinën, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Lulet e ftohta të marsit, Ura me tri harqe, E penguara, Darka e gabuar etj, shkruan sot gazeta "Zëri". Por miti te Kadareja është i pranishëm edhe në poezinë e tij. Miti mbi kalin e Trojës është  shumë i njohur nga antika greke. Këtë temë Kadare e merr dhe krijon poezinë “Kali i Trojës”, poezi e shkruar më 1968-ën. Miti mbi kalin e Trojës i referohet luftës së Trojës, në të cilën grekët me anë të dredhive të ndryshme e shfrytëzojnë kalin për të triumfuar në luftë kundër trojanëve. Sipas mitologjisë, grekët ndërtojnë një kalë të madh prej druri dhe brenda saj mbajnë të fshehur disa burra. Trojanët e nxjerrin kalin në qytetin e tyre si shenjë e triumfit, por grekët tërhiqen nga kali dhe hapin portat për pjesën tjetër të ushtrisë dhe në këtë mënyrë grekët hyjnë dhe e shkatërrojnë qytetin e Trojës, duke i dhënë njëherësh edhe fund luftës. Çfarë bën Kadare në poezinë e tij?


Ai risjell mitin grek në një dimension pak më ndryshe, por pa ndryshuar referencën bazë të mitit. Autori e paraqet Kalin e Trojës si një ndërtim të madh me një forcë mbrojtëse kundër armikut, mirëpo në të njëjtën kohë krijon ndërlidhje me të sotmen, duke e vendosur kalin e Trojës midis kohërave. Në një mënyrë Kadareja e universalizon mitin mbi kalin e Trojës duke e rivendosur në kohë të përhershme, por që burimin e ka në lashtësi dhe “urdhëron” të tjerët që ta dëgjojnë ardhjen e një kali gjigant që simbolizon mbrojtjen dhe forcën e fshehtë të një armate të fuqishme ushtarake. Kadare jep atributet e kalit duke e krahasuar me dukuritë që ndodhnin në të njëjtën kohë, por që në qendër ndodhej kali i cili mbisundonte mbi gjithë atë popullatë dhe hapësirë. Vargjet paralajmërojnë hyrjen e tij në Trojë, andaj vargjet e Kadaresë janë ndër më të bukurat e tij për nga aspekti i trajtimit të mitit grek në përgjithësi. Miti grek në poezinë e Kadaresë nuk përfundon me kaq. Poezi tjetër e tij që lidhet drejtpërdrejt me mitologjinë greke është edhe poezia Laookonti. Kjo poezi më e gjatë trajton mitin e Laokontit, i cili supozohet të jetë një prift trojan, i cili ishte kundër kalit të drunjtë të grekëve, të cilin e godet me një shtizë dhe si ndëshkim për këtë hyjnitë e mbytën atë bashkë me djemtë e tij me anë të gjarpërinjve. Pra Laokoonti përbën një vijë analogjike me Kalin e Trojës, pasi ka të njëjtin burim, luftën greko-trojane dhe ngjarjet e implikuara në të. Autori këtë poezi e ndërton përmes një perspektive shumë të veçantë, pasi flet nga zëri i Laokoontit, nga uni imagjinar i tij, përkatësisht përmes skulpturës së tij, që ndodhet në muzetë e ndryshme të botës. Dëshira e autorit konsiston jo në ndryshimin e mitit si dukuri, por si funksion për ta rifunksionalizuar atë, për ta shtjelluar më thellë të vërtetën rreth mitit grek, mit i cili në syrin e botës ende shihet me një indiferencë të thellë, sepse sipas poezisë së Kadaresë mungesa e informacionit të vërtetë për Laokoontin përbën rrezik për zhdukjen e skulpturës së tij në muzetë e botës, gjë të cilën ai e pasqyron mjeshtërisht nën unin e Laokoontit të vdekur. Pra, Kadareja përmes mitit krijon një poezi të veçantë, duke vendosur në qendër simbolin universal të Laookontit që kërkon drejtësinë, të vërtetën mbi ngjarjet e luftës greko-trojane. Mitin grek Kadareja e trajton lehtësisht edhe në poezitë e tij me motive tjera. Për shembull, në poezinë “Ti ishe për mua” e krahason femrën me rezistencën e Trojës. Poezia krijon analogji me mitin e lashtë duke u ndërtuar në bazë të figurës së krahasimit. Ndërsa në poezinë “Mall”, njëra nga poezitë më të pëlqyera të autorit, ai fut një citat të Heraklitit, njëri nga trimat e famshëm të mitologjisë greke, i biri i Zeusit.


Kadare në këtë poezi prek lehtazi mitin grek të Heraklitit me qëllimin për ta mbajtur gjallë dinamikën e poezisë së tij, duke zbuluar mungesën, e cila vetvetiu e sjell mallin. Këtu vërehet që Kadaresë i mjafton që të futë edhe një citat të shkurtër në një varg për të krijuar analogjinë e të sotmes me të kaluarën, me mitin e vjetër antik dhe mendimet e personaliteteve mitike. Përveç mitit grek, Kadareja trajton edhe mitin egjiptian të Piramidës së Keopsit dhe faraonëve. Pa dyshim faraoni lidhet drejtpërdrejt me Piramidën dhe besimet te faraonët që konsideroheshin si hyjni në lashtësi e varrimi i tyre kalonte përmes ritualeve të ndryshme. Në poezi miti nuk trajtohet gjerësisht, por preket përmes një perspektive të lehtë. Poezia e Ismail Kadaresë, ashtu si gjithë krijimtaria e tij, dëshmon për mbizotërimin e vazhdueshëm të mitit dhe ky fakt e bën poezinë e tij edhe më specifike në aspektin ideo-tematik. Zëri