Qëndresë Deda, Altin Krasniqi dhe Dion Zeqiri, finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes”

Qëndresë Deda, Altin Krasniqi dhe Dion Zeqiri, finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes”

Kultura shtator 22, 2018 - 12:28
Lexo tjera detaje

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallur vendimin e jurisë për finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018. Më 20 shtator 2018 juria e përbërë nga Charles Esche, drejtor i “Van Abbemuseum”, Eindhoven, Erëmirë Krasniqi, studiuese dhe drejtoreshë e “Oral History Kosovo”, Jelena Vesië, kuratore, shkrimtare, redaktore dhe ligjëruese, Adrian Deva, artist dhe edukator arti dhe Amanda Parmer, drejtore e programit e “Independent Curators International” (ICI), Nju Jork, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 përmes deklaratës më poshtë: “Juria ka qenë e ngazëllyer nga interesimi i treguar për çmimin dhe nga llojllojshmëria e qasjeve të ndryshme ndër aplikimet këtë vit. Anëtarët e jurisë, të cilët kanë qenë pjesë e jurisë në vitin 2017, kanë vërejtur se ka pasur përmirësim në përgjithësi në kualitetin e punës artistike, si dhe të propozimeve.

Anëtarët e jurisë me shumë ngazëllim kanë diskutuar propozimet, për t’u kthyer te një numër i aplikimeve disa herë, duke lëvizur ngadalë deri në vendimin përfundimtar.

Ne ishim të lumtur që ishim në gjendje për të ardhur në një vendim unanim, duke e vënë në pyetje njëri-tjetrin dhe si ne i përgjigjemi punës së secilit kandidat dhe duke ndarë vëzhgimet se çfarë mund të imagjinojmë se ata do të krijojnë për ekspozitën e çmimit dhe rezidencën në Nju Jork.

Në fund ne kemi zgjedhur tre artistë, punët e të cilëve mbulojnë një rrafsh të gjerë të praktikës artistike aktuale në Kosovë, duke përfshirë pikturën, tekstin, instalacionin, grafikën dhe fotografinë. Punët ndajnë një interesim të përbashkët për marrëdhëniet mes kontekstit lokal dhe jetës bashkëkohore, si dhe gjetjen e trajektores personale të procesimit të materialit dhe ambientit psikologjik të qyteteve kosovare.

Një intimitet gjendet në shumë prej punëve, ndërsa implikimet janë shpesh shoqërore dhe politike.

Të gjithë ne ndihemi që të tre artistët finalistë do të përfitojnë nga ballafaqimi me sfidën e ekspozitës dhe të rezidencës në Nju Jork dhe ne me padurim presim për të parë punën e tyre në ekspozitën në dhjetor, kur juria do të takohet në Prishtinë për të zgjedhur fituesin e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018. Juria dëshiron të falënderoj Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për organizimin e sesioneve aq mirë dhe për përkrahjen e treguar për ne gjatë tërë procesit. Ne jemi shumë të kënaqur të shpallim që finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 janë Qëndresë Deda, Altin Krasniqi dhe Dion Zeqiri”, thuhet në njoftimin e tyre.

Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 do të shpallet më 5 dhjetor 2018 në Klubin e Boksit në Prishtinë, në mbylljen e ekspozitës së finalistëve të “Artistëve të së nesërmes” 2018. Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë i ka falënderuar të gjithë artistët që kanë aplikuar për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2018 për punën dhe për bashkëpunimin e tyre.