'Festar'-i ngjall Suharekën për një javë

'Festar'-i ngjall Suharekën për një javë

Kultura shtator 22, 2018 - 11:09
Lexo tjera detaje
Image

Për një javë rresht në qytetin e Suharekës do të mbahen një varg aktivitetesh kulturore, edukative e argëtuese, në të cilat qytetarët e kësaj komune do të mundë të marrin pjesë. Të hënën atje hapet edicioni i ri i festivalit “Festar”, i cili sivjet përkufizohet si festivali i kulturës dhe verës, shkruan Gazeta "Zëri".

Ky festival nis aktivitetet këtë të hënë (24 shtator), me fillim nga ora 18:00 me një organizim për fëmijë. Në sheshin “Fadil Vata” të këtij qyteti do të mbahet koncerti për fëmijë “Festari rinor”, për t’i lënë pastaj vend një ekspozite.

Njeriu që renditet i pari ndër artistë në librin “Guiness” për sa i përket thyerjes së rekordeve me mozaikët e tij do të prezantohet me ekspozitën e tij personale në Suharekë në ditën e parë të festivalit në qendrën e rinisë “Shtëpia e Fellbahut”. Saimir Strati së fundi, për herën e 10-të kur theu rekordin botëror për mozaikun më të madh me kapëse letrash, e bëri në Prishtinë. Ai nxori fytyrën engjëllore të Gonxhe Bojaxhiut, Nënës Terezë me kapëse letrash, duke e çuar vlerën e Kosovës dhe të Prishtinës një hap më tej.

Në edicionin e sivjetmë të “Festar”-it në Suharekë Strati ka vendosur që të shfaqë punët e tij mahnitëse për publikun e gjerë kosovar. Për më tepër, Saimir Strati vjen pothuajse çdo vit në Koloninë e Artistëve në Suharekë, duke i dhënë një dozë më të madhe famoze kësaj feste.

Në anën tjetër, dita e dytë e festivalit, e marta, është rezervuar për koloninë ndërkombëtare të artistëve, të cilët do të priten në Suharekë nga i pari i kësaj komune. Po atë ditë do të mbahet edhe një aktivitet për dhurimin e gjakut, si dhe veshmbathjeve dhe ushqimeve për njerëzit në nevojë. Përveç këtyre, në kuadër të “Festar”-it do të mblidhen edhe libra, të cilat do t’i dhurohen Bibliotekës së Komunës së Suharekës, si dhe do të mbahet një aksion humanitar i organizuar nga Kuvendi Rinor. Në “Rozafa 2” të martën do të mbahet një revy e rapsodëve “Riza Bllaca”, me fillim nga ora 18:00. Me këtë aktivitet përfundon edhe dita e dytë e festivalit.

Të mërkurën në Suharekë vazhdon kolonia e artit e gjersa mbahen edhe aktivitete sportive për personat me aftësi të kufizuara, përderisa aktivitetet përfundojmë me mbrëmje muzikore. Në ditën e enjte në “Festar” përveç kolonisë së artit prezantohet edhe shfaqja “Stigma – kërko të drejtën tënde”, ku do të mbahet edhe debat. Për fund, gjatë së enjtes organizohet edhe një orë letrare me poetë e dashamirë të fjalës së shkruar.

E premtja është e rezervuar për ekspozimin e prodhimeve bujqësore që prodhohen në këtë komunë, ku përfshihen edhe verërat, për të cilat në këtë festival organizohet një panair i veçantë. Krahas kësaj, të premten në “Festar” do të luhen edhe disa nga lojërat e famshme popullore, siç janë shigjetaria, tërheqja me litarë, gjuajta me gurë etj.

Në fundjavë, të shtunën, atje do të mbahen disa aktivitete sportive, duke përfshirë këtu turneun ndërkombëtar të paragliding dhe një turne i taekwwandos. Të shtunën do të bëhet gjithashtu edhe hapja e ekspozitës së kolonisë së artistëve, hyrja në të cilën është e hapur vetëm për personat me ftesa.

Dita e fundit e “Festar”-it i kushtohet totalisht sportit. Në Suharekë të dielën vijon turneu i paragliding, përderisa do të mbahet edhe një turne i ping-pongut dhe një i tenisit, si dhe do të ketë aktivitete për adhuruesit e biçikletave malore.

Festivali “Festar” organizohet tradicionalisht javën e fundit të muajit shtator dhe është njëri nga aktivitetet e rralla në këtë komunë, që ndodh për një javë rresht e që u kushtohet kryesisht aktiviteteve kulturore e zbavitëse.

Image