Vjena thërret shkrimtarët shqiptarë

Kultura September 03, 2018 - 09:16

Programi “KulturKontakt” në Austri ka hapur thirrjen për shkrimtarët e rinj, por edhe për ata më me përvojë nga Kosova. Saktësisht bëhet fjalë për projektin “Writers-in-Residence” ose “Rezidenca për shkrimtarë”, që ka hapur aplikimin për vitin 2019 për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të kalojnë 1 ose 2 muaj në Vjenë në kuadër të këtij programi letrar shkruan sot gazeta "Zëri".

Siç bëhet e ditur në faqet zyrtare të “KulturKontakt”, programi i ka të mbuluara shpenzimet e akomodimit dhe një rrogë mujore, ndërsa u lejon autorëve fitues që të kalojnë kohë në Vjenë, duke përfshirë këtu edhe në “MuseumQuartier” në Vjenë dhe të njoftohen me jetën kulturore në këtë qytet. Për momentin nuk ka një afat të aplikimit, por vendimet merren nga juria, e cila e sheh të arsyeshme përzgjedhjen e autorëve shumë shpejt pasi ata aplikojnë.

Mosha e kufizuar në këtë konkurs është deri 40 vjeç, kurse të gjithë të interesuarit mund të gjejnë më shumë informata në faqet zyrtare të “KulturKontakt” në internet.

Përveç shkrimtarëve nga Kosova, për këtë program mund të aplikojnë edhe shkrimtarët nga Shqipëria dhe rajoni.