Gjysmëshekulli nga Konsulta Gjuhësore e Prishtinës

Kultura August 23, 2018 - 09:07

Në kuadër të edicionit të 37-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe, i cili po mbahet në Prishtinë nga data 20 gusht dhe do të vazhdojë deri më 31 gusht, gjatë ditës së mërkurë është mbajtur një tryezë për nder të 50-vjetorit të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës shkruan sot gazeta "Zëri". 

Kjo tryezë është udhëhequr nga profesori universitar Bardh Rugova, ndërsa pjesëmarrës ishin dy autorë të rëndësishëm të historisë së standardizimit të gjuhës shqipe, profesorët Shefkije Islamaj dhe Shkumbin Munishi.

Tryezën e filloi profesori Rugova, për të vazhduar pastaj me Islamajn e Munishin, të cilët rikujtuan historinë, organizmin dhe mbajtjen e kësaj konsulte “për të rifreskuar” kujtesën e të pranishmëve dhe për t’i nderuar të gjitha ato përpjekje të cilat e bënë gjuhën shqipe atë që është sot.

Në hapjen e kësaj tryeze Rugova tha se Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e cila ishte organizuar në vitin 1968 nga Instituti Albanologjik dhe nga Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Fakultetit Filozofik të atëhershëm, sivjet shënon 50-vjetorin e mbajtjes së saj. Ajo kishte numëruar rreth 150 pjesëmarrës, intelektualë të fushave të ndryshme. Kjo Konsultë kishte për qëllim të merrte qëndrim lidhur me fatin e shqipes letrare  në Kosovë dhe në viset e tjera ku jetonin shqiptarët në ish-Jugosllavi dhe t’i diskutonte rregullat e drejtshkrimit të vitit 1967 që ishte një projekt i asaj kohe. “Ky projekt e sanksiononte një gjuhë të përbashkët letrare shqipe, prandaj në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës duhej të zgjidhej një nga dy mundësitë ekzistuese: të pranohej projekti i vitit 1967 që nënkuptonte përfshirjen e shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve tjera etnike në aktivitetin përfundimtar për formimin e shqipes së përbashkët letrare ose të vazhdohej rruga ekzistuese e shqipes letrare të këtyre anëve, pra të përdorej varianti letrar i gegërishtes. Konsulta Gjuhësore e Prishtinës ishte hapur nga drejtori i Institutit Albanologjik të asaj kohe, akademiku Fehmi Agani dhe fjalë hyrëse ka qenë referati i Idriz Ajetit ‘Rruga e njësimit të gjuhës letrare shqipe dhe e ortografisë së re’, e botuar disa ditë para kësaj në gazetën ‘Rilindja’”, theksoi ndër të tjera ai.

Në këtë tryezë u tha se kjo Konsultë i kishte zhvilluar punimet gjatë dy ditëve, ndërsa në ditën e dytë u aprovuan konkluzat, të cilat në historinë e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe kanë hyrë me emrin “Konkluzat e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës”.

Në fund u mor vendimi që edhe shqiptarët e Kosovës dhe të pjesëve tjera të shkruanin e ta flisnin shqipen letrare kombëtare që flitej e shkruhej në Shqipëri. Pjesëmarrësit ishin pajtuar që ortografia e vitit 1967 të zbatohej edhe në këto treva për të arritur formimin e gjuhë së njësuar letrare shqipe, e cila do të shërbente për komunikim gjithëkombëtar.  Konsulta Gjuhësore e Prishtinës konsiderohet një ngjarje e rëndësishme kombëtare drejt rrugës së standardizimit të gjuhës shqipe.

Shefkije Islamaj, njëra ndër autorët pjesëmarrës të kësaj tryeze, gjithashtu foli për zanafillën e historisë së kësaj Konsulte dhe për rëndësinë e saj të jashtëzakonshme në gjuhën dhe në letërsinë shqipe. “Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e cila pikërisht më 22 prill mbushi 50 vjet, është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë gjuhësore e kulturore. Ajo i vuri pikë rrugës veçuese jo vetëm gjuhësore nëpër të cilën po ecnin shqiptarët asokohe, ajo hapi rrugën e njësimit tonë gjuhësor dhe bëri që Kongresi i Drejtshkrimit, që do të mbahej katër vjet më vonë, të quhet Kongres Mbarëkombëtar”, u shpreh Islamaj.

Shkumbin Munishi, një ndër studiuesit kryesorë të sociolinguistikës dhe të historisë së standardizimit të shqipes, po ashtu riafirmoi të gjitha ato që u thanë më herët për rëndësinë e kësaj Konsulte për gjuhën shqipe dhe për marrëdhëniet kulturore mes Kosovës dhe Shqipërisë. “Duhet pasur parasysh që në atë kohë kishte filluar edhe intensifikimi i marrëdhënieve kulturore, në këtë klimë më të favorshme midis Shqipërisë dhe Kosovës që mundësonte bashkëpunimin ndërshqiptar në fusha të ndryshme, natyrisht edhe në fushën e gjuhës”, tha ndër të tjera Munishi.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 në Fakultetin e Filologjisë, atëherë Fakultetit Filozofik, të Universitetit të Prishtinës. Ky seminar organizohet për studentë e për studiues, të cilët merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë përgjithësisht./ZËRI/