Alma Çoçaj fiton bursë nga “Prifest”-i dhe Akademia e Filmit në Sarajevë

Kultura August 11, 2018 - 14:47

Alma Çoçaj, një studente e regjisë nga Ferizaj, ka fituar bursë për studime bachelor e cila ndahet për herë të dytë nga Akademia e Filmit në Sarajevë dhe nga festivali i filmit “Prifest”.  

Kjo bursë studentes nga Kosova ia mundëson studimet e plota në nivelin bachelor për tri vjet dhe është në shumë prej 25.000.00 eurosh.

Kjo iniciativë për ndarjen e bursave vjen nga festivali “Prifest” në marrëveshje me Akademinë e Filmit në Sarajevë dhe ia jep Almës mundësinë unike të studiojë në një shkollë të mrekullueshme, me ambient të jashtëzakonshëm të të mësuarit dhe me mësimdhënës shumë të kërkuar në këtë fushë.

Pasi mori lajmin për bursë në këtë akademi të filmit, Alma u shpreh shumë falënderuese për mundësinë dhe se shpreson që me këtë fushë të merret gjithmonë. “Isha në kërkim të dritares, të cilën ‘PriFest’-i e hapi për mua. Lajmi se u pranova t’i vazhdoj studimet në Sarajevë dha te unë shpresën se duhet të vazhdoj këtë rrugëtim dhe të mos ndalem. Po ashtu më dha ndjenjën se në Kosovë ka njerëz të cilët dëshirojnë të na përkrahin me vullnetin dhe me punën që bëjnë, ‘PriFest’ është festivali që gjithmonë reflekton energji pozitive tek unë, andaj ndihem shumë falënderuese”, tha ndër të tjera studentja Çoçaj.

Për këtë foli edhe drejtoresha e SFA-së, Emina Ganic, e cila theksoi numrin e madhe të të rinjve të talentuar që ka Kosova dhe mundësitë e pakta që kanë ata për të shprehur talentin e tyre para një audience më të gjerë. Sipas saj, kjo bursë shërben për t’i zbuluar dhe për t’i kultivuar këto talente.

Vjosa Berisha, drejtoresha e “Prifest”-it,  i cili para disa javësh mbylli me sukses edicionin e tij të 10-të, u shpreh shumë krenare që ky festival ka mundësi ta mbështesë dhe ta ndihmojë industrinë e filmit në Kosovë dhe se shpreson që këta studentë të bartin emrin e Kosovës në botë. “Jam e lumtur që për të dytin vit radhazi kemi studentë nga Kosova të cilët fitojnë këtë bursë shumë të vlefshme. Jam shumë krenare që misioni i ‘PriFest’-it për mbështetjen konkrete të industrisë së filmit të Kosovës po përmbushet çdo vit shumë e më shumë, ndërsa posaçërisht më bën krenare fakti që sivjet fituese e bursës është një regjisore femër”, u shpreh Berisha.  

Akademia e Filmit në Sarajevë çdo vit pranon studentë nga e gjithë bota, si: Australia, Brazili, Kolumbia, Kroacia, Franca, India, Japonia, Meksiko, Portugalia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania e Madhe, SHBA-ja, Italia, etj.

Kujtojmë se vitin e kaluar ishte studenti Sovran Nrecaj, i cili e fitoi të njëjtën bursë.