Dua Lipa ndez Prishtinën

Kultura August 11, 2018 - 14:40

Ka hapur dyert të premten në Prishtinë festivali treditor “Sunny Hill Festival”, i organizuar nga fondacioni me të njëjtin emër të këngëtares kosovare me famë botërore Dua Lipa. Këngëtarja Lipa, që ishte artistja kryesore e natës së parë të këtij festivali, është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga publiku i qytetit prej nga e ka prejardhjen. I madh ishte interesimi për të marrë pjesë në festivalin e organizuar nga këngëtarja, që në periudhën e parë të vitit ka shkëlqyer nëpër top-listat botërore dhe tashmë konsiderohet si “Princesha e Pop-it”. Me programin e pasur të artistëve me famë ndërkombëtare që ky festival ka sjellë në Prishtinë ka arritur të konsiderohet si një nga ngjarjet më të mëdha kulturore që pritet të ndodhin gjatë këtij viti.

Përveç Duas, në skenën e “Sunny Hill Festival” të shtunën u ngjitën edhe grupi “Sytë”, MTNJ-ja, “Kachinari”, Genc Salihu, “Gipsy Groove”, “Offchestra”, Dren Abazi & “Zig Zag Orchestra”, “Asgjë sikur dielli”, “Oda”,” Jericho”, Grace Carter dhe shqiptari me famë botërore, Stanaj.

E lumtur se ka pasur shansin të organizojë diçka të tillë për qytetin e saj u shpreh edhe këngëtarja Dua Lipa. Gjatë ditës së premte Dua Lipa deklaroi se kjo që po bën është një shpërblim ose kontribut i vogël për njerëzit e Kosovës, të cilët kanë qenë dhe janë gjithmonë dëgjuesit dhe adhuruesit më besnikë të muzikës të cilën ajo kultivon. “Jam shumë e lumtur për këtë mundësi për të ndihmuar rininë e Kosovës. Normalisht që në secilën intervistë unë tregoj prej nga jam dhe po më vjen mirë që kemi shumë gjëra për të cilat mburrem dhe kisha pasur qejf që edhe festivali të jetë diçka që përmendet për mburrje”, u shpreh Dua Lipa gjatë takimit me të parin e Prishtinës Shpend Ahmetin.

Në këtë pritje zyrtare kryetari Ahmeti i dhuroi Duas Çelësin e Qytetit të Prishtinës.

Është hera e parë që një personalitet nderohet me Çelësin e Qytetit të Prishtinës dhe kryetari Ahmeti u zotua se kjo do të shndërrohet në praktikë për personalitetet që kontribuojnë në afirmimin e Prishtinës nëpër botë.

Tutje, kryetari Ahmeti falënderoi Lipën për iniciativën e saj për të organizuar në Kosovë një festival dhe një mori aktivitetesh tjera që planifikon t’i organizojë.

Në anën tjetër aktivitetet e natës së dytë (11 gusht) fillojnë me hip-hop artistët si: Ledri Vula, Dafina Zeqiri, Gjiko, Lyrical Son, Lumi B, Buta, pastaj Gashi dhe “Col3trane”. Nata e tretë do të ketë muzikë elektronike, ku do të performojnë DJ vendorë dhe ndërkombëtarë si: Bondax, SG Lewis. Aktivitetet e natës së tretë përfundojnë me Martin Garrix, DJ i njohur ndërkombëtar, i cili do të performojë 90 minuta.

Qëndrimin e saj në Prishtinë Dua Lipa e shfrytëzoi për t’i ndarë 100.000 eurot e mbledhura nga koncerti i parë këtu, i mbajtur në vitin 2016, i cili kishte natyrë bamirësie. Përmes këtij fondi Lipa ndihmoi shtatë organizata joqeveritare, pesë shkolla të muzikës dhe disa aktivitete kulturore e festivale. Organizatat përfituese nga ky fondacion janë: Shoqata e Autizmit, “Down Syndrome Kosova”, “Atomi”, fondacioni “Together, Care for Kosovo Kids”, “Pema” dhe “Handikos”. Ky fondacion do t’i përkrahë edhe festivalet “DAM Fest”, “Chopin Fest”, “Siparantum Quair”, “Kamer Fest” dhe teatrin "Dodona". Në anën tjetër u njoftua edhe se pesë shkollat e përkrahura nga "Sunny Hill" janë shkollat e muzikës: "Prenk Jakova", "Tefta Tashko", "Çesk Zadea", "Halit Kasapolli", si dhe Shkolla e Muzikës në Gjilan.

Ka disa vite që Dua Lipa ka themeluar fondacionin e saj “Sunny Hill Foundation”, përmes të cilit synon të ndihmojë rininë e Kosovës. Këtë fondacion ajo e emëroi sipas lagjes në të cilën ajo ka jetuar në Prishtinë e që është “Bregu i Diellit”. Pikërisht në kuadër të këtij fondacioni po organizohet edhe “Sunny Hill Festival”. Organizatorët janë optimistë se ky festival, të cilin synojnë ta bëjnë tradicional, do ta vendosë Kosovën në hartën kulturore të Evropës dhe do të sjellë në Prishtinë edhe turistë./ZËRI

Image

Image

Image

Image

Image