Kosova dhe Maqedonia me kalendar të përbashkët kulturor

Kultura August 02, 2018 - 09:08

Ministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademi, ka qëndruar të mërkurën në Kosovë. Kjo ishte vizita e parë zyrtare e ministrit Ademi pas marrjes së detyrës.  

Gjatë një konference të mbajtur për medie ministri i Kulturës në Kosovë, Kujtim Gashi, u shpreh se qëllimi i takimit ishte diskutimi rreth thellimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Maqedonisë në fushën e kulturës dhe të krijimit të një marrëveshjeje të përbashkët për aktivitetet kulturore në të dyja vendet. Ai tha gjithashtu se duke pasur parasysh numrin e madh të popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe kulturën e traditën e përbashkët është i përshtatshëm krijimi i hapësirave dhe i mundësive për t’i shkëmbyer aktivitetet kulturore nga fusha të ndryshme si teatri, baleti, filarmonia, ansambli, etj.


“Jemi dakorduar t’i autorizojmë institucionet e kulturës që të kemi ngjarje, të kemi data të përbashkëta, aktivitete në teatër, në filarmoni, në balet, por gjithashtu edhe të kemi shkëmbime të ansambleve tona me ansamblet e Maqedonisë edhe ato që veprojnë në komunat me shumicë shqiptare po edhe ansamblet tjera në Maqedoni sepse Kosova dhe shqiptarët edhe atje kanë një gjuhë, një kulturë dhe një traditë të përbashkët”, u shpreh ministri Gashi.

Po ashtu Gashi tregoi se bashkë me homologun tij nga Maqedonia janë pajtuar edhe për krijimin e një kalendari të përbashkët kulturor mes të dyja vendeve, duke pasur parasysh që me Shqipërinë ky kalendar tashmë ekziston dhe u shpreh optimist për krijim e një kalendari të përbashkët trepalesh mes Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë në të ardhmen e afërt.

Në anën tjetër ministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademi, tha se ndihet shumë i nderuar që vizitën e parë jashtë vendit si ministër po e zhvillon në Kosovë. “Është nder për mua që gjatë takimit me ministrin kishim mendime të përbashkëta lidhur me atë që marrëdhëniet mes dy vendeve janë mjaft të mira, por që biseduam gjithashtu edhe për mundësi të reja për të zhvilluar në veçanti sferën e kulturës”, tha ndër të tjera ministri Ademi.

I pyetur për datën e mundshme të nënshkrimit të këtij kalendari dhe për mundësinë e realizimit të tij, duke pasur parasysh se një pjesë e madhe e kalendarit me Shqipërinë është i parealizueshëm, ministri Gashi u shpreh se periudha kohore që kanë caktuar për nënshkrim e tij është muaji shtator.

“Sa i përket implementimit gjithmonë në fazat fillestare ka vështirësi të implementimit, por nuk do të bëjmë një kalendar ‘fontanë dëshirash’, por do të caktojmë aktivitete të cilat janë lehtë të realizueshme dhe janë të mundshme për t’u zbatuar nga të dyja  palët, duke e pasur parasysh se secili aktivitet kulturor ka edhe një kosto buxhetore dhe do të dakordohemi se cilat do t’i mbulojmë ne dhe cilat Ministria e Kulturës në Maqedoni”, përfundoi kështu Gashi./ZËRI/