Hapet në Tiranë ekspozita “Hartografia evropiane dhe territoret shqipfolëse”

Kultura July 13, 2018 - 11:23

COD hap sonte, më 13 korrik 2018 me fillim nga ora 19:00, në sallën “Tako Artistin” në Tiranë ekspozitën “Hartografia evropiane dhe territoret shqipfolëse” të Afrim Ethemit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ekspozita përmban një numër të përzgjedhur hartash dhe atlasesh nga koleksioni personal i Afrim Ethemit. Hartat datojnë që nga vitet 1500 e më pas dhe paraqesin kryesisht harta të Evropës, Evropës Juglindore e sidomos Ballkanit, gjë që i jep kësaj ekspozite dhe koleksioni një karakter të posaçëm.

Hartat, si një formë e komunikimit vizual, janë sa një disiplinë akademike aq edhe art. Vizitorët do të kenë mundësinë të shikojnë lëvizjet e shpeshta të kufijve, perceptimet nga këndvështrime të ndryshme historike dhe detajet gjeografike e topografike të pasqyruara në to. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 shtator 2018.

Ekspozita “Hartografia evropiane dhe territoret shqipfolëse” me koleksionin e hartave të vjetra të Afrim Ethemit tërheq vëmendjen ndaj kohës dhe ndryshimeve gjeografike. Afrim Ethemi ka realizuar disa ekspozita personale të pikturave, grafikave dhe

vizatimeve. Përveç koleksionit të hartave të vjetra, i posedon edhe disa koleksione të tjera antike. Koleksioni i hartave të vjetra, është ekspozuar në Muzeun Kombëtar, në Prishtinë dhe në Galerinë Kombëtare në Shkup. Zëri