Kategoria e 'Filmave kombëtarë' sjell në 'DokuFest' diversitet temash

Kategoria e 'Filmave kombëtarë' sjell në 'DokuFest' diversitet temash

Kultura korrik 13, 2018 - 10:00

Kanë mbetur edhe pak javë deri te fillimi i festivalit “DokuFest” në Prizren e duke qenë se çdo vit kategoria e filmave kombëtarë të këtij festivali pritet me kureshtje meqë njihemi më afër më filmbërësit tanë, ne jua prezantojmë sot në “Zëri” 13 filmat shqiptarë që do të shfaqen në Prizren, shkruan sot gazeta "Zëri".

Filmi “A True Story” (Një histori e vërtetë) me regji të Viron Roboci, i lindur në Sarandë e i diplomuar në Trieste, vjen në “DokuFest” për të treguar më shumë për Shqipërinë komuniste. Shqipëria gjatë diktaturës tregohet përmes historisë së një familjeje. Shkurorëzimi i një vajze të re, e cila nuk është pranuar mirë dhe zhdukja e saj janë në qendër të filmit, teksa autoritetet fillojnë ta kërkojnë vrasësin 4 vjet më vonë. Zvarritjet, torturat, presioni i pafund në dhomat e marrjes në pyetje dhe vuajtja e anëtarëve të familjes, të cilët në vend që të mohojnë akuzat përpiqen të gënjejnë se janë vrasës, i bën ata të përshkruajnë në detaje një vrasje që nuk ekziston. Familja nuk gjeti kurrë paqen dhe jetoi e humbur midis korridoreve të terrorit e të marrjes në pyetje.

“Verbally Correct” (Verbalisht i saktë) i regjisorit Leutrim Voka, i cili rrëfen historinë e Muharrem Protoduarit, djalit i cili u dënua me 20 vjet burg vetëm sepse kishte dëgjuar muzikë të huaj. Pas 46 vjetësh ai tregon historinë se si u bë pjesë e gjyqit të montuar nga hetuesia e regjimit komunist të Shqipërisë.

Ardian Arrëza sjell në “DokuFest” filmin “Adem Rema”, që është një udhëtim mbi figurën e Adem Rekës, i cili pas humbjes së jetës më 1966-ën u shpall “Hero i Punës Socialiste” nga regjimi komunist në Shqipëri. Ngjarja përmblidhet përmes materialit arkivor të kohës dhe rrëfimet e njerëzve që e kanë përjetuar, të cilat përfshijnë anëtarë të familjes së Adem Rekës.

Në anën tjetër, një dramë familjare në “DokuFest” e sjell edhe regjisori kaçanikas i shkolluar në Tiranë, Bekim Guri. Ai prezanton filmin “Routine” (Rutinë), i cili flet për familjen e Albanit, që i është djegur shtëpia dhe e teëreë familja ka peësuar shok, çrregullim mental dhe njeë varfeëri teë madhe. Filmi vjen në Prizren si premierë.

“Shukria” është një tjetër film i kësaj kategorie që vjen nga regjisori Visar Jusufi dhe flet për një vajzë të vogël. Derisa temperamenti i Shukries së vogël po zhvillohet ngadalë, ajo na e tregon mënyrën primitive të të menduarit në shoqërinë patriarkale dhe rolin e gruas në atë kohë deri më sot. Ngjarja ndodh në një fshat të vogël në Kosovë.

Pjesë e kësaj kategorie është edhe filmi “Triumph” (Triumfi), i cili na kthen më 14 tetor 2014, kur dy shtetet e Evropës Lindore, Shqipëria dhe Serbia, përballën në fushën e futbollit në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Pa tifozët shqiptarë, të cilët nuk u lejuan të ndjekin ndeshjen për shkaqe sigurie, stadiumi plot me tifozë serbë jehonte me këngë raciste dhe me kërcënime me vdekje. Tensionet u rritën në pikën e vlimit kur një dron që bartte flamurin shqiptar fluturoi sipër lojtarëve në fushë. Tifozë të inatosur ia mësyn fushës, duke sulmuar lojtarët shqiptarë e duke detyruar që loja të përfundojë. Një histori e tensioneve politike, e luftës dhe e sportit eksplorohet përmes këtij filmi të regjisorit Kreshnik Jonuzi, teksa ndjekim udhëtimin e ekipit kombëtar shqiptar në paraqitjen e tyre të parë në një turnir të madh.

Një problem të Shqipërisë bashkëkohore e prezanton filmi “Pro Rrymës”, që është një dokumentim i përpjekjeve të komuniteteve lokale, të organizatave mjedisore dhe të aktivistëve të shoqërisë civile për t'u përfshirë në vendimmarrjen për fatet e lumenjve Valbonë dhe Vjosë, si dhe të zonave të mbrojtura përballë lejeve për projekte hidroenergjetike të qeverisë shqiptare. Kjo është sfida e shekullit për mjedisin në Shqipëri, janë 526 hidrocentrale, të cilat kanë marrë dritën e gjelbër nga autoritetet qendrore. Kjo është historia e rezistencës së banorëve dhe të aktivistëve mjedisorë kundër valës shkatërruese të HEC-eve në Shqipëri përgjatë dekadës së fundit.

Një film që ndërlidhet me luftën e Kosovës është ai “Home away from home” (Shtëpia larg prej shtëpisë) i regjisorit Sami Mustafa. Samueli, 10-vjeçari rom që jeton në Kampin Konik në periferi të Podgoricës në Malin e Zi. Prindërit e tij ikin nga lufta e Kosovës më 1999-ën dhe kanë jetuar atje që prej atëherë.

Për të rrëfyer për sistemin paralel që u krijua në Kosovë në vitet ’80-’90 Orgesa Arifi sjell në “DokuFest” dokumentarin “Kurrizi”, i cili tregon se si një kompleks banesor dhe afarist në lagjen “Dardania”, i cili është ndërtuar në mes të viteve 1970 dhe 1980 – posaçërisht për shqiptarët, të cilët nën regjimin e Millosheviçit ishin tërësisht të përjashtuar nga jeta kulturore dhe institucionale, shërbeu si hapësirë e veçantë për rininë e Kosovës dhe jo vetëm.

“Waiting” (Pritja) është filmi i kësaj kategorie që shqyrton çështjen e humbjes së dyfishtë përmes dëshmisë së 5 grave, të cilat i kanë humbur anëtarët meshkuj të familjeve të tyre gjatë luftës në Kosovë dhe kanë vuajtur vite të kërkimit me ankth për eshtrat e tyre.

Një dramë me tematikë të marrë nga aktualiteti në shoqërinë kosovare është pjesë e kategorisë së filmave kombëtarë në “DokuFest” dhe këtë e sjell Donjeta Hyseni përmes filmit “Curveless Line”. Filmi flet për dy vajza, Sarën dhe Shkurtën, të cilat takohen rastësisht me njëra-tjetrën dhe vendosin t’i qëndrojnë pranë njëra-tjetrës në situata të skajshme jetësore.

Një dramë sociale ka zgjedhur ta sjellë edhe regjisori Lorin Terezi përmes filmit “Tirana 100 km”. Filmi tregon se si jeta e ëmbël e Lindës mbaron kur vdes Stefani, një biznesmen i martuar i cili është kujdesur për të. Tani familja e tij dhe miqtë e ashtuquajtur të saj po ia kthejnë shpinën. E zënë në një situatë agresive dhe armiqësore, ajo vendos të kthehet në vendlindje, një fshat i vogël larg nga Tirana. Jeta periferike është shumë larg prej jetës së re dhe ambicieve të Lindës.

Pjesë e kësaj kategorie është edhe filmi “A Month” (Një muaj) me regji të Zgjim Terziqit, që sjell tregimin e vërtetë të një gruaje të verbër pa shtëpi, që e jeton paktin e katër motrave të saj për ta mbajtur atë në shtëpitë e tyre përkatëse nga një muaj secila.

Rikujtojmë se edicioni i 17-të i “DokuFest”-it sivjet në Prizren mbahet mes datave 03-11 gusht. Zëri