Gratë lexuan poezi për Gjergj Kastriotin

Kultura July 06, 2018 - 11:34

Me moton “Gratë për Gjergjin” gjatë ditës se enjte në ambientet e bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani” u mbajt një orë letrare, ku u mblodhën shkrimtare e dashamirë të letërsisë për ta kujtuar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun përmes poezisë. Ky organizim u bë duke u mbështetur në idenë e krijueseve Dije Demiri-Frangu dhe Ilire Zajmi, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kjo orë letrare ishte njëri nga organizimet më unike që po vazhdojnë të mbahen në vazhdën e ngjarjeve të organizuara për “Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut”, siç është shpallur 2018-a me rastin e përvjetorit të 550-të të vdekjes së tij.

E para nga poetet që lexuan në këtë ngjarje ishte Naime Beqiraj, ndërsa pas saj në foltore dolën Albina Idrizi, Leonora Brucaj, Dije Demiri-Frangu, Valentina Saraqini, Kismete Hyseni, Diella Çitaku, Mirelinda Koxha dhe e fundit, Shefqete Gosalci.

Të gjitha këto artiste të fjalës së shkruar sollën përmes poezive perspektivat e tyre për kryetrimin shqiptar Skënderbeun.

Derisa këto poetesha po lexonin krijimet e tyre afër foltores, piktorja e re Fjolla Kastrati pikturoi një portret të Gjergj Kastriotit, i cili në fund iu dhurua përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës.

Në fillim të këtij takimi Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë së Republikës së Kosovës, falënderoi në emër të kryeministrit organizatorët e këtij manifestimi, që me kërkesa simbolike po e mbajnë gjallë frymën e poezisë.

“Shpresoj që organizime të tjera do të kemi edhe në të ardhmen. Zyra e Kryeministrisë aq sa ka mundësi dhe hapësirë do t’ju mbështesë në emër të poezisë dhe në emër të kujtimit të periudhave tona historike dhe të kaluarës sonë dhe të tashmes”, u shpreh Gashi në fjalën e saj.

Njëra nga organizatoret e kësaj ngjarjeje, Ilire Zajmi, tregoi për gazetën “Zëri” se ideja për këtë aktivitet erdhi në mënyrë shumë spontane gjatë një bisede me bashkorganizatoren Dije Demiri-Frangu.

“Ishim duke diskutuar me profesoreshën dhe kolegen time Dije Demiri-Frangu, që këtë vit është “Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut” dhe e pyetëm njëra-tjetrën ‘ke ti poezi për Skënderbeun?’, ‘sa shkruajmë ne për Skënderbeun?’ dhe kështu lindi ideja që edhe ne gratë ta japim kontributin tonë modest për Skënderbeun. E dimë se motra e Skënderbeut, Mamica, ka luftuar përkrah tij me shpatë, mirëpo ne natyrisht jemi 550 vjet pas epokës së Skënderbeut, kontributi ynë është me poezi, që ta jetësojmë e përjetësojmë veprën, të bëmat dhe lavdinë që emri i Skënderbeut paraqet për kujtesën tonë kolektive”, theksoi Zajmi.

Ky takim letrar u mbajt me përkrahjen e Sekretariatit të Zyrës së Republikës së Kosovës.