'Anibar'-i kërkon përfshirjen e grave në animacion

Kultura July 04, 2018 - 10:04

Në edicionin e 9-të “Anibar” ka vendosur të nxjerrë në pah mungesën e barazisë gjinore duke kërkuar reprezentim të grave në animacion. Popullariteti i animacionit vazhdon të rritet si në Kosovë dhe në gjithë botën. Pjesëmarrja e grave në studime për animacion, animatore por edhe shikuese është rritur, por gjithashtu ka ekspozuar shumë pabarazi, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sipas organizatës “Woman in Animation”: “Gratë përbëjnë 60% të studentëve të animacionit, por vetëm 20% e animatoreve janë gra”. Kjo ka bërë që gratë të jenë të nënpërfaqësuara në industrinë e animacionit veçanërisht si skenariste, regjisore dhe producente”.

Prandaj “Anibar” përmes edicionit të nëntë të festivalit do të bëjë një ndryshim duke inspiruar gratë dhe burrat në botën e animacionit për t’i adresuar çështjet gjinore. Një proces më gjithëpërfshirës, kreativ dhe teknik do të përmirësojë punën e burrave dhe të grave duke krijuar mundësi për ta shpërndarë filmin e animuar në të gjithë botën.

Duke theksuar pabarazinë gjinore në festivalin e këtij viti “Anibar” do të jetë në gjendje të arrijë një audiencë më të gjerë përmes vizitorëve të saj vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe anëtarëve të shumtë të medias që do të mbulojnë dhe do ta ndjekin festivalin.

“Anibar” planifikon të përfshijë komunitetin në këtë proces duke inkurajuar njerëzit jashtë “Anibar”-it për të marrë rolin e tyre udhëheqës në promovimin e barazisë gjinore dhe në fuqizimin e grave. “Anibar” do të t’i bashkohet lëvizjes së “Women in Animation” duke nënshkruar zotimin për reprezentim të grave në animacion për të arritur 50/50 deri në vitin 2025. Ky mesazh inkurajimi do të kurohet nga një ekip kreativ që do të prodhojë art në hapësira publike, do të ndërtojë kinema të hapura, shfaqje filmash, organizim të koncerteve dhe instalim të kinemave të hapura në parqe dhe në qendra të qyteteve.

Festivali “Anibar” organizohet nga organizata me të njëjtin emër, e cila është formuar nga një grup i të rinjve dhe i artistëve të cilët kanë dëshmuar entuziazmin dhe vizionin e tyre për të promovuar kulturën e filmit të animuar në pesë edicionet e fundit të festivalit, gjithashtu duke demonstruar kapacitetet e zhvilluara për të organizuar ngjarje të mëdha. “Anibar”-i ka investuar në kapacitetin e zhvillimit të rinisë dhe të fëmijëve nëpërmjet trajnimeve, punëtorive, debateve dhe aktiviteteve të tjera që u mundëson të gjithë artistëve ballkanikë të rrisin dukshmërinë e tyre në tregjet ndërkombëtare. Zëri