Letërsia e antikitetit ka qenë në themelet e formimit tim

Kultura July 02, 2018 - 13:11

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit" prezantojmë krijuesen nga Saranda, Irena Gjonin. Irena është doktore e shkencave në letërsi (Universiteti i Tiranës). Ka punuar si gazetare në medien e shkruar dhe audio- vizive. Ka botuar poezi, prozë letrare si dhe shkrime kritike e studimore në periodikë të ndryshëm në gjuhë shqipe e në gjuhë të huaj. Është pjesëmarrëse në disa antologji poetike në shqip e në gjuhë të huaja. Ka botuar pesë libra.

 

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Gjatë gjithë jetës, njeriu është në dilemën e vendimmarrjes. Për më tepër, kjo është akoma më e vështirë për mua që kam një natyrë emocionale dhe shpesh bëhet “luftë” mes zemrës dhe ftohtësisë racionale. Ndaj pyetja më e shpeshtë është: Po sikur…? Po sikur të kisha zgjedhur këtë rrugë në vend të asaj tjetrës, mos ndoshta do të më kishte shkuar më mbarë? Megjithatë, për të shmangur pengjet e “Po sikur-eve?”, argumentoj me faktin që në tërësinë e rrethanave të çastit të vendimit, jam munduar të bëj më të mirën e mundshme.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Njerëzit me sensin poetik, edhe brenda të zakonshmes, përpiqen të gjejnë e të përjetojnë të jashtëzakonshmen. E dua në vetvete konceptin e udhëtimit, qoftë fizik, qoftë imagjinar. “Kur të nisësh udhëtimin për në Itakë/ lutu që rruga të jetë e gjatë/ plot aventura, plot dije” – thotë Kavafis. Udhëtimi me vetveten për mua është i pakohë. Nuk dihet kur ka nisur e nuk dihet kur do të përfundojë. Mbase do të vazhdojë edhe në përtejkohë. Është udhëtim i qielltë, prej  fryme, prej dashurie, prej muze. Përmes tij, sjell pranë vetes realitete dhe njerëz të dashur që vetëm unë mund t’i shoh, t’i ndiej, t’i përjetoj dhe t’i dua. Ky është Qielli im. 

Ndërsa udhëtimi im i përditshëm nis sa hap sytë duke m’u shfaqur përtej dritares sime, hapësira blu e detit, herë nanuritës e herë me një Posejdon të tërbuar që shkumëzon dallgësh. Është bekim kjo nisje dite në çdo stinë, si një pararendje për të lehtësuar ngarkesën e ditës që herë është në mësimdhënie në Universitetin e Tiranës, Filiali Sarandë (ku jam pedagoge e jashtme) dhe herë në gjimnaz mes nxënësve e kolegëve.

 

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Meqë letërsia është njëherësh pasioni dhe profesioni im, është pak e vështirë të zgjedh thjesht një libër. Aq më tepër që kam pasur fatin të rritem nga dy prindër, të cilët kanë qenë fort të lidhur me letërsinë (im at në veçanti si profesor letërsie dhe njëherësh autor i nëntë librave të botuar). Kjo ka bërë që qysh fëmijë të ushqehem me dashurinë për librin, të më kultivohet një shije e mirë në përzgjedhjen e tyre si dhe të trashëgoj një bibliotekë shumë të pasur që gjithë jetën do të më mbante pas vetes e do të ishte oaza ime. Krejt letërsia e antikitetit ka qenë në themelet e formimit tim. Ndërsa një libër me të cilin kam krijuar një marrëdhënie të çuditshme, është libri i Markezit “Dashuria në kohërat e kolerës”. E kam lexuar në vitin e dytë në gjimnaz dhe ka shënjuar fort adoleshencën time e konceptin tim për dashurinë. Ky ishte “takimi” i parë me këtë shkrimtar që vijon ende sot. Ndoshta për vetë përjetimin e fuqishëm që kam pasur në atë moshë nga leximi i atij libri, unë nuk kam guxuar më ta rilexoj. Gjithmonë jam bërë kurioze me veten se cili do të jetë impakti i këtij rileximi në një moshë tjetër, por gjithmonë kam pasur një frikë të brendshme, të pashpjegueshme për ta rilexuar. Shpesh është vërtet i mistershëm raporti që ndërton lexuesi me librin e sidomos kur përfshihet emocionalisht.  

 

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Puna ime si mësimdhënëse është kryesisht me moshat 15 -22 vjeç, me gjimnazistë e studentë, që është mosha më e bukur. Jetoj çdo ditë me dëshirat e tyre, me aspiratat e ëndrrat e tyre, me kontributin tim modest përmes dijes së përçuar dhe jo vetëm, që ata të ndihen të realizuar në të ardhmen e tyre. Në këtë mënyrë edhe unë ndihem e motivuar e kjo gjë krijon një satisfaksion të këndshëm brenda meje. Kjo më bën që të qëndroj larg krizës së thellë morale e identitare. Them më ndihmon t’i qëndroj larg, por jo ta eliminoj dot totalisht, për shkak të këtij realiteti shqiptar që i gjen ca tentakula për t’u bërë mbytës. 

 

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Është një pyetje përpara së cilës stepem. Është një stepje nga përballja e pasens brenda meje, midis asaj si është dhe dëshirës sime si duhet të jetë kjo kulturë. Edhe ajo është pjesë e këtij realiteti moral në krizë. Shpeshherë ndodh që institucionalizohet boshësia përmes vlerësimit, ku ky sistem vlerësimi është i frikshëm në mediokritet. Dhe kam frikë se kjo gjë do vazhdojë gjatë në këtë mënyrë si është brumosur në gjithë realitetin kulturor mbarëshqiptar.  

 

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Për të tri këto koncepte të tërësisë Kohë, mund të vinte si ilustruese fjala e Nënë Terezës: “E djeshmja iku. Të nesërmen nuk e dimë.  Kemi në dorë vetëm të sotmen, ndaj duhet t’ia rinisim”. Megjithatë, nëse kthej kokën pas, do të shoh një fëmijëri të lumtur, e rrethuar nga dashuria. Një adoleshencë të mbushur plot ëndrra dhe buzëqeshje. E tashmja është zhgënjyese në realitetin shqiptar, për ne që kemi vendosur ta ndërtojmë jetën dhe t’i rrisim fëmijët në Shqipëri. Në këtë vend ku shohim çdo ditë që mbisundon antivlera, pavarësisht nga përpjekjet e një grushti njerëzish për të mos e lejuar këtë realitet që të të marrë shpirtin. E ardhmja, me themelet e këtij realiteti, pak e vështirë për t’u parë  me optimizëm, ndonëse shpesh them që e ardhmja jeton te shpresa. Edhe pse ajo bart brenda misterin, përpiqem ta mendoj të bukur, sepse e lidh me të ardhmen e fëmijëve të mi që e dëshiroj vërtet të mrekullueshme (nënkupto e një brezi). Megjithatë, ata fatkeqësisht kanë filluar ta ravijëzojnë larg këtij vendi. Kjo ka filluar që tani të më dhemb, por brenda vetes them se kanë të drejtë dhe u jap flatra ëndrrave të tyre. Ku i dihet, mbase do të jetë ky brez që do të sjellë ndryshimin e dëshiruar.

 

Një pikturë, një këngë, një film dhe një poezi, që do ta kishit veçuar?

 

Piktura “Ëndërr dashurie” e Marc Chagall që është konsideruar si Artisti i ëndrrës, një poet me krahë piktori. Një këngë: Çdo këngë që ka tingull dhe poezi e një e tillë është e Leonard Cohen: “Dance me to the end of Love” (“Kërce me mua dhe përtej Dashurie”, që po më shoqëron si kolonë zanore duke dhënë këtë intervistë). Një film: “Havana”me regji të Sydney Pollack e interpretuar nga Robert Redfort që e kam parë në vitet e Universitetit. Një poezi: “Itaka” e Kostandinos Kavafis me vargjet e jashtëzakonshme që janë një lajtmotiv jete.