PriFest shpalos programin 'Honey and Blood'

Kultura July 02, 2018 - 11:22

Në vijim të maratonës së publikimit të programeve filmike që do shfaqen përgjatë këtij edicioni, PriFest shpalos listën e filmave të programit garues kryesor të festivalit, atij të filmave ballkanik.

Programi i filmave të Ballkanit, i titulluar “Honey and Blood Program”, do të sjell këtë vit gjithsej 10 filma, prej të cilëve nga Kosova janë “Prishtina Story”, me regjisore Burbuqe Berisha, “Rooftop Story”, me regjisor Gazmend Nela dhe “The Return” (bashkëprodhim i Kosovës dhe Maqedonisë), me regjisor Kastriot Abdyli. Me shumicën e këtyre filmbërësve vendorë, gazeta “Zëri” ka biseduar gjatë procesit të realizimit të këtyre filmave dhe të gjithë ishin entuziastë në punën e tyre dhe sigurisht këto premiera janë të mirëpritura për ta, si finalizim i punës.

Tradicionalisht, programi i filmave të Ballkanit është një nga programet më interesante të festivalit dhe njëkohësisht edhe programi më i vizituar nga publiku. Një program ku autorët ballkanikë trajtojnë tema të ndryshme nga ky regjion i jashtëzakonshëm në Juglindje të Evropës. Me një titull simbolik, ashtu siç është edhe vetë kuptimi i emrit Ballkan, ‘Gjak dhe mjaltë’ (Honey and Blood) ky program sjell një përzierje të autorëve tashmë të dëshmuar të rajonit dhe atyre debutues.

Nga komedia deri te drama sociale, nga tema lufte deri tek filmat për të rinj, dhe ajo që është shumë e veçantë, disa filma nga Kosova apo në koproduksion me Kosovën. Këta janë filmat “A Prishtina Story” dhe “Rooftop story”, nga autorët debutantë Burbuqe Berisha dhe Gazmend Nela, si dhe koproduksionet e Kosovës me Maqedoninë, “The Return” nga Kastriot Abdyli dhe “Year of the Monkey”, nga Vladimir Blazevski.

Audienca e PriFest këtë vit, mes datave 17-22, korrik do të mund të përcjellë filma në hapësirat e Teatrit Kombëtar (dy salla), Kinemanë nën qiellin e hapur te sheshi “Zahir Pajaziti” si dhe në hapësirën tonë më të re,“Kino Armata”. Gjithashtu, sikur në edicionet e kaluara, edhe sivjet PriFest ofron mundësinë e blerjes së kartelave “All in One”, të cilat kushtojnë 10 euro dhe mundësojnë përcjelljen e të gjitha filmave të festivalit.