I vihet zjarri kishës në Durrës

Kultura June 07, 2018 - 10:31

Mbrëmjen e djeshme, persona ende të paidentifikuar, siç shkruhet zakonisht në njoftimet zyrtare të policisë, i kanë venë zjarrin derës kryesore të Kishës katolike të “Shën Dominikut” në Durrës, duke tentuar të shkrumbojnë këtë institucion të shenjtë. 
Unë nuk dua të bëj asnjë pandehmë për motivet që i kanë nxitur autorët të kryejnë këtë akt kriminal të shëmtuar, por sulmi dhe zjarrvënia ndaj një kishe më duket një atentat shumë i rëndë, jo vetëm ndaj besimtarëve katolikë të këtij qyteti, por ndaj të gjithë shqiptarëve, që janë përcaktuar për Evropën, që kanë zgjedhur si të ardhme për fëmijët e tyre të ardhmen evropiane.

Të gjithë ne e dimë se në Evropë nuk mund të shkohet duke u vënë zjarrin kishave dhe as duke mbyllur një sy para elementëve ekstremistë fetarë, që nuk kanë asgjë të përbashkët me kulturën dhe traditën tonë shqiptare. 
Flirtimet me radikalizmin fetar dhe islamin politik sjellin rrënimin e shoqërisë dhe të shtetit shqiptar, shkatërrojnë të ardhmen tonë. Unë besoj dhe shpresoj që institucionet e specializuara të sigurisë do ta zbardhin shumë shpejt këtë ngjarje të rëndë, përndryshe, ne ndodhemi para një rreziku që e bën çdo ditë e më të dyshimtë ekzistencën dhe të ardhmen tonë, ka shkruar në profilin e tij në FB, shkrimtari i njohura nga Tirana, Lazer Stani.