Panairi si reklamë e mirë për librin

Kultura June 07, 2018 - 10:28

Të martën në Prishtinë është hapur panairi i 20 me radhë i librit, një jubile ky i rëndësishëm për librin, përkatësisht një ngjarje kulturore më e madhja që ndodh brenda vitit e që ka të bëj me librin, ndaj të cilit ende nuk kemi ndërtuar një raport miqësor kaq të nevojshëm për shoqërinë tonë. Sigurisht që nga kjo ngjarje e madhe kulturore së pari përfitojnë politikanët, të cilët më shumë se të tjerët kanë nevojë të duken pranë librit dhe me libër në dorë, përfitojnë botuesit, të cilët prodhimet e veta i vendosin nëpër tezgat e panairit me shpresë se mund t'u paguhet angazhimi vjetor. Sigurisht që përfitojnë nxënësit dhe studentët, përfitojnë qytetarët që besojnë se shpirti i shtëpisë së tyre është biblioteka.

Nuk ka rëndësi pse ne ende po e përjetojmë krizën e lexuesit në një anë dhe hiperprodhimin letrar në anën tjetër, mbase vetë panairi i librit i shpërfaqë më së miri që të dy këto dimensione, por e rëndësishme është që të jemi dhe mbase të dukemi tek libri. Në anën tjetër, lexuesi i kultivuar, që vërtet është i pakët ndër ne, megjithatë gjen rastin që jo vetëm prodhimet  vendore, por edhe ato të importuara, në kuptimin e përkthimeve të veprave nga autorë të ndryshëm dhe gjuhë të ndryshme, mund të gjejë diçka për ta pasuruar bibliotekën e tij.

Kështu Panairi i Librit, si ngjarje e madhe kulturore, është rasti më i mirë dhe ndoshta i vetëm që mediet tona të kthejnë vëmendjen nga libri, gjë të cilën nuk e bëjnë fare ose e bëjnë fare pak gjatë gjithë vitit. Kjo edhe për faktin se hapësirat mediale edhe kur ndahen për kulturën, ndahen më shumë për krijuesit, të cilët prodhimet e tyre i shtyjnë pa i zgjedhur mjetet e jo për ata që besojnë se prodhimet e tyre ecin përpara me vlerën që kanë. Po në fakt kjo na kthen tek thënia aksiomatike se mungesa e talentit nxjerr daljen në treg. E me të tillë të patalentuar janë të mbushura tezgat e panairit. Mbase shpesh të bëhet të ndjesh keqardhje për letrën që duron gjithçka.

Në kontekst të kësaj të gjithë thonë se kjo është një gjë e kalueshme, të cilën e përjetojnë të gjitha shoqëritë në një tranzicion të ngjashëm si ky i yni, por nuk është kështu. E gjithë kjo gjendje e krijuar rreth librit dhe për librin është refleksion i një vendi me institucione të kapura nga injorantët dhe mediokrit, të cilët mision të vetëm kanë luftimin e vlerave të mirëfillta.

Kjo mbase është pamja më e dukshme edhe në këtë edicion jubilar të këtij panairi, ku si zakonisht mungojnë krijuesit më seriozë e ku si zakonisht dominojnë ata me mungesë talenti.

Sigurisht që sharmi i panairit të librit qëndron në atë se lexuesit kanë rastin më të mirë që të takohen me autorët, të dëgjojnë konferenca të ndryshme rreth librit, madje të jenë edhe pjesë e promovimeve të librave të ndryshëm, por mënyra dhe organizimi i gjitha këtyre shpërfaq atë që e thamë më lart e që në një mënyrë ngjallë një refuzim estetik tek lexuesi. Po në këtë rast e rëndësishme është që i bëhet një reklamë e mirë librit dhe njerëzit, si pjesëtarë të shoqërisë së konsumit, turren që të duken aty, mbase edhe të blejnë ndonjë libër dhe për pak habi ndonjëri nga ta edhe ta lexojë dhe ta ruaj në raftet e bibliotekës së tij.