'Trilogjia' e Rexhep Qosjes dhe simbolika e numrit tre

Kultura June 04, 2018 - 10:52

 Proza e Rexhep Qosjes shënon një fazë të re në letërsinë shqipe, një fazë letrare që para prozës së tij mungonte në letrat shqipe. Fjala është për postmodernizmin, ky formacion letrar që dominon në letërsinë e pasluftës së Dytë Botërore, pavarësisht që burimin e përdorimit të tij si term e ka qysh në vitin 1870, ku paraqiste një fenomen që i kundërvihej modernizmit. Postmodernizmi shquhet për veçanti të ndryshme në tema, motive, rrëfim dhe aspekte të ndryshme, duke pasur në qendër kombinimin. Rexhep Qosja duke i vënë themelet e postmodernizmit në letërsinë shqipe shkruan tri vepra që ndërlidhen mes tyre, pra, një trilogji me titujt: "Vdekja më vjen prej syve të tillë", "Një dashuri dhe shtatë faje" dhe "Nata është dita jonë". Tek "Vdekja më vjen prej syve të tillë", tregimi i tretë në radhë është tregimi me titullin "Trilogjia".

Qosja jo rastësisht e bën këtë gjë. Ky tregim është de facto një tregim referencial pasi përmes personazhit kuptohet tendenca e autorit për të shkruar një trilogji të veten që do të jetë vepër madhore në krijimtarinë e tij. Tregimi na e jep qartë këtë konstatim, ku Qosja me stilin e tij unik, përmes alegorisë, paraqet unin e tij të pasqyruar me figurën e Nderimit të Musës, i cili në tregim, nga ana e narratorit, paraqitet si një prozator i njohur, që është anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve që nga mosha njëzet e njëvjeçare. Për ta parë edhe më qartë referencën direkte që bart kjo me figurën e vetë autorit po citoj pjesën kur përshkruhet jeta, ambienti dhe qëllimi i personazhit.

Ishte rritur në një familje së cilës i kishin munguar edhe qylymi në dysheme, edhe hallva e buka e grurit natën e madhe, por atëherë  nuk ishte ankuar se as të tjerët s’i kishin të gjitha. Në qoftë se atëherë mund të jetohej edhe ashtu, se kurrkush s’e tregonte me gisht, në këtë kohë nuk ishte e thënë të vuante edhe për gjërat për të cilat nuk vuanin disa prej kolegëve të tij, që e kishin kaluar lumin edhe qeshnin në breg. Ia merrte mendja se veprat e rëndësishme artistike nuk i kishin bërë ata që kishin jetuar për gazep dhe nuk ngurronte të pohonte se Mikelangjeloja, Bethoveni, Gëteja, Tolstoi dhe Pikasoja, kishin bërë ç’kishin bërë pse s’e kishin lodhur kokën për ato për të cilat detyrohej ta lodhte ai. E Nderimi donte të krijonte një vepër të rëndësishme, të madhe, një vepër për krijimin e së cilës i duheshin edhe koha, edhe gjatësia, edhe hapësira, edhe mirëkuptimi i të tjerëve. Këtë vepër madhore, monumentale, jetësore, ai e quante trilogji”.  (Rexhep Qosja, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rilindja, Prishtinë, 1980)

Qosja në këtë tregim përveç alegorisë luan me simbolika, veçanërisht me simbolikën e numrit tre. Përveç trilogjisë në domenin e tri veprave të lidhura njëra me tjetrën, përmenden tri personazhet, pra, në qendër të tri librave të Qosjes janë tri personazhe kryesorë në secilin prej tyre. Qosja luan me numrin tre duke e bërë simbolikën kryesore të tregimit. Përmend shtëpinë e vjetër me tri kate, familjen me tri anëtarë, tri kate, tri dhoma, tri pikturat, tri skulpturat etj. Përmes alegorisë së trilogjisë Qosja paraqet synimin e tij për të ndërtuar një vepër trilogjike që do të pasqyrojnë dukuritë e ndryshme të natyrës filozofiko-etike, me strukturë moderne psikologjike, duke vënë në shënjestër virtytet dhe veset e shoqërisë së kohës në të cilën jeton. Gjithë ambienti dhe shoqëria kamuflohet përmes rrëfimit të një narratori të gjithëdijshëm dhe sillet përreth personazhit të Nderimit të Musës (alteregoja e Qosjes), ndërsa papagalli është simbol tjetër, përmes të cilit Qosja pasqyron idenë. Në planin ideor, dy papagajt e shtëpisë janë dy narratorët e dy romaneve të parë, që bartin idetë përfaqësuese të romanit, kurse papagalli i tretë është zëdhënës i autorit. Kështu, papagalli i katit të pare thotë: Vuajtja. Pra, ai e thotë idenë kryesore të romanit të pare: Vuajtja nga okupatori. Papagalli i dytë thotë: dashuria është smirë. Fjalët e këtij papagalli pajtohen me idenë e romanit të dytë, ku dashuria shihet si faj. Ndërsa papagalli i tretë thotë: Në ndenjëse krijohen trilogjia dhe emri. Pra, papagalli i tretë nxjerr në shesh autorin dhe bindjen e tij për përkushtimin ndaj letërsisë (trilogjisë). Autori për të krijuar trilogjinë dhe emrin ka ndenjur në ndenjëse plot tridhjetë e tri vjet. (Ag Apolloni, Parabola postmoderne, Instituti Albanologjik, Prishtinë)


Këtë tregim e karakterizon figura e alegorisë, simboli, përsëritja si dhe enumeracioni që e shquan prozën e Qosjes në përgjithësi. Nuk mungojnë as figurat tjera përmes të cilave Qosja krijon një stil që e karakterizojnë rrëfimin për nga aspekti stilistik dhe narrative duke e bërë atë të jetë postmoderniste, ajo që theksova në fillim. Trilogjia e Nderimit të Musës është trilogjia reale e Qosjes. Ky tregim është vetëm një nga shembujt tipik, ku Qosja dëshmon për autenticitetin, kombinimin postmodern dhe vlerën e tij letrare. Meqë një nga parimet bazë të postmodernizmit është që gjërat e vogla t’i bëjë të mëdha, Qosja përmes një tregimi të shkurtër siç është Trilogjia pasqyron në formë alegorie një detaj të vogël nga jeta e tij, por që ka një vlerë madhore në jetën e tij si shkrimtar. Dhe jo rastësisht, shkrimtari i madh vërehet edhe në raste të tilla.