"Iliadën" të gjithë e shkruajmë nga pak

Kultura June 02, 2018 - 11:00

Në rubrikën e rregullt të së shtunës, "Jepi Zërit", prezantojmë publicistin dhe shkrimtarin nga Shkupi i Maqedonisë, Emin Azemin, i cili aktualisht punon si pedagog në Universitetin UJEL dhe kryen punën e redaktorit përgjegjës në gazetën "Koha" në Shkup.

Emin Azemi ka lindur më 6 mars 1960, në fshatin Stançiq (Karadaku i Gjilanit), ndërsa banon në Shkup. Shkollën fillore dhe gjimnazin i ka mbaruar në Kumanovë, ndërsa Fakultetin Filozofik - Letërsi dhe Gjuhë ka mbaruar në Prishtinë. Studimet postdiplomike (Komunikologji) ka mbaruar në Shkup. Ka punuar si gazetar-redaktor (1988 – 1987) në ‘’Bota e re’’, Prishtinë, gazetar (1989 -1992) – Rilindja’’, Prishtinë, redaktor (1992-1995) – ‘’Flaka’’, Shkup, kryeredaktor (1995 – 1997) – ‘’Bota sot’’, Cyrih, botues ( 1998 – 2011) - ‘’Fakti’’ – Shkup. Ka të botuar librat ‘’Agimet polare’’ (poezi) dhe ‘’Shqiptarët e Egjiptit’’ (bashkautor) Emini njihet edhe si autor i shkrimeve publicistike dhe sprovave letrare/ teorike për letërsinë, teatrin...botuar në shtypin shqiptar në Prishtinë, Shkup e Tiranë. Disa prej këtyre shkrimeve i ka në dorëshkrim, përkatësisht në proces botimi.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Pse herë -herë tregohem naiv, atëherë kur duhet të jem më i zgjuar.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Punë(gazetë) – shtëpi dhe ndonjë devijim (pauzë) brenda ditës.
Udhëtimi si nocion filozofik dhe praktik, është kuptimi më domethënës i jetës që rrjedh dhe të udhëtosh, do të thotë të jetosh.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

"Iliada" e Homerit

“Iliada” më duket që ende nuk ka mbaru si vepër dhe më bëhet se të gjithë ne për çdo ditë e shkruajmë atë nga pak, sepse fati universal i njeriut që humb diçka të shtrenjtë dhe kompensimi për ta rigjetur atë, vazhdon ta preokupojë njerëzimin

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

 

I pafuqishëm për të ndryshuar diçka dhe i frikësuar për pasojat. Politika e keqe, artistët e tallavasë, biznesmenët dallaveraxhi, intelektualët e shpifur, konformistët e kamufluar, eksponentët radikalë fetarë, po bëhen zotëruese të jetës tonë publike e shpirtërore dhe mungesa e një alternative të fuqishme qytetare e intelektuale ka bërë që antivlerat të bëhen “këmishë” e trupit tonë të sfilitur nga mungesa e kreativitetit kolektiv. Më duket se herë- herë po e humbim hapin në betejat që duhet t'i bëjmë aty ku duhet ti bëjmë dhe jo rrallë futemi në beteja që nuk na sjellin kurrfarë fitore

 

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

 

Mungon një strategji e mirëfilltë për zhvillimin e kulturës. Ka iniciativa dhe përpjekje të izoluara, por mungon një ambient më produktiv për nxitjen dhe afirmimin vlerave e profileve krijuese. Kultura shqiptare ende është e fragmentuar dhe po punohet shumë pak që të kemi një hapësirë të integruar kulturore e shpirtërore gjithëkombëtare. Njerëzit e artit e kulturës duhet ta imponojnë një platformë kulturore “pan albanica”.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Dje ishim më pak të lirë, por kishim më tepër “spontanitet të organizuar”. Sot kemi më shumë liri, por më tepër “anarki spontanitetesh”. Sot virtualiteti në komunikim  po e vret ngrohtësinë e kontaktit/raportit njerëzor. Po ndodhë një industrializim ndjenjash me nusprodukte nga jeta jonë e improvizuar, nga jeta e njerëzve me shumë teke e me pak dashuri e njerëzillëk në mes veti. Nesër nuk e di si do të jetë, por sigurisht çdo e nesërme paguan koston e të djeshmes. Uroj që brezat pas nesh të paguajnë më pak kosto të budallallëqeve tona të sotme.

 Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Piktura,”Gernika” e Pikasos, poezia, “Korbi” e E. A. Poes, kënga “My Heart Will Go On”e Celine Dion dhe filmi  “Legjenda e pianistit mbi oqean” me regji dhe skenar të Giuseppe Tornatore

Image
Image