Kodra në galerinë e Maqedonisë

Kultura May 12, 2018 - 12:58

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Ibrahim Kodrës, Galeria Kombëtare e Maqedonisë, ka organizuar një ekspozitë. Ekspozita do të hapet këtë të shtune (12 maj), prej orës 20: 00 në “Qifte Amam”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Aty do të ekspozohen 57 vepra të punuara në periudhë kohore prej vitit 1942 deri në 2005. 36 vepra janë marrë nga Fondacioni “Ibrahim Kodra”, në Milano, ndërsa 20 tjera nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Bëhet e ditur se ekspozita për nder të piktorit Ibrahim Kodra do të jetë e hapur deri me 12 qershor.

Ibrahim Kodra është njëri prej piktorëve më të mirë shqiptarë. Ai ka lindur me 22 prill të vitit 1918, në Ishëm të Shqipërisë. Kodra kur kishte vetëm 20 vjet u largua nga Shqipëria për në Itali, pasi që kishte fituar një bursë studimi nga oborri mbretëro për Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Ibrahim Kodra ka ekspozuar në shumë vende si Milano, Venedik, Paris, Beograd, New York dhe Romë.

Kodra kishte raporte të mira me piktorë të mëdhenj si Picasso, Matis, Guttuso, por edhe me poetë, shkrimtarë, kritikë e regjisorë. Ibrahim Kodra vdiq me 7 shkurt të vitit 2006, në Milano të Italisë, ku pas vetës ka lënë rreth 6 mijë vepra, ndërsa vetëm 2 mijë prej tyre janë të dokumentuara.

Kodra, i vlerësuar edhe si ftillues i një qytetërimi të ri, "i fundmi i postkubistëve", kishte pasur fatin që në botën shqiptare, Prishtina e para ta zbulonte famën e tij evropiane. Edhe ekspozitën e parë në tokën arbërore do ta mbajë më 1968 në Prishtinë, ndërsa në Shqipëri ende ishte "i panjohur". Dhe vetëm në vitin 1974 për herë të parë do të ekspozojë pikturat e tij, që kishin mrekulluar botën, që deri në fund të jetës, sipas studiuesve, kishte krijuar rreth 6 mijë sosh. 
Për herë të fundit në Kosovë do të ekspozojë në Galerinë e Arteve të Kosovës, në vitin 2003, ku pat hapur ekspozitë personale, ndërsa që një pjesë e punimeve të tij janë në fondin e Galerisë. Po këtë vit edhe Tiranën do ta vizitojë për herë të fundit dhe po ashtu për herë të fundit do të ekspozojë. Në Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë ruhen vetëm 2 tablo origjinale të kodrës, të viteve 30 dhe disa litografi, riprodhime të temës “Shqipëria fantastike". Ndërsa kishte qenë vetëm edhe një herë më parë në Shqipëri, në vitin 1997, i ftuar nga Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha.

A.S.