Ndërmerren hapa konkret për Sallën Koncertale në Prishtinë

Kultura May 11, 2018 - 10:15

Përfundimisht kanë nisur të zhvillohen hapat konkret drejt realizimit të projektit për një sallë koncerti në Prishtinë. Yll Rugova, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Prishtinës ka njoftuar se projekti për funksionalizimin e një salle të tillë do të mbështetet në vlerë prej 15.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, ndërsa ka theksuar se deri në fund të vitit do të përzgjidhet projekti fitues me konkurs ndërkombëtar, kurse ekipi i Vlerësimit Teknik tashmë është kompletuar, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Tashmë është kompletuar edhe Technical Assesment Team (TAT) për Sallën Koncertale që do të ndërtohet në Prishtinë. Ky projekt do të mbështetet në vlerë prej 15.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian.

Sipas planit aktual, pas analizave finale nga ekspertët dhe diskutimeve me komunitete dhe palë të interesit, deri në fund të vitit do të përzgjidhet projekti fitues me konkurs ndërkombëtar. Është lajm shumë i mirë se disa arkitektë me renome botërore veçse kanë shprehur interesimin të marrin pjesë.

Me këtë projekt të përfunduar, Kosova do ta ketë investimin më serioz në kulturë në këto vitet e pasluftës. E ky duhet të jetë veç fillimi, projektet tjera të mira janë në proces”, ka njoftuar Rugova përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Rikujtojmë se kjo sallë do të jetë në objektin ish-Gërmia, në vendin ku sot është vendosur Administrata Tatimore e Kosovës, përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në një intervistë për gazetën “Zëri” javë më parë Rugova u zotua se i gjithë ky projekt do të përfundojë deri në fund të këtij viti. Ai shprehi dëshirën që përveç një salle koncertale të ketë edhe një monument kulture në qendër të Prishtinës.

“Ne synojmë që të nisim mbarë këtë proces dhe shpresojmë në bashkëpunim edhe të MKRS-së, por edhe me donatorët ndërkombëtarë. Prishtina si kryeqytet me një sallë të tillë plotëson nevojat jo vetëm të qytetit, por edhe të gjithë vendit. Kosova është kryeqyteti i vetëm në Evropë që nuk e ka një sallë të mirëfilltë koncertale. Ideja është ta kemi një sallë koncertale, me kapacitet adekuat në qendër të qytetit. Për momentin, me gjithë kapacitetet tona, jemi të fokusuar që kjo sallë të bëhet në objektin ish-Gërmia, në vendin ku sot është vendosur Administrata Tatimore e Kosovës. Shumë shpejt do të fillojmë edhe një evakuim teknik të këtij lokacioni, e më pas deri në fund të vitit po shpresojmë ta kemi përfunduar në tërësi një projekt ndërkombëtar. Duam të kemi jo vetëm një sallë koncertale, por një monument kulture në qendër të Prishtinës”, pati deklaruar ai.

Që nga paslufta komuniteti artistik i Kosovës pret për një sallë të denjë që do t'i plotësonte kushtet për ngjarje të mëdha kulturore.

Premtimi se Prishtina do të bëhet me një teatër të operës dhe baletit dhe një sallë universale për koncerte është tashmë i vjetër. Ky projekt ngeci për disa vite dhe si gjurmë e tij ka mbetur një gropë e madhe në lagjen “Bregu i diellit”, në Prishtinë, ku parashikohej të ndërtohej një Teatër i Operës dhe Baletit, të cilit i është zgjedhur edhe emri “Ibrahim Rugova”.

Trupa Kombëtare e Baletit objektin e ndanë me stafin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ani pse që nga 2005-ta janë dy institucione të ndryshme. Kjo trupë e cilëson si shumë të vjetruar dhe si objekt që nuk po i plotëson kushtet e balerinëve.

Gjendjen më të mirë nuk e ka as Filarmonia e Kosovës, institucioni më i lartë muzikor në vend që këtë vit shënon 18-vjetorin e themelimit, pa një sallë që i plotëson kushtet për mbajtjen e koncerteve dhe ushtrimeve.

Deri atëherë ata do të vazhdojnë t’i japin koncertet e tyre në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, e cila përveçse nuk i plotëson kushtet nuk ka as kapacitet të mjaftueshëm për t’i zënë publikun e interesuar për Filarmoninë e Kosovës, apo në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, që vazhdon të ketë probleme me ngrohje.

Si rezultat i kësaj mungese shumë ngjarje më të mëdha muzikore organizohen në periudhën e verës kur moti është më i qëndrueshëm në disa ambiente të hapura, siç është amfiteatri i Parkut të Gërmisë, apo sheshet qendrore të qytetit.

Kjo e bën edhe Teatrin Kombëtar të Kosovës të hap shpesh dyert për organizime që nuk janë pjesë e programit të brendshëm të tij. Zëri