Komuna e Prishtinës ndanë vetëm 1.500 euro për Panairin e Librit

Kultura May 11, 2018 - 10:11

Komuna e Prishtinës ka vendosur që të përkrah vetëm më 1.500 euro organizimin e Panairit të Librit, që pritet të mbahet se shpejti sivjet, shkruan sot gazeta "Zëri".

Me rastin e aplikimit për subvencione organizatorët e panairit e kanë parë të arsyeshme të kërkojnë nga 6,500 euro, kurse të enjten kanë kuptuar se janë përkrahur me 5.000 euro më pak se shuma që e kanë kërkuar.

Besian Zeneli, pjesë e ekipit organizativ të Panairit të Librit, ka thënë për gazetën “Zëri” se janë të zhgënjyer me këtë përkrahje të cilën po e konsiderojnë si të pamjaftueshme për organizimin e një panairi, siç është ai i librit.

“Nuk kam koment, përderisa gati 40.000 euro jepen për muzikë dhe rreth 3.500 jepen për libër, pra rreth 8% e shumës që jepet për muzikë, jepet për libër, kjo tregon se sa e vlerësojnë librin ata”, thotë Zeneli.

Ai tutje theksoi se, duke qenë që sivjet shënohet përvjetori i 20-të i Panairit të Librit, ata kanë synuar të organizojnë një edicion më të veçantë.

“Këtë vit është edicioni i 20-të i Panairit të Librit dhe ne kemi planifikuar të jetë diçka më e veçantë, por sido që të jetë ne do të përpiqemi të bëjmë punën tonë. Ata kanë thënë se këto rezultate nuk janë përfundimtare. Ne do të bëjmë një ankesë në emër të Shoqatës së Botuesve të Kosovës dhe shpresojmë që do ta marrin parasysh”, tregoi Zeneli.

Panairi jubilar, i 20-të, do të mbahet nga 5-10 qershor 2018, në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

“Pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora. Numri i titujve të rinj pritet të jetë rreth 1400-1500, ndërsa numri i titujve të viteve të fundit, rreth 5000.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës”, thuhet në faqen zyrtare të panairit për edicionin e ri.

Përveç Panairit të Librit Komuna e Prishtinës ka financuar me 2.000 euro edhe Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë “Polip”, që organizohet nga Qendra Multimedia. Zëri