Anton Udina Burburi, njohës i gjuhës dalmate-ilire

Kultura May 10, 2018 - 09:46

Islam Balaj

Ilirët njihen si populli më i lashtë në histori, të cilët e zotëruan për një kohë shumë të gjatë gjithë Gadishullin, që edhe sot mbiquhet Gadishulli Ilirik. Për këtë dëshmojnë toponimet dhe antroponimet e shumta, të cilat edhe sot e kësaj dite, mbajnë emra ilirë.                                                                                                                  

Erazmo Roterdami, i njohur si përfaqësuesi më eminent i humanizmit evropian, në shek. XV-të, në veprën e tij “De bello Turcis enferendo” (1530), ku flet për pushtimet turke në Ballkan dhe më gjerë, ndër të tjera përmend edhe tokat ilire të Gjirit Ilirik..                                                                                                      

Këtë herë, do të ndalem në Ishullin e njohur kroat- Krk, më konkretisht, në qytetin me të njëjtin emër. Aty ku 195 vjet më parë, ka lindur, njohësi i fundit dhe i vetmi i gjuhës dalmate-ilire,Anton Udina Burbur. Qyteti Krk, siç dihet, është njëri nga qytetet më të lashta në bregdetin kroat, i cili që në lashtësi ishte i populluar me ilirë. Dhe sipas zbulimeve të shumta arkeologjike që janë kryer atje, rezulton se këtë qytet, që në lashtësi, e kanë themeluar dy fiset e njohura ilire: Japodët dhe Liburnët.

Ka vite që kisha dëgjuar për këtë personalitet kaq të shquar dhe atë nga vetë banorët autoktonë të ishullit Krk. Sepse kam pasur fatin dhe kënaqësinë t’i vizitoj shpesh këto vende dhe nga afër të njihem me lashtësinë e këtij qyteti dhe qyteteve të tjera të bregdetit dalmatin. Aty gjithashtu kam njohur njerëz të mrekullueshëm të cilët i karakterizonte një kulturë e veçantë dhe atë si në sjellje, ashtu dhe në mënyrën e komunikimit, të mikpritjes, etj. Pra, kisha dëgjuar, por jo edhe lexuar diçka konkrete për këtë njeri të jashtëzakonshëm. Për këtë figurë kaq të rëndësishme, por fatkeqësisht të harruar për një kohë bukur të gjatë. Derisa më në fund, në vitin 2017 u botua në gjuhën kroate, një libër për të. Libri titullohet “Tako je govorio Burbur”, (“Ashtu ka folur Burbur-i”) me autor Alan Zic Teklin.                                                                                                                                                                                                            

Anton Udina Burbur-i ishte një njeri i thjeshtë, por me një vizion të qartë e të admirueshëm. Deri vonë i panjohur, për të mos thënë, i harruar krejtësisht. Ai ishte një figurë shumë e rëndësishme, mbase më e rëndësishmja në gjithë historinë mijëra vjeçare dalmate dhe më gjerë. Madje, figura më emblematike, do të thosha.                                                                                                                              

Ai u lind dhe jetoi në ishullin Krk, ose më saktë, në qytetin me të njëjtin emër. U lind në vitin 1823, ndërsa vdiq me 10 Qershor të vitit 1898, pikërisht në orën 18 të asaj pasdite, nga një bombë (minë) e vendosur pranë kishës, në kohën kur Antoni gjendej aty me shërbim. Bomba, shpërtheu furishëm duke hedhur në ajër kishën, e bashkë me kishën edhe vetë Antonin, si dhe gjithë dorëshkrimet e tij të mbledhura vite e vite me radhë, për të mos thënë, një jetë të tërë, në mënyrë shumë të kujdesshme dhe me përpikmërinë më të madhe, ashtu si di të bëjë veç një mendje e ndritur dhe vizionare. Pra, kisha ishte përfshirë e gjitha nga flakët, bashkë me dokumentacionin e ruajtur me aq fanatizëm nga Anton Udina Burbur-i. Dhe e gjithë kjo ndodhi në rrethana krejt të panjohura dhe të pashpjegueshme. Por çuditërisht, vdekja e tij tragjike dhe krejt e pakuptimtë, edhe sot e kësaj dite, ka mbetur enigmatike.

Dhe ç’është më e keqja, me vdekjen e tij, vdiq edhe gjuha dalmate me elemente të ilirishtes, sepse Burbur-i cilësohet si njohësi i fundit dhe i vetmi i kësaj gjuhe, sa të lashtë, po aq dhe me vlera të pakontestueshme gjuhësore, kulturore, historike, etnologjike etj. Me vdekjen e gjuhës, thonë, vdes edhe populli.                                                                                                                          

Burbur-i, me një pasion të jashtëzakonshëm dhe gati profetik, u dha pas mbledhjes së leksikut të gjuhës së lashtë dalmate. Pas atij thesari tepër të çmuar leksikor që kishte rrezik të zhdukej në mënyrë të pahetueshme. Dhe këtë, si askush tjetër, e kuptoi fare mirë Burbur-i. Por vetëm Burbur-i. Prandaj ai me një adhurim të pashpjegueshëm i dha vetes detyrë, ose thënë ndryshe, e  përqafoi një mision sa të shenjtë, po aq dhe të çuditshëm e të vështirë, që t’i rrekej  punës për të mbledhur sa më shumë fjalë, shprehje, urime, proverba etj. dalmate. Vetëm e vetëm që ta mbajë të gjallë gjuhën e të parëve. Prandaj, për këtë qëllim ai rendi nëpër fshatrat e ishullit, atje ku ende ruhej me fanatizëm gjuha dalmate. Shkoi tek njerëzit e thjeshtë, tek të pashkollët, ku ende ruheshin proverbat, anekdotat dhe shprehjet aq të dashura dalmate, dhe fliste me ta dalmatisht. Ashtu si një arkeolog i palodhur që gërmon në thellësitë e kohës për të zbuluar lashtësinë. Sikur ta dinte se me vdekjen e tij tragjike, njëherësh do të vdesë edhe gjuha për të cilën ai ia kushtoi një jetë të tërë. Me një fjalë, Burburi ishte një njeri i thjeshtë, por me shpirt të madh.

Ai nuk ishte filolog, por më shumë se filolog. Ai kishte një simbolikë më domethënëse, shumëdimensionale dhe më gjithëpërfshirëse, e cila do ta përfaqësonte jo vetëm fushën e filologjisë, por dhe atë të etnografisë, kulturës, historisë etj. Prandaj, them se misioni i tij ishte sa i shenjtë, po aq dhe i shumëfishtë e shumë domethënës.                                                                                                           

Kjo dëshmon se gjuha dalmate, si pjesë e gjuhës ilire, edhe pas pushtimit romak, ende shkruhej dhe flitej rrjedhshëm dhe ëmbël në Dalmaci. Madje edhe atëherë kur gjuha latine u bë gjuhë zyrtare e letrare, gjuha dalmate nuk humbi krejtësisht, por vazhdoi të mbijetojë. Ndonëse gjuha latine pati ndikim dhe në gjuhën dalmate, ashtu siç patën ndikim dhe dialektet dhe nëndialektet që lindën më vonë, si pasojë e dobësimit të Perandorisë Romake e njëherësh dhe të gjuhës latine, si gjuhë e saj administrative.