Prishtina pret me nderime tenorin Ramë Lahaj

Kultura May 09, 2018 - 13:25

Pas një rrugëtimi disa vjeçar në disa nga skenat më të njohura të muzikës që ai e kultivon, tenori Ramë Lahaj, u kthye me një koncert në Kosovë, prej ku edhe nisi ëndrra e tij, shkruan sot gazeta "Zëri".

Lahaj erdhi si mysafir nderi në kuadër të manifestimeve për Ditën e Evropës, organizuar nga Unioni Evropian në Kosovë dhe Zyra Kulturore e BE-së. Në një koncert me rreth 300 të ftuar, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, mbrëmjen e së martës ai interpretoi nën shoqërinë e pianistit Alessandro Amoretti disa nga veprat më të njohura të Verdit, Donizettit e Puccinit.

“Është kënaqësi. Është bërë goxha kohë që unë nuk kam ardhur të performoj në Prishtinë e në Kosovë. Jo pse nuk ka qenë dëshira, por ka qenë fillimi i karrierës time dhe kam qenë i zënë. Në fakt edhe në këtë periudhë që kemi ardhur me Alessandron këtu unë kam qenë në përgatitje të disa odeve me të cilat, vitin e ardhshëm, do të debutoj me një në Moskë dhe me një në Barcelonë, por duke e parë që ishte një kauzë që vërtetë më pëlqej, u shkëputa për pak”, tha Lahaj në konferencën për media që i parapriu koncertit.

Përkundër faktit që ka shkelur në skena të mëdha ndërkombëtare, Lahaj u shpreh se interpretimi në Prishtinë i jep një ndjesi të pakrahasueshme me të tjerat.

“Është një përgjegjësi. Po e them kështu sepse shumicën e rasteve kur e kam diskutuar me kolegë apo artdashës më kanë thënë se u bënë 5-6 vjet që s’ke ardhur të performosh në Prishtinë. Dëshira ka qenë, siç e thashë në fillim, por ka qenë problematike ta aranzhosh, sepse ato pak ditë që i kam pasur të lira kam provuar të studioj, sepse ka shumë materiale të reja që më presin. Gjithmonë kam dashur ta kem një arsye të veçantë. Jo vetëm të vi ta bëj një koncert, por koha nuk më ka favorizuar. Prishtina ose Kosova më jep një kënaqësi të veçantë, por edhe një lloj stresi që nuk e gjen gjithkund”, theksoi Rama.

Me qëllim që të ketë mundësi të takojë nga afër dhe të njihet me talentet e rinj të fushës së tij, tenori Lahaj do të mbajë të mekurën në Prishtinë një masterklasë. Në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ai do të takohet për nga afër me të gjithë në ora 15:00.

“Masterklasa është pjesa e preferuar e imja, sepse është shumë e veçantë se sa shumë talente ka ky vend. Është vërtetë e vështirë, duke përfshirë këtu të gjitha vendet që kam udhëtuar nëpër botë, me arrit me gjete vokale që kanë një veçanti si kjo e zonës sonë, në përgjithësi gjithë Ballkani, por veçanërisht në Kosovë e Shqipëri. Jam shumë interesuar dhe kam bërë edhe disa punëtori të vogla pasi që gjithmonë kërkoj për talent të reja, talent të cilët kisha mundur me i sugjeruar ose me i orientuar diku dhe jam i kënaqur që nesër do kemi mundësi të punojmë pikërisht me talent të rinj”, u shpreh Lahaj.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë tenori Lahaj është nderuar edhe me Medaljen Presidenciale të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në anën tjetër, pianisti që e shoqëroi tenorin kosovar, Alessandro Amoretti u shpeh para mediave se është shumë i kënaqur që ka ardhur për të shoqëruar tenorin Lahaj për një koncert në Kosovë.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Për shumë arsye. Një nga to është që kam rastin ta shoqëroj një nga miqtë e mi më të mirë, të cilin nuk pata rastin ta njoh shumë moti. Unë punoj me shtëpi të ndryshme operash në botë, që i përgatisin këngëtarët për performanca dhe dikush më rekomandoi të punoj me Ramën dhe kështu ne u njohëm. U mahnita nga bukuria e zërit të tij”, theksoi Amoretti.

Vjosa Berisha, nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian, tha se ardhja e Ramë Lahajt është mundësuar nga shefja e zyrës së BE-së për Kosovë, Nataliya Apostolova.

“Kemi një nder të veçantë që Nataliya Apostolova ka vendosur që këtë vit Ditën e Evropës ta shënojë, duke na e mundësuar që Ramë Lahaj, përkundër agjendës së tij shumë të ngarkuar, të performojë sonte në Prishtinë dhe të mbajë edhe masterklasë”, tha Bjosa Berisha.

Tutje Berisha tregoi se përveç koncertit dhe mastërklasës nga Ramë Lahaj, për nder të 9 Majit, Ditës së Evropës, kjo qendër ka organizuar edhe një varg aktivitetesh tjera. Këtu përfshihen një vizitë në Parkun Arkeologjik të Ulpianës, shfaqje filmash, diskutime e punëtori të ndryshme. Zëri"