Kosova në festivalin ndërkombëtar të koreve botërore

Kultura May 08, 2018 - 11:05

Kori i qytetit të Pejës "Siparantum Choir", të hënën ka udhëtuar për në Nancy të  Francës, me ç'rast do të jetë pjesë e festivalit ndërkombëtar të koreve botërore "Nancy Voix Du Monde 2018" në Francë, që mbahet nga data 9-13 maj, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ky kor do të paraqitet rresht me disa koncerte në lokacionet më të njohura të vendit si; Temple à NANCY, la salle Erkman à LUNEVILLE, Grand Salon de NANCY dhe Place Stanislas à NANCY, ku në këtë mbrëmje ne do të paraqitemi bashkë me shtetet si;  Algjeria, Gjermania, Argjentina, Bullgaria, Kili, Ekuadori, Filipinët, RD e Kongos, R. Çeke, Zvicra, Ukraina etj.

"Për këtë program ne jemi duke punuar gjatë dhe intenzivisht dhe ja që mundi u shpërblye . Edhe pse kori është formuar vitin e kaluar, konsideroj se kemi bërë një punë të madhe dhe e gjithë kjo në baza vullnetare, vetëm për të pasuruar kulturën dhe vlerat tona. Për këtë gjë i jam falënderues gjithë atyre që na kanë përkrahur drejt qëllimeve tona artistike. Shpresoj që do të kthehemi me paraqitjet tona më të mira nga Franca", ka thënë presidenti i korit, Fatmir Bajraktari.

Kori "Siparantum" do të paraqitet me vepra të kompozitorëve të njohur botërorë dhe vendorë, si; Whitacre, Bartolucci, Runestad, Gjeilo, M. Mengjiqi, K. Aliçkaj, D. Zeqiri-Nushi, M. Kelmendi etj.

"Është kënaqësi për mua si dirigjent të jem pjesë e këtij eventi shumë të rëndësishëm, ku shteti ynë Kosova paraqitet për herë të parë në këtë festival, me ç'rast ne do të paraqitemi me vepra të një repertori të ndryshëm, duke përfshirë po ashtu vepra të kompozitorëve të njohur botërorë, por që qëllimi kryesor është paraqitja e motiveve dhe vlerave tona kombëtare në këtë festival. Ndjehem krenar që shoh flamurin e shtetit tonë në mesin e shteteve të botës në këtë festival, që për neve si shtet, konsideroj që është një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore për ne", është shprehur dirigjenti Memli Kelmendi.

Pjesë e programit do të jenë: Agron Shujaku, piano; Matej Karaqi, vokal; Arita Bajraktari, soprano dhe piano;  Bleona Leka, piano; Rexhë Dobrunaj, bas dhe bariton; Erjon Palucaj, vokal ; Luan Sapunxhiu, gitarë ; Rizah Jahaj, tenor; Blerina Zeka, flaut; Durim Jasharaj, fagot.Pjesëmarrja e shtetit të Kosovës në këtë festival është përcjellë edhe nga media të shumta franceze. Zëri