Në kujtim të artistit Demir Behluli

Kultura May 07, 2018 - 11:39

Tefik Selimi

Nga dje, ngjyrat, lapsi, enët, brushat, pëlhurat dhe elemente tjera të pikturës e të shkrimeve publicistike e letrare, pushojnë, sepse mjeshtri i tyre nuk është më. Ai ka ndërruar jetë. Demir Behluli ishte një njeri i artit piktural dhe i formave të tjera të artit letrar e publicistik. Ai gjatë këtyre 80-vjetëve jetë la pas krijime të rëndësishme, të shpërndara jo vetëm nëpër hapësirat shqiptare, por edhe nëpër botë.  Sapo ka lënë në dorëshkrim një vepër tjetër me vështrime nga publicistika me titull “Të tjerët për artin e Demir Behlulit”, shkruan sot gazeta Zëri.

Demir Behluli lindi më 1938, në Ranatoc të Preshevës. Ishte fëmija i pestë, por i pari i shkolluar në familjen Behluli. Shkollën fillore e kreu në Maxhere të Preshevës. E pati mësues të parë Sadri Ymerin nga Presheva. Shkolla ku ai mësoi ishe një vatër e hershme e diturisë, e vitit 1949. Pas kryerjes së shkollës katërklasëshe, në Maxhere, ku në një shtëpi private, pa libra e fletore, me një tabelë “speciale” i bëri detyrat e shtëpisë. Mandej, ai regjistrohet në gjimnazin e ultë dhe, katër klasë të tjera i mbaroi në Preshevë, më 1953.

Demiri ishte nxënës shembullor, or mbi të gjitha ishte artdashës i madh i artit të pikturës. Pikturën e kishte profesion, ndërsa letërsinë e kishte pasion. Një kohë, ky piktor, artin e ka ligjëruar nëpër shkolla. Pikturat e tij, më të hershme, janë art kohe e jete. Ky lloj arti i tij edhe sot shijohet nga të gjithë. Është i vetmi piktor në Kosovë, i cili në objektet e fensë islame e katolike ka futur elemente kombëtare shqiptare. Behluli këtë punë për herë të parë e bëri në kishën katolike "Shën Ndau" të fshatit Binçë, të komunës së Vitisë, ku brenda mureve të kishës regjistroi nëpërmjet muraleve kalvarin e martirëve të Karadakut, duke i dhënë kështu kishës një frymë krejtësisht kombëtare, gjë kjo e cila ka bërë që vizitorë të ndryshëm nga hapësira shqiptare dhe më gjerë ta vizitojnë këtë kishë. Është brusha e parë që ka depërtuar nëpër objektet e kulteve fetare.

Demiri na ishte edhe krijues i artit letrar. Vepra e tij është një anë e këndshme e letërsisë shqipe. Ka botuar 20 vepra në prozë e poezi. Ka krijuar mbi 3000 vepra artistike. Punoi 850 portrete, organizoi 9 ekspozita personale, ndërsa organizoi mbi 63 ekspozita kolektive. Ai u shqua edhe si skenograf. Punoi 7 skenografi për veprat e skenuara në Teatrin Kombëtar të Gjilanit. Mandej punoi 47 ballina librash, ilustroi 30 libra, realizoi 63 dizajne perdesh, realizoi 7 stripe origjinale, iu botuan 185 reproduksione nëpër gazeta të ndryshme, realizoi mbi 60 murale, pikturoi 650 m2 afreska në Kishën e Binçës (në Viti) me 520 figura shqiptare. Ai dekoroi enterierin e 40 xhamive me 26.000 m2 arabeska origjinale shqiptare, botoi 14 libra dhe u prezentua në 10 libra të përbashkëta. Për punën e tij madhore, ai u shpërblye nga viti 1957 e gjer më 2004 mbi 11 herë dhe mori 24 diploma e mirënjohje. Zëri