Shfaqje dedikuar Yllka Domit

Kultura May 06, 2018 - 14:53

Naser Shatrolli

Dritë Begolli është aktore, regjisore, ideatore dhe kreatore teatrore e këtij tregimi dramaturgjik, të cilën e kanë sendërtuar Frances Goodrich dhe Albert Hackett. Regjisorja ishte provokuar ngushtë nga aspekti tematik, sikundër intriga që Ana Franku thurë në ditarin e saj,  të cilin e shpalos gjyshi i saj i vetëm (Jahja Shehu), mbi dërrasat e pritjes së gjykimit global, e që përkon me zinxhirin e tankeve dhe vrragët që  kanë ngelur nëpër rrugët dhe sheshet historike të Kosovës, si thëngjill i zi dhembshurie.

Jo pa një shkas Dritë Begolli shtron këtë tregim trishtues në skenën e Gjakovës. Tmerret që ka përjetuar ky qytet janë të përafërta me dëshmitë e Ana Frankut.

Është djegur çarshia e vjetër, e cila ishte pasaportë e lashtësisë dhe traditës gjakovare. Mbase, arkitektura e çarshisë së vjetër është kontekst i begatë që do futej nën ombrellën e UNESKO – s.

Aktorja e re gjakovare, Yllka Lota, solli modelin e 'Ana Frankut' dhe ishte e jashtëzakonshme si për nga pamja, diksioni, marrëdhëniet e shëndosha që krijon në raportet që dalin nga situata të shumta dhe dramatike. Ishte e pastër kristal, e qëndrueshme, krijonte gradacione intriguese që shkaktonin varësi, emocion, përjetim, afri me sallën. Sikundër dhe Besfort Berberi që krijon një çun të brishtë, pa sherre, pa teprime e manire ekzagjeruese. I saktë në veçori karakteriale, i qëndrueshëm, i qetë, i virgjër karshi rrethanave dhe dashurisë që do të lind mes tij dhe vajzës. Sikundër që vet vepra ka peshën globale dhe nuk do të mplakej ndonjëherë, marrë parasysh se në thelbin e saj është struktura e shkatërrimit të dashurisë. Hapja e derës së Bujtinës për këdo që troket, ndarja e kafshatës së gojës me mysafirët, dëshmon se vetëm kështu mund të qëndrojë e pathyeshme buka e moralit familjar e shoqëror.
Shfaqjen e përshkon dioptria regjisoriale me një mori gjetjesh, të punuara për të krijuar atmosferën e  viteve të 40 – ta. Frika që mbillet në shfaqje,  krijohet përmes trokitjes, si gjetje e thjeshtë, por që depërton thellë në kokë, njëherësh pamundësia për t'u mbrojtur dhe dëshira për të jetuar, janë çelësi i suksesit regjisorial, e cila e mban shfaqjen në tension të lartë përgjatë gjithë rrjedhës.

Nga kjo zile histerike do të krijohej truku ideor, dramaturgjia do të marr kah apo formë tjetër, do të shndërrohet në kohë, në tash, në histori personale, përderisa rikrijon filmin e zi, të mbushur me kilometra këmbësh të zbathura, që nuk përfundojnë kurrë së depërtuari në sytë e narracionit televiziv global, brenda një segmenti të tërë matematikor situatash.

Masa tek këto formate fabulare janë domen jetik për teatrin, andaj heshtja e frikshme, sinjalet e qarta brenda mureve të pallxinuara prej nga depërtonin rrezet e diellit, ku do të shpërthej prushi i brendshëm vullkanik rinor, për të puthur njëherë e përgjithmonë buzën e lirisë së ëndërruar njëherësh për të mundur frikën e Hitlerit që dashurinë e shikonte si përshumëzim i farës së keqe, ishte sitë për kujtesën!

Pjesa aktoriale siç është figura dhe domeni i aktorit Jahja Shehu, që më përkujton Holokaustin, shpirtin e brumit dhe forcës Hebreje, ose shiritin e pafund të filmave historik që janë sendërtuar me këso figurash që kanë përplot sharm, mendim e qetësi ndër mustaqe, në mjekër,  në tingull, apo në aparencë karshi çdo gjëje që parakalon nëpërmes damarëve të kujtesës së tij gjersa, krijon të sotmen në relacion me shiritin e pasqyrës së hidhur nga e djeshmja. Po kaq të zëshëm në kuptimin performativ ishin dhe pjesa tjetër e kastës së aktorëve, Murvete Kurtishi, Vlera Pylla, Ylber Mehmeti, Edmond Hafizademi,   Elida Shasivari, Valon Pallaska, Altina Kusari.

Skenografi Petrit Bakalli është krijues që ka krijuar stilin e tij dhe veçohet në ndërtimin e kompaktësisë së fabulës së shfaqjes. Atmosfera e viteve të ‘40- a ka qenë alfabeti i mendimit të tij kreativ nga pikëpamja ideoestetike. Kishte dhe elementin muzikor të kompozuar nga Trimor Dhomi dhe që kundërmonte erën e fatalitetit në çdo segment teatror, sikundër dhe koreografia e Nexhmie Selcës, e shtruar në mënyrë të pa diktuar, por që korrespodonte nota hareje në familje, nëpër situata tragjedie. Po ashtu edhe kostumografia ishte bërë me përkushtim nga Valdete Mustafa, sikundër dhe asistenca regjisoriale nga Valon Pallaska.
“Ana Franku”  ngelet kandil i pashuar gjersa bota e saj shpirtërore është një lirikë me të cilën ndërtohen ura legjendash! Me gjithë tmerrin që ajo përjeton, mesazhi i saj është përtej hyjnor, gjersa, pohon; Njerëz të mirë, ka megjithatë...! Shfaqja i është dedikuar  Yllka Domit.