Filarmonia e Kosovës prezantohet para publikut britanik

Kultura May 03, 2018 - 10:47

Si rrallë herë, Filarmonia e Kosovës, do të prezantohet para publikut ndërkombëtar. Në një konferencë për media, të mërkurën, u bë e ditur se Kori i Filarmonisë së Kosovës, do të mbajë një turne para publikut në Britani të Madhe. Më 6 maj ata do të jenë në qytetin e Hastings, kurse më 7 maj në Londër, shkruan sot gazeta "Zëri".

Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, tregoj para gazetarëve se Kori i Filarmonisë do të ketë tri paraqitje përpara publikut në Angli, nga të cilat dy në qytetin Hastings dhe një në kryeqytetin britanik, Londër. Ai e konsideroi këtë projekt si tepër të rëndësishëm për institucionin që drejton dhe tha se janë të përgatitur për prezantime të tilla.

“Ky projekt është i veçantë për Filarmoninë e Kosovës. Rrallë ka ndodhur që nga themelimi i Filarmonisë që ky institucion të lëvizë shpesh jashtë Kosovës. Dihet që ne jemi një institucion me dy njësi, Orkestrën Simfonike dhe Korin. Kur dalim në skenë shpesh jemi mbi 100 persona. Kësaj radhe bëhet fjalë për një turne të Korit të Filarmonisë me tri prezantime, dy në qytetin Hastings dhe një në Londër. Ky projekt është iniciuar që nga viti i kaluar me iniciativën e dirigjentit brazilian, i cili jeton dhe vepron në Britani të Madhe, Marcio Da Silva, i cili disa herë ka koncertuar me korin dhe orkestrën e Filarmonisë. Ai ka bërë një ftesë nga Filarmonia e Hastings-it, të cilën e drejton, për Korin e Filarmonisë së Kosovës që do të jetë pjesë e koncertit të përbashkët më korin dhe orkestrën e tyre në realizimin e një vepre madhështore vokalo-instrumentale të kompozitorit GiuseppeVerdi, sic është vepra ‘Requiem’”, tregoi Jashari.

Në anën tjetër, dirigjenti Rafet Rudi tha se programin me të cilin do të prezantohen e kanë hartuar me kujdes, duke dashur të tregojmë shumë segmente të jetës shqiptare.

“Ky është një projekt mjaft ambicioz. Solistët tanë në mënyrë të veçantë marrin pjesë në shumë vende evropiane, por institutcionalisht prezantimet janë të rralla, ndaj kjo ka një vlerë shumë të madhe. Përmes programit të koncertit të parë që do të jetë me orkestër në Hastings ne kemi edhe dy koncerte dhe programi i tyre është mirë i peshuar dhe sajuar mbi disa parametra që neve na është dukur e rëndësishme. Atje do të prezantojmë veprën e kompozitorit Gjergj Danush Lapacai, një kompozitor që vonë e kemi marrë vesh se është shqiptar, i lindur në Durrës, i cili ka vepruar në Itali dhe veprën e kompozitorit tjetër emblematik, Jan Kukuzeli. Ky është një kompozitor reformator, i cili gjithashtu ka lindur në Durrës. Përpos këtyre dy kompozitorëve ne në program do të kemi veprën e Lorenc Antonit, Rexho Mulliqit, Thoma Simakut, Mendi Menxhiçit, Baki Jasharit, një vepër e imja si dhe kënga popullore e ‘Janinës’, të cilën zakonisht e intepretojmë kur dalim jashtë”, tregoi Rudi.

Për solisten dhe anëtaren e Këshillit të Filarmonisë, Adelina Palojën realizimi i këtij projekti është tregues i përkushtimit të Filarmonisë së Kosovës si institucion për suksese.

“Në koncertet acapela që mbahen në Britani unë do të paraqitëm në rolin e solistes. Në veprën e Rexho Mulliqit ‘Një lule’ të cilën me shumë mjeshtri e ka aranzhuar profesori ynë Rafet Rudi dhe gjithashtu me një vepër nga një kompozitor vendas atje. Natyrisht që kënaqësia është e pashmangshme dhe dëshirojmë të japim më të mirën kur përfaqësohemi si ekip. Nëse flas nga prizmi i përfaqësueses në bord, këtë projekt e shoh si një mundësi dhe rezultat i një punë të madhe që është bërë nga institucioni me gjithë problemet teknike dhe financiare që një ansambël me një numër aq të madh mund të ketë kur paraqitet jashtë vendit”, tha Paloja.

Ky turne organizohet në bashkëpunim me Filarmoninë e Hastings-it dhe shënon disa ngjarje, 90 vjetorin e themelimit të Korit të Filarmonisë së Hastings-it, 15 vjetorin e Korit të Filarmonisë së Kosovës dhe përkon edhe me 10 vjetorin e shtetit të Kosovës.

Ky udhëtim do të përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër. Zëri