Prishtina mbledh ekspertë gjuhësorë nga bota

Kultura May 03, 2018 - 09:38
Lexoni më shumë detaje

Raymond Théberge, komisioner i Gjuhëve Zyrtare në Kanada,  Shannon Gullberg, Komisionere e Gjuhëve për Territoret e Veriut Perëndimor si dhe François Boileau, Komisioner i Shërbimeve të Gjuhëve Frënge në Ontario, në një intervistë për Zërin, kanë thënë që Kosova është një frymëzim për Kanadanë dhe shtetet tjera në botë, si një shembull i pajtimit pas konfliktit, nëpërmjet promovimit të të drejtave gjuhësore të minoriteteve.

Në konferencën e katërt të komisionerëve të gjuhëve që do të mbahet më 3 dhe 4 maj në Prishtinë, sipas agjendës së këtij Asociacioni, do të marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Raymond Theberge, Komisioner i Gjuhëve Zyrtare në Kanada, duke folur për vizitën e tij në Kosovë, ka thënë për Zërin se Kosova është një frymëzim për Kanadën dhe shtetet tjera në botë, si një shembull i pajtimit pas konfliktit nëpërmjet promovimit të të drejtave gjuhësore të minoriteteve.

Zëri: Cilat janë disa nga arsyet kryesore për vizitën tuaj në Prishtinë dhe a është kjo vizita juaj e parë në Kosovë?

Theberge: Kjo është vizita ime e parë në Kosovë. Është edhe hera e parë që po marrë pjesë në Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore dhe në konferencën e Asociacionit Ndërkombëtar të Komisionerëve të Gjuhëve që nga fillimi i mandatit tim si komisioner i Gjuhëve Zyrtare të Kanadasë, në janar 2018. Jam shumë i lumtur të bashkëpunoj me komisionerin Slavisha Mladenoviq. Sot, dualiteti gjuhësor është pjesë e ADN-së së Kanadasë dhe jam i inkurajuar të shoh se ajo është gjithashtu edhe pjesë e ADN-së së Kosovës. Nga ana tjetër, jam po ashtu i lumtur të ndaj në Kosovë përvojën time që do të jetë në interes të planifikimit gjuhësor të Kosovës.

Zëri: Si funksionon dygjuhësia në Kanada?

Theberge:
Në Kanada, për gati 50 vjet kemi pasur ‘Aktin’ tonë të Gjuhëve Zyrtare. Qëllimi kryesor i veprimit tonë është të sigurojmë që kanadezët të kenë qasje në shërbimet federale në gjuhën angleze dhe frënge, për të siguruar që dy gjuhët të vlerësohen në të gjithë shoqërinë kanadeze.  Ky "dualitet gjuhësor" është një vlerë themelore e Kanadasë. Ndërkohë që Kanadaja ka bërë hapa të rëndësishëm jashtë politikës gjuhësore. Mendoj se është e rëndësishme të modernizojmë gjuhët tona zyrtare për të siguruar që ajo të pasqyrojë realitetin e sotëm dhe të plotësojë nevojat gjuhësore të komuniteteve pakicë.

Zëri: Kosova po ashtu gjuhë zyrtare i ka ato të pakicave, çfarë vlrësimi keni për këtë?

Theberge: Është e natyrshme që Kosova të shikojë shtetet e tjera që kanë përvojë në njohjen e gjuhëve zyrtare, që të marrë frymëzim dhe të kërkojë atë që do të funksionojë më mirë në kontekstin e saj unik. Nga ana e saj, Kosova tashmë është një frymëzim për Kanadanë dhe shtetet tjera në botë, si një shembull i pajtimit pas konfliktit nëpërmjet promovimit të të drejtave gjuhësore të minoriteteve. Shpresoj që përmes shkëmbimit të përvojave me vende si Kosova që kanë ose po zhvillojnë politika gjuhësore të tyre, ne mund të mësojmë nga përpjekjet e tyre dhe të gjejmë mënyra të reja për të mbështetur komunitetet zyrtare gjuhësore edhe në Kanada.

Shannon Gullberg, Komisionere e Gjuhëve për Territoret e Veriut Perëndimor, për “Zërin” ka thënë që territori që ajo do të përfaqësojë në Prishtinë është vend me 11 gjuhë zyrtare, gjë që sipas saj ka të mirat, por edhe sfidat e veta.

Zëri: Si funksionon aspekti gjuhësor në territorin tuaj?

Gullberg:
Territoret e Veriperëndimit nuk janë dygjuhësore, janë shumëgjuhëshe, me 11 gjuhë zyrtare. Publiku ka të drejta të caktuara në lidhje me ato gjuhë, duke përfshirë të drejtën e përdorimit të këtyre gjuhëve në Asamblenë Legjislative, gjykatat si dhe kur marrin shërbime nga Qeveria. Unë nuk kam ndonjë informacion për ndonjë vend tjetër në botë me njëmbëdhjetë Gjuhë Zyrtare, të cilat, siç mund të imagjinoni, krijojnë shumë sfida dhe mundësi.

Zëri: Si planifikoni të ndihmoni Kosovën me përvojën tuaj?

Gullberg:  Është e mrekullueshme të jesh në gjendje të ndash ide me komisionerët e tjerë të gjuhës dhe zyrtarë tjerë që kanë lidhje me gjuhët nga vende të ndryshme. Duke ndarë idetë dhe përvojat, ne mund ta mbështesim më mirë njëri-tjetrin në rolet tona dhe të mbështesim më mirë grupet gjuhësore, meqë kërkojnë të promovojnë dhe mbrojnë gjuhët e tyre. Takimet ballë për ballë lejojnë më shumë bashkëveprim që ndikon në ndërtimin e marrëdhënieve mes shteteve.

François Boileau, Komisioner i Shërbimeve të Gjuhëve Frënge në Ontario, ka thënë se ai në Kosovë do të sjellë njohuri dhe përvojë në atë se si mund dhe duhet të përdorin mjete të politikave publike, përfshirë opinionin publik, legjislacionin dhe programet mbështetëse për të rritur përdorimin e gjuhëve të pakicave të vendeve.

Zëri: Cilat janë disa nga arsyet kryesore për vizitën tuaj në Prishtinë dhe a është kjo vizita juaj e parë në Kosovë?

Boileau: Kjo është vizita ime e parë në Kosovë. Është një privilegj që unë të jem në gjendje të vizitoj Kosovën si Komisioneri i vetëm për shërbimet në gjuhën frënge nga Ontario në Kanada. Si anëtar themelues i Shoqatës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Gjuhëve, unë jam ftuar që nga viti 2014 për të marrë pjesë në Konferencën Vjetore. Këtë vit, më kërkuan të jepja një prezantim si pjesë e një diskutimi në panel mbi konceptin e ofertës aktive. Kjo ngjarje është gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për mua që të flas për rëndësinë e përdorimit të kompetencave që kam në Ligjin e Shërbimeve të Gjuhës Franceze për të kryer hetime dhe për të bërë rekomandime për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të gjuhës franceze të Qeverisë së Ontarios.

Zëri: Cilat janë disa nga mundësitë tuaja për të ndihmuar Kosovën me përvojën tuaj?

Boileau: Unë nuk mund të pretendoj se puna e bërë nga zyra ime mund të shërbejë si model në vendet e tjera, sepse dallimet kontekstuale janë të mëdha. Shoqata Ndërkombëtare e Qendrave të Gjuhëve u krijua për të mbështetur dhe mbrojtur të drejtat gjuhësore, barazinë dhe diversitetin në mbarë botën dhe për të ndihmuar komisioneret e gjuhëve të punojnë në përputhje me standardet më të larta profesionale.

Për këtë qëllim, dhe duke punuar si në nivel federal, ashtu edhe në nivel provincial, unë vetë do të sjell njohuri dhe përvoja në mënyrën se si komisionarët e gjuhëve mund dhe duhet të përdorin mjete të politikave publike, përfshirë opinionin publik, legjislacionin dhe programet mbështetëse për të rritur përdorimin e gjuhëve të pakicave të vendeve.

Roli im si komisioner në Shoqatën Ndërkombëtare të Gjuhëve është që të lehtësoj shkëmbimin e informacionit dhe të ofroj mundësi të pashembullta të të mësuarit midis komisionerëve gjuhësor, qëllimet e përbashkëta të cilat janë të promovojnë, mbështesin dhe mbrojnë të drejtat gjuhësore, barazinë dhe diversitetin. Dhe për të qenë krejtësisht i sinqertë, po vij në Kosovë që të mësoj, më shumë sesa për të dhënë mësim. /ZËRI/